(Dorëheqja në emër të Shqipërisë – akt përgjegjësie shtetërore dhe politike)
I nderuar z. Kryeministër,
Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë nevojë për qetësi, stabilitet politik dhe institucione që gëzojnë besimin e publikut. Në kushtet e pakënaqësisë qytetare dhe protestave të vazhdueshme, ju drejtohem me një kërkesë të qartë: jepni dorëheqjen nga posti i kryeministrit, hapni rrugën për një qeveri dhe kryeministër të ri dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Një vendim i tillë nuk duhet parë si akt dobësie apo si dorëzim përballë kundërshtarëve politikë, por si një akt përgjegjësie ndaj Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. Në momente të vështira, një burrështetas i vërtetë nuk matet vetëm me aftësinë për të qëndruar në pushtet, por edhe me gatishmërinë për të bërë një hap prapa kur këtë e kërkon interesi i vendit.
Është e vërtetë se Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare dhe mori mandatin për të qeverisur për një periudhë katërvjeçare. Ky mandat përbën një realitet demokratik që duhet respektuar. Por, njëkohësisht, mandati zgjedhor nuk mund të jetë një arsye për të shpërfillur pakënaqësinë e qytetarëve, shqetësimet e shoqërisë shqiptare dhe nevojën për të rikthyer besimin te institucionet.
Kur protestat zgjasin me muaj dhe tensionet politike e shoqërore vazhdojnë të rriten, përgjegjësia e drejtuesve të vendit bëhet edhe më e madhe. Askush nuk mund të parashikojë me siguri se ku mund të çojë një përshkallëzim i mëtejshëm i situatës. Pikërisht për këtë arsye, sot kërkohet urtësi, vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje politike që i jep përparësi paqes shoqërore dhe stabilitetit të Shqipërisë.
Z. Rama, nuk është koha për kokëfortësi politike, por për mençuri shtetërore.
Nëse e konsideroni veten një burrështetas me orientim të qartë pro-perëndimor dhe me përkushtim ndaj vlerave demokratike, atëherë interesin e Shqipërisë duhet ta vendosni mbi interesin personal dhe atë partiak. Demokracia nuk është vetëm fitore në zgjedhje; ajo është gjithashtu përgjegjësi, llogaridhënie dhe respekt për qytetarët, përfshirë ata që kundërshtojnë qeverinë.
Dorëheqja juaj në këto rrethana do të mund të shërbente si një mundësi për të ulur tensionet, për të hapur një kapitull të ri politik dhe për t’ua kthyer qytetarëve fjalën përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Një proces i tillë, i zhvilluar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë, do t’i jepte mundësi vendit të kërkonte një zgjidhje demokratike për krizën e besimit politik.
Këtu nuk shtrohet vetëm çështja se kush ka të drejtë në përplasjen mes qeverisë dhe protestuesve. Çështja thelbësore është se çfarë është më e dobishme për Shqipërinë në një moment të vështirë si ky sot.
Një vend nuk mund të mbetet peng i përplasjes së vazhdueshme ndërmjet pushtetit dhe kundërshtarëve të tij, ndërsa qytetarët presin zgjidhje, përgjegjësi dhe shpresë për të ardhmen.
Historia politike i vlerëson udhëheqësit jo vetëm për kohën që qëndrojnë në pushtet, por edhe për vendimet që marrin në çastet vendimtare për vendin e tyre.
Ndonjëherë, akti më i guximshëm nuk është të luftosh për të ruajtur pushtetin, por të heqësh dorë prej tij për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje që i shërben vendit.
Z. Kryeministër, ju keni sot mundësinë të dëshmoni se Shqipëria është më e rëndësishme se çdo individ dhe çdo parti politike. Dorëheqja juaj, e shoqëruar me një proces kushtetues që çon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, do të ishte një vendim me peshë të madhe politike dhe një mundësi për të shmangur thellimin e mëtejshëm të përçarjes të shoqërisë shqiptare.
Prandaj, kërkesa ime publike është e qartë: jepni dorëheqjen, hapni rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe lëreni qytetarin shqiptar të vendosë për drejtimin e ardhshëm të vendit.
Shqipëria ka nevojë për përgjegjësi, jo për kokëfortësi; për dialog, jo për përplasje; për institucione të besueshme, jo për një krizë të zgjatur politike.Sepse në fund të fundit, pushteti është i përkohshëm, ndërsa Shqipëria është mbi të gjithë ne.
Me respekt për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Xheladin Zeneli
14 Tetor 2026
Nju Jork

