Melek Maksudoglu, KRIMEJA ËSHTË E JONA, Botoi: ALSAR, Tiranë, 2024

Historia e tatarëve e cila prezantohet në këtë botim është ajo e luftës së pambarim, zhvendosjeve, trajtimit të padrejtë dhe të mbijetesës së tyre, përballë politikës ruse e cila si mision kishte spastrimin etnik nga popujt josllav. Ndërsa rrethanat politike pas aneksimit të saj nga Rusia në vitin 2014 dhe agresioni rus kundër Ukrainës(2022) është dëshmi se  aspiratat pushtuese ruse në këtë  regjion mbesin sfidat e gjeopolitikës evropiane, ku takimet e zhvilluara në muajt e fundit e dëshmojnë një konstatim të tillë

Nail  Draga

Siujdhesa e Krimesë, gjendet në brigjet veriore të Detit të Zi, me  sipërfaqe prej 27.000 kilometra katrorë dhe me një popullsi prej 2.1 milion banorë. Ndonëse Bashkimi Sovjetik u shpërbe në vitin 1991, Rusia ka vazhduar ta trajtojë Krimenë si pjesë të saj. Tatarët janë popullsia vendase e Krimesë, dhe si pakicë në vendin e tyre po përballohen sot me një dëbim të fshehtë apo hibrid nga Rusia. Tatarët e Krimesë janë një nacionalitet  ku vetëdija kolektive e të cilëve  është përcaktuar nga lidhja e tyre me tokën e Krimesë dhe humbjen e saj traumatike në vitin  1944.

Tatarët  me emërtimin autentik

Në aspektin historik  Krimeja ka qenë gjithmonë  shtëpi e fiseve nomade të ardhur më së shumti  prej lindjës së largët të Azisë Qendrore, nga del se kjo siujdhesë u bë tokë e racave migruese e pushtuese. Pothuaj të gjithë këta popuj janë marrë si turq për nga përkatësia etnike  duke u bazuar kryesisht në përbashkësinë e gjuhës së tyre. Pushtimi nga ana e mongolëve në shek.XIII nuk i shpëtoi as Krimeja.

Në  lidhje me emërtimin popullor tatar, duhet cekur se ky ishte emërtim autentik i tyre, por, pas vdekjës së mbretit të tyre Xhingis Hanit u thirrën mongolë. Etnonimi Tatar është paraqitur për të parën herë përmes fiseve mongole nga shek.VI-IX. Ndërsa në shek.XIII me pushtimet mongolo-tatare emërtimi  i tatarëve u bë i njohur edhe në Evropë, nga del se i referohet popujve mongol.

Gjuha e tatareve  të Krimesë është tatarishtja  dhe iu përket grupit turkik të familjes së gjuhës Altaike, dhe  është një nga tre gjuhët zyrtare në Krime, ndërsa në aspektin fetarë janë të përkatësisë islame.  

Tatrët e Krimesë, në mesjetë kishin një territor  dhe një shtet të përcaktuar qartë, i njohur si hanati Krimesë(1441-1783). Por, në vitin 1783 Krimeja u aneksua nga ruset të udhëhequr nga Katerina e II dhe sovraniteti i Krimesë mori fund, ku rreth 300.000 tatarë u shpërngulen(1784-1790), duke u vendosur në Rumani, Bullgari e Turqi. Ndërsa vala tjetër e emigrimit të tatarëve ka ndodhur në vitin 1855, në sajë luftës së Krimesë(ruso-turke), ku vlerësohet se popullsia tatare u tkurr nga 500.000 në 200.000 frymë apo edhe më pak. Dhe nga ajo kohë fillon politika ruse e sllavizimit, që është e pranishme edhe në ditët tona. Ndonëse në të kaluarën tatarët  deri në vitet 1850 ishin popullsi shumicë e siujdhesës, mbi 80% përbëhej nga muslimanë tatarë, por më pas në sajë të luftërave, aneksimit dhe politikës ruse të spastrimit etnik, në vitin 1920 ata përbënin vetëm çerekun e popullsisë së rajonit(25.1%).

Dëbimi–etnocidi ndaj Tatarëve

Me akuzën se tatarët gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë bashkëpunuar me Gjermaninë naziste, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë qenë në kuadër të Ushtrisë së kuqe, me 18 maj 1944, autoritetet sovjetike nën Josif Stalinin dëbuan më shumë se 190.000 mijë tatarë të Krimesë  nga atdheu i tyre duke i vendosur në Azinë Qendrore. Dëbimi i cili i ngjante etnocidit  është kryer në trena me vagona për bagëti, të mbyllur në kushte çnjerëzore, ku si pasojë vdiqën pothuaj gjysma e tyre nga uria, dhe  sëmundjet e ndryshme.

Breza tatarësh kanë përcjellë nga prindërti të fëmijët historinë e atdheut të tyre Krimesë, të tmerreve të dëbimit dhe të viteve të para të mërgimit.Kanë treguar dhe për vdekshmërinë  masive të pësuar gjatë dëbimit, mërgimit të detyruar.Por, përveç tatarëve  në Bashkimin Sovjetik të njëjtin fat e patën edhe gjermanët e Vollgës, çeçenët, ballkarët, ingushët, turqit meskhetianë, koreanët sovjetik, kalmukët dhe karaçajët. Të gjithë ishin dëbuar nga vendet e tyre dhe ishin vendosur në Urale, Siberi, Kazakistan dhe Uzbekistan, më 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jeta e tyre në mjedisin e ri ishte dramë e vërtetë, me vuajtje, sëmundje, vdekje e pa të drejta gjuhësore e kombëtare ku rasti i tatarëve nga autorja prezantohet në detaje në këtë botim.

Rikthimi në atdhe

Ndonëse tatarët kanë shprehur dëshirë të rikthehën në vendin e tyre ata nga pushteti stalinist pengoheshin, por me shëmbjen e Bashkimit Sovjetik ia dolën të kthehën  në atdheun e tyre. Bëhët me dije së në Krime pas dëbimit në vitin 1944 kanë mbetur rreth 4000 tatarë, ndërsa në vitin 1987 kishte 17.400 tatarë, por nga qershori i vitit 1991 numri u rrit në 135.000. Ndërsa nga vendet e Azisë Qendrore deri në fund të vitit 1993, në Krime janë kthyer  rreth 250.000 tatarë, thuajse gjysma e popullit tatar të Krimesë.  

Aneksimi i Krimesë

Viti 2014 ishte fatal për tatarët e Krimesë, sepse nga data 27 shkurt 2014, forcat ruse u vendosen në parlamentin e Krimesë, duke e marrë nën kontroll, që është data e aneksimit të Krimesë. Ushtarët rusë filluan të merrnin godinat shtetërore, aeroportët dhe shpërndanë Parlamentin Kombëtar Tatar të Krimesë.

Në sajë të regjistrimit të popullsisë nga viti 2001, grupet kryesore etnike në Krime ishin rusët(58,5%), ukrainasit(24,4%) dhe tatarët(12,1%). Dhe një përbërje e tillë etnike dëshmon qartë se rusët e kishin të lehtë ta aneksonin Krimenë, pavarësisht aleancën e partive politike ukrainase me tatarët e Krimesë.

Referendumi i manipuluar

Por, Rusia nuk u ndal me kaq sepse bëri propagandë të madhe  dhe u përpoq të manipulojë opinionin botëror mënjëherë pas aneksimit të Krimesë, sepse për të realizuar objektivat e tyre organizuan referendumin i cili është mbajtur me 16 mars 2014, ku  kanë marrë pjesë në referendum 83% e popullsisë, ku  96.77% e popullsisë së Krimesë ishin në favor të bashkimit me Rusinë. Autoritetet e Krimesë e nënshkruan traktatin me Rusinë me 18 mars 2014. Por, në lidhje me këtë referendum, Tatarët e Krimesë të cilët përbënin 14% të popullsisë së përgjithshme e bojkotuan referendumin. 

Në lidhje me pjesëmarrjën e qytetarëve në referendum me vonë sipas një raporti të Shërbimit Federal të Sigurisë(FSB), del së pjesëmarrja në referendum ishte në të vërtetë 34,2%, e se vetëm 15% e popullsisë votuan pro, por është e kotë  të diskutohet çështja e tillë, sepse pushteti rus vendosi sipas objektivave të tyre.

Cekim me këtë rast se fleta e votimit përmbante dy alternativa:1. A jeni për ribashkimin e Krimesë me Rusinë si pjesë e Federatës Ruse dhe 2.A jeni për kthimin e kushtetutës së vitit 1992 dhe statusin e Krimesë si pjesë e Ukrainës.

Ne lidhje me kushtetutën e vitit 1992, Parlamenti rus ka diskutuar  legjitimitetin e dhënies së Krimesë dhuratë Ukrainës në vitin 1954. Sipas kësaj kushtetutes, parlamenti rus miratoi një rezolutë që e shpalli të paligjshëm transferimin e 1954-s të Krimesë  dhe bëri thirje për negociata  për të ardhmën e saj. Pikërisht një qasje e tillë i ka parapri aneksimit të Krimesë, duke e trajtuar ate  si pjesë te Federatës Ruse.

Tragjedia e ripërseritur

Pas aneskimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, të populli tatar u ripërserit tragjedia. Nga situata e tillë filloi vala e dëbimit të Tatarëve të Krimesë dhe ndryshimi artificial i përbërjes demografike  të Krimesë, që është manifestuar në përndjekje politike, fetare, kulturore. Po ashtu është ndaluar veprimtaria Kuvendit(Mexhlisit) të  Populli Tatar të Krimesë,  si dhe kanë vazhduar shtypjet sistematike, imponimi i detyrueshëm i nënshtetësisë ruse, si kusht për tu punësuar e votuar, përndjekjet dhe shkeljet e të drejtave të tatarëve, të cilët kundërshtuan agresionin e armatosur të Federatës Ruse.

Ndryshimi i demografisë

Në sajë të strategjisë politike Rusija synon të ndryshojë demografinë e Krimesë  në favor të saj duke nxitur imigrimin  e popullsisë nga territori rus në Krime. Me një politikë të tillë raciste Rusia i sheh tatarët e Krimesë si një popullsi e huaj, që banon në një prej tokave më të rëndësishme të saj, sepse dëshiron t` i largojë njerëzit të cilët nuk bashkëpunojnë me të dhe që janë të rreshtuar me Perëndimin.

Rusët janë vendosur masivisht në Krime, ku sipas deklarimeve zyrtare bëhët  me dije se numri i rusëve të vendosur  në Krime është dyqind  mijë, ndërsa sipas burime të ndryshme, ky numër është  nga gjashtëqind mijë e deri një milion. Pesë muaj pasi Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, dhjetë mijë tatar të Krimesë e lanë vendin, në sajë të presionit që kanë ushtruar rusët. Ndërsa sipas disa të dhëna nga viti 2014 deri në vitin 2020, rreth tridhjetë mijë tatarë të Krimesë janë shpërngulur  dhe janë vendosur në Ukrainë.

Pas aneksimit të Krimesë nga ruset në vitin 2014, ajo është shpallur Republikë Autonome me status të veçantë e varur direkt nga Kremlini. Në lidhje mbi numrin e popullsisë tatare, autoritetet japin një shifër rreth 300.000 banorë. Por, si autorittet ruse ashtu edhe ato ukrainase asnjëherë nuk kanë dhënë një shifër të saktë të numrit të tatarëve në Krime. Realisht numri i tyre është më i madh dhe sillet mes 500.000-600.000 banorë, të përqëndruar kryesisht në zonat rurale dhe qendrore të  siujdhesës  dhe përbëjnë momentalisht rreth ¼-tën e popullsisë së përgjithsme e cila llogaritet se është 2.1 milion banorë.

Autorja e këtij libri është pasardhëse e tatarëve të Krimesë, e lindur në Turqi  dhe si brez i katërt  ka jetuar në pjesën më të madhe të jetës në vende të ndryshme, por përherë ka qenë në kërkim të rrënjëve të saja. Tatarët e Krimesë, të cilët janë vendasit e siujdhesës së Krimesë, u përballën me dëbim të tmerrshëm nga viti 1944, por dekada më vonë ia dolën me guxim të kthehën në atdheun e të parëve. Historia e tatarëve e cila prezantohet në këtë botim  me përkthim në shqip nga Bujar Hoxha është ajo e luftës së pambarim, zhvendosjeve, trajtimit të padrejtë dhe të mbijetesës së tyre, përballë politikës ruse e cila si mision kishte spastrimin etnik nga popujt josllav, ku tatarët janë dëshmi autentike e qendrimit  të tyre racist. Ndërsa rrethanat politike pas aneksimit të saj nga Rusia në vitin 2014 dhe agresioni rus kundër Ukrainës(2022) është dëshmi se  aspiratat pushtuese ruse në këtë  regjion mbesin sfidat e gjeopolitikës evropiane, në favor të përfundimit të luftës, çështje e cila mbetet e hapur, ku takimet e zhvilluara në muajt e fundit e dëshmojnë një konstatim të tillë.

(Shtator  2025)

By admini