Shkruan Petrit Llunji*

“Ulqini Kozmopolit“! E përsërisim shpesh, të bindur që ashtu është. Por, problemi është që Ulqini nuk është qytet kozmopolit. Në fakt, kurrë s’ka qenë.

Ulqini gjithmonë ka qenë i vogël dhe provincial në kulturë dhe traditë. Një fortesë e ngritur mbi një shkëmb. Një strofull detare në kufijtë e perandorive, ku të huajt janë dërguar për dënim ose sjellë të lidhur për t’u shitur. Ndërrimi i pushtuesve, pirateria dhe tregtia detare nuk e bëjnë atë kozmopolit.

Ulqini mund të përshkruhet si një qytet i vogël me shtresa të pasura historike, me popullatë multietnike e cila jeton aty me shekuj.

Multikulturalizmi nuk është kozmopolitizëm. Multikulturalizmi thotë: “Ne jemi të ndryshëm, por jetojmë bashkë.” Kozmopolitizmi kërkon një hap më tej – një distancim nga përkatësia etnike, fetare e lokale dhe ta shohësh veten para së gjithash si individ, jo si pjesëtar i një komuniteti.

Të parën Ulqini e ka pasur gjithmonë. Të dytën asnjëherë.

Një shoqëri e rrënjosur në traditat, fenë dhe identitetet e veta komunitare nuk bëhet kozmopolite vetëm sepse jeton pranë komuniteteve të tjera.

Ky term sugjeron që edhe popullata është kozmopolite. Kozmopolitët janë “qytetarët e botës”, njerëz të pangarkuar me etni dhe kufij, të hapur kundrejt të gjithë të tjerëve. Duke na e dhënë këtë emërtim, ne si pakicë ndihemi modernë, të sofistikuar dhe mendjehapur.

Por kozmopolitizmi nuk është sport për pakica etnike. Atë duhet ta luajnë popujt shumicë, sepse ata e kanë komoditetin ta zhveshin veten nga atributet kombëtare. Kur pakicat flasin për kozmopolitizëm, ato flertojnë me asimilim.

Asnjë qytet tjetër në Mal të Zi nuk e ka këtë etiketë. Popujt shumicë në Mal të Zi nuk e thërrasin veten kozmopolitë. Atë na kanë huazuar neve dhe ne, ashtu të vegjël dhe të shtypur, e kemi marrë si fëmija lodrën dhe mburremi me të. E kemi pranuar me dy duar dhe e përdorim si distinktiv (bexh) që ne s’jemi të ngarkuar me komb dhe identitet.

Harrojmë që kozmopolitizmi nuk jeton në Ballkan. Kur një pakicë si e jona shtiret kozmopolite, jo vetëm që duket qesharake, por krijon një realitet paralel i cili është shumë i dëmshëm.

Ballkani është ende vend ku “kur fiken dritat, nxirren thikat”. Në parlament kemi negatorët e gjenocidit dhe ata që festojnë kriminelët e luftës, kurse filmat në gjuhën shqipe nuk guxojnë të shfaqen në Podgoricë. Në këtë klimë, vetëprezantimi i shqiptarëve si kozmopolitë kufizohet me deluzion, sepse logjika e thjeshtë na mëson që “nuk luhet balet në xhungël”!

Treni për në asimilim kalon nëpër kozmopolitizëm. Multikulturalizmi → interkulturalizmi → kozmopolitizmi → asimilimi janë stacionet e tij.

Fillon në multikulturalizëm, një fenomen pozitiv, ku kulturat jetojnë pranë njëra-tjetrës, secila duke ruajtur karakterin e vet unik.

I servohet interkulturalizmi, i cili shkakton plasat e para në kulturën e një pakice. Nën vellon e interaksionit, dialogut ndërkulturor dhe transformimit të përbashkët fshihet dominimi i kulturës së shumicës ndaj pakicës. Interkulturalizmi i dobishëm kërkon paritet, madhësi të njëjtë kulturash. Kur një kulturë është më dominante se tjetra, ajo më e vogla pëson transformim. Është evidente se çka ndodh kur një kulturë autoktone dhe gjuhësisht unikate, e cila është vetëm 5% e popullatës, ushtron interkulturalizëm.

Pas sulmit të interkulturalizmit, kultura e pakicës mbetet e holluar, e zbehur dhe pa spirancën e vet identitare. Duke mbetur pa themel të shëndoshë, kalohet në kozmopolitizëm, një nocion që jep iluzionin e përkatësisë kulturore. Kozmopolitët thonë që u takojnë të gjithëve, që do të thotë se nuk i takojnë askujt. Të gjithë e dijmë që, kur je gjithçka, zakonisht nuk je asgjë.

Termat si “kozmopolitizëm”, “interkulturalizëm”, “shoqëri qytetare” janë SEDATIVË për pakicën shqiptare, që të jetë e qetë derisa pret në radhë për asimilim.

Kështu që, kur herën tjetër të dëgjojmë “Ulqini kozmopolit”, ndoshta duhet të ndalemi dhe të reflektojmë – duke dashur të bëhemi kozmopolita, mund të përfundojmë si kozmopodhita.

/*Marrë nga faqja e autorit në rrjetin social Facebook/

By admini

Leave a Reply