Nga ALBINA OSMANI-MARKASHEVIQ

Të nderuar të pranishëm, të dashur miq dhe familjarë,

Sonte, me shumë emocion, mall dhe krenari, qëndroj para jush në emër të familjes sime, si vajza më e madhe, për të kujtuar dhe nderuar babanë tonë të shtrenjtë.

Ka kaluar një vit nga ndarja jonë me të. Një vit që na ka treguar sa e madhe është mungesa e njeriut që ishte shtylla, forca dhe mbështetja e familjes sonë. Një vit me ditë të mbushura me mall, me kujtime që na ngrohin zemrën dhe me një boshllëk që asgjë nuk mund ta mbushë. Koha ecën, por malli dhe dashuria për të mbeten të pandryshuara.

Ai ishte shumë më tepër se një baba. Ishte streha jonë, siguria jonë dhe burimi i një dashurie të pakufishme. Na dhuroi një botë të pasur shpirtërore, na edukoi me ndershmëri, dinjitet dhe dashuri për njerëzit. Na la vlera që janë pasuria jonë më e çmuar dhe që do të na udhëheqin gjatë gjithë jetës.

Ai ishte një personalitet i veçantë, intelektual, sociolog dhe publicist, por, mbi të gjitha, një njeri me shpirt të madh, zemër bujare dhe fisnikëri të rrallë. Njeri i besës, i ndershmërisë dhe i parimeve të palëkundura, me karakter të fortë dhe dinjitet që nuk e përkuli asnjë rrethanë.

Ai e dinte se fjala ka peshë, se mendimi ka përgjegjësi dhe se shkrimi është një mënyrë për t’i lënë gjurmë kohës.

Dhe ndoshta kjo është një nga ngushëllimet më të mëdha që mund të kemi: njeriu mund të largohet nga kjo botë, por nuk largohet nga jeta e atyre që e kanë dashur dhe nga kujtesa e atyre që e kanë vlerësuar. Libri „Shkruaj, sepse ekzistoj“ është një pjesë e shpirtit dhe mendimit të tij, që sot bëhet pjesë e kujtesës sonë të përbashkët.

Në këtë moment të veçantë, në emër të nënës sime, Suadës, motrave të mia, Valdetes dhe Rinitës, hallës Shpresa, nipave, mbesave dhe gjithë familjes, ju shpreh mirënjohjen më të sinqertë të gjithë atyre që u angazhuan me përkushtim dhe dashamirësi për përgatitjen dhe botimin e kësaj vepre: dr. Nail Draga, në cilësinë e redaktorit; Ali Salaj, si recensent; Esat Mehmeti, si lektor; dhe Gazmend Çitaku, si redaktor teknik.

Ju nuk jeni vetëm miq të tij, por edhe bashkudhëtarë në rrugëtimin intelektual, njerëz me të cilët ka ndarë mendime, ide, përvoja dhe vlera njerëzore.

Kontributi dhe bashkëpunimi juaj në përgatitjen e këtij libri janë dëshmi e miqësisë së sinqertë, e respektit të ndërsjellë dhe e dashurisë për dijen dhe kulturën.

Falënderimi shkon edhe për organizatorët e kësaj mbrëmjeje, Qendrën për Kulturë, në krye me drejtoreshën Adriana Hoxha, për përfaqësuesit e mediave dhe për secilin prej jush që, me praninë dhe respektin tuaj, po nderoni kujtimin e babait tonë.

Dhe tani, dua t’i drejtohem babait tim…

Babi im i dashur,

Nuk e di nëse ka një mënyrë për t’ia treguar një babai, edhe pas largimit të tij, se sa shumë e duan vajzat e veta. Por, nëse dashuria mund të dëgjohet përtej heshtjes, atëherë dua ta dish se ne të duam sot po aq sa dje dhe do të të duam në çdo ditë që do të vijë.

Ti nuk je më mes nesh si dikur, por je në secilën prej nesh.

Je në kujtimet tona, në edukatën që na dhe, në fjalët që na mësove, në vlerat që na le dhe në krenarinë që ndiejmë kur përmendim emrin tënd.

Sonte nuk po themi lamtumirë…

Sonte po themi se ti vazhdon të ekzistosh në një formë tjetër: në familjen tënde, në shkrimet e tua, në librat e tu dhe në kujtesën e njerëzve.

Na mungojnë zëri yt, era jote, këshilla jote, prania jote dhe dashuria e pafund që na fale. Na mungon ajo siguri që vetëm ti dije të na e jepje.

Babi, ti nuk na le vetëm kujtime. Na le dashurinë, besën, dinjitetin, ndershmërinë dhe shembullin e një njeriu që qëndroi i palëkundur në parimet e tij, pavarësisht vështirësive. Kjo është trashëgimia jote më e madhe dhe ne do ta ruajmë me krenari.

Ne duam të jemi shembull, ashtu siç ishe ti për ne. Duam që, kur të na shohin të tjerët, të njohin tek ne vlerat që na ke trashëguar dhe të kuptojnë se forca jote vazhdon të jetojë përmes nesh.

Pusho i qetë, babi im i dashur!

Ne do të vazhdojmë të flasim për ty. Sepse, për sa kohë që emri yt shqiptohet me dashuri, ti do të jesh gjithmonë mes nesh.

Ti do të jetosh në çdo hap tonin, në çdo sukses, në çdo përqafim të fëmijëve tanë dhe në çdo faqe të librave.

Qoftë i përjetshëm kujtimi yt, babi ynë i shtrenjtë!

Të duam pafund, babi. Dhe, sa të kemi jetë, do të jemi krenare që jemi vajzat e tua!

Ju falënderoj nga zemra!

By admini

Leave a Reply