
Me ekspozitën/instalacionin “Ofshamë” (Shpella e lakuriqeve) të artistes Zake Prelvukaj, fituese e Çmimit Tradicional të “Art Club”-it, dhe mbrëmjen letrare homazh kushtuar shkrimtarit Ibrahim Berjashi, kryetarit të parë të “Art Club”-it, i ndarë nga jeta në muajin mars të këtij viti, sonte në Kalanë e Ulqinit do të hapet edicioni i 33-të i manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”. Për krijimtarinë e Berjashit do të flasin përkthyesi dhe kritiku letrar Qazim Muja dhe shkrimtari Xhahid Bushati, vargje do të lexojë aktori Simon Shkreli, ndërsa mbrëmja do të udhëhiqet nga studiuesja e letërsisë Vediha Gjoni.
Dy mbrëmjet tjera autoriale do t’u kushtohen shkrimtarëve Besnik Mustafaj dhe Ilire Zajmi.
“Kalimera Poetike” është imazhi letrar dhe kulturor i Ulqinit dhe i shqiptarëve në Malin e Zi. Ajo zë vend nderi në hartën e festivaleve letrare që organizohen në hapësirën shqipfolëse dhe në vetë Malin e Zi.
Shënim: Në rast të motit me shi, mbrëmja autoriale do të mbahet në Kullën e Balshajve (në kuadër të kompleksit muzeal në Kalanë e Ulqinit)!
