
Ilustrim: Nga arkivi
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë më 11-13 shtator 2025 edicionin e 33-të të manifestimit Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”.
Në programin e edicionit të sivjetshëm është mbrëmja letrare homazh kushtuar shkrimtarit Ibrahim Berjashi, kryetarit të parë të “Art Club”-it dhe njërit prej themeluesve të “Kalimerës Poetike”, i ndarë nga jeta në muajin mars të këtij viti, si dhe dy mbrëmje autoriale që do t’u kushtohen shkrimtarëve Besnik Mustafaj dhe Ilire Zajmi.
Në kuadër të këtij edicioni do të hapet edhe ekspozita/instalacioni “Ofshamë” (Shpella e lakuriqeve) i Zake Prelvukajt, profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe fituese e Çmimit Tradicional të “Art Club”-it vitin e kaluar.
“Kalimera Poetike” është imazhi letrar i Ulqinit dhe i shqiptarëve në Malin e Zi. Me traditën dhe trashëgiminë e vet, ajo zë një vend nderi në hartën e festivaleve letrare që organizohen në hapësirën shqiptare dhe në vetë Malin e Zi.
Edicioni i këtij viti do të mbahet në tri vende të ndryshme në komunën e Ulqinit – Muzeun e Ulqinit në Kala, Librarinë “Ulqini” dhe Muzeun Etnografik në Draginë, duke synuar që përpos letërsisë të promovojē edhe trashëgiminë historike e kulturore dhe potencialet turistike të këtij qyteti.
