Ngjarja e ndodhur gjatë shfaqjes së filmit “Lejleku” të regjisorit Isa Qosja, në kuadër të Festivalit të Filmit “Džada Fest” në Podgoricë, ka shkaktuar reagime të forta nga institucionet dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Malin e Zi. Incidenti ku një grup individësh ndërprenë shfaqjen e filmit me arsyetimin se ai po transmetohej në gjuhën shqipe, është cilësuar si akt i papranueshëm, cenim i të drejtave të njeriut dhe sulm ndaj identitetit dhe kulturës së shqiptarëve.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Forca e Re Demokratike dënojnë ashpër këtë veprim, duke theksuar se një shoqëri demokratike nuk mund të tolerojë akte të tilla të urrejtjes dhe diskriminimit. Në vijim, sjellim deklaratat e plota të dy institucioneve, të cilat kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet kompetente dhe garantimin e të drejtave kulturore e gjuhësore të pakicave në Mal të Zi.

Më poshtë mund ti lexoni te plota reagimet.

Reagim i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi lidhur me incidentin në Džada Film Fest në Podgoricë

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve shpreh shqetësim të thellë për incidentin e ndodhur gjatë shfaqjes së filmit Lejleku të regjisorit Isa Qosja, në kuadër të Džada Film Fest në Podgoricë, ku një grup individësh ndërpreu në mënyrë të papërshtatshme një ngjarje kulturore. Ky akt është plotësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Veprime të tilla përbëjnë një shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes dhe të drejtave kulturore, si dhe të drejtave të pakicave. Gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë në Malin e Zi, duhet të respektohet dhe trajtohet me nderim nga të gjithë qytetarët dhe institucionet, si pjesë e së drejtës së pakicave për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kulturor.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka denoncuar vazhdimisht rastet e urrejtjes dhe diskriminimit, veçanërisht ato që lidhen me temat që prekin shqiptarët. Sa herë që ka ngjarje ose aktivitete që lidhen me shqiptarët, shpesh herë shfaqen aktet e urrejtjes, si dhe forma të ndryshme të mostolerancës etnike, të cilat nuk kufizohen vetëm në veprime të drejtpërdrejta, por shfaqen gjithashtu në komentet e urrejtjes dhe përbuzjes në rrjete sociale, ku shpesh herë individë të caktuar përdorin gjuhë diskriminuese dhe shprehin mendime negative ndaj shqiptarëve. Kjo është e papranueshme dhe është detyra e të gjithëve për të siguruar një shoqëri të barabartë dhe të paanshme për të gjithë, pa dallim etnie.

Po ashtu, bëjmë thirrje që autoritetet kompetente të marrin masa të menjëhershme ndaj atyre që janë përgjegjës për këtë incident dhe të sigurojnë që shoqëria të mund të zhvillohet pa frikë dhe me respekt të ndërsjellë. Veprimet që cenojnë kulturën e pakicave, si dhe çdo përpjekje për të dëmtuar besimin dhe mirëkuptimin ndërmjet grupeve etnike, dëmton rëndë stabilitetin dhe unitetin e Malit të Zi, i cili është ndërtuar mbi vlera multietnike dhe shumëkulturore.

Në përfundim, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve do të vazhdojë të angazhohet për të siguruar që çdo akt urrejtjeje të hasë në reagimin e duhur dhe kundërshtimin e nevojshëm. Po ashtu, do të punojmë për të siguruar që gjuha, kultura dhe identiteti shqiptar të respektohen si pjesë e pandashme e pasurisë kulturore, dhe se të drejtat e pakicave të mbrohen e respektohen në Malin e Zi.

Me respekt,

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi,

                                                                                                                                   Faik Nika d.v.


Forca e Re Demokratike dënon ashpër incidentin gjatë shfaqjes së filmit “Lejleku” në Podgoricë

Forca e Re Demokratike dënon me ashpërsi incidentin e ndodhur në Podgoricë, gjatë shfaqjes së filmit “Lejleku” të regjisorit të njohur shqiptar Isa Qosja, në kuadër të Festivalit të Filmit “Xhada Fest”.
Gjatë këtij aktiviteti kulturor, një grup personash ndërprenë shfaqjen e filmit duke përdorur gjuhë fyese dhe duke shprehur sjellje agresive, me arsyetimin se filmi po shfaqej në gjuhën shqipe.

Të tilla sulme nuk përbëjnë vetëm një akt të papranueshëm ndaj një vepre artistike, por përfaqësojnë edhe një shkelje të rëndë të të drejtave dhe identitetit të  shqiptarëve në Mal të Zi. Ky akt përbën një cenim të parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar shoqëria moderne malazeze: bashkëjetesa, respekti dhe multietniciteti.

Forca e Re Demokratike i bën thirrje institucioneve kompetente që të reagojnë me vendosmëri, të identifikojnë dhe të mbajnë përgjegjës autorët e këtij akti, në mënyrë që gjuha e urrejtjes dhe veprimet diskriminuese ndaj identitetit shqiptar të mos përsëriten në të ardhmen.


Forca e Re Demokratike

By admini