Në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, u shënua me dinjitet, emocion dhe respekt të veçantë 155-vjetori i lindjes së poetit, shkrimtarit, atdhetarit dhe kolosit të letrave shqipe, At Gjergj Fishta.

Programi përshkoi jetën dhe veprën e Fishtës përmes vargjeve të tij, interpretimeve artistike dhe kumtesave që sollën para të pranishmëve vlerat e tij letrare, historike dhe kombëtare.

Me kumtesat e tyre, veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës e ndriçuan: Dr. Nail Draga, Mr. Ali Bardhi, Dom Gabriel Gabrenica dhe Ardita Muça.

Një moment veçanërisht emocionues dhe historik ishte interpretimi i Himnit të Fishtës nga kori i shkollës sonë, për të cilin, sipas informacioneve tona, ky ishte interpretimi i parë nga një shkollë në Mal të Zi e më gjerë. Një ngjarje që na mbush me krenari dhe që do të mbetet një kujtim i veçantë për shkollën Bedri Elezaga.

Përmes këtij aktiviteti dëshmuam edhe një herë se shkolla nuk është vetëm vendi ku mësohen dituritë, por edhe vatër e ruajtjes së gjuhës, kulturës, historisë dhe identitetit tonë kombëtar.

Fishta nuk është vetëm pjesë e historisë sonë. Ai është zë që vazhdon të jehojë në gjuhën, kujtesën dhe shpirtin shqiptar.

Mirënjohje të gjithë kumtuesve, nxënësve, mësimdhënësve dhe pjesëmarrësve që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti,si Komuna e Ulqinit / Opština Ulcinj / Municipality of Ulcinj dhe Parking Servis Ulcinj-Ulqin.

Sepse një komb që nderon figurat e tij të mëdha, edukon brezat që do ta mbajnë gjallë kujtesën e tij!

/Marrë nga faqja e shkollës në rrjetoin social Facebook/

By admini