Nga Haxhi Zeneli
Për këtë temë kam shkruar edhe në vitin 2024, duke trajtuar vrasjet e grave shqiptare dhe duke menduar se nuk do të më duhej të rikthehesha përsëri te kjo plagë e shoqërisë sonë. Por ngjarja e fundit monstruoze në qytetin e Pejës më detyron ta rishkruaj këtë temë.
Marrja e jetës së një gruaje është një akt i rëndë dhe tronditës për çdo shoqëri. Të privosh fëmijët nga nëna e tyre, siç ndodhi sërish në Pejë, është një krim që na detyron të ndalemi e të mendojmë seriozisht: ku po çalon njerëzimi dhe pse kjo pjesë e mendësisë njerëzore duket se nuk po evoluon?
Për fat të keq, vrasjet e grave po marrin përmasa alarmante edhe në shoqërinë shqiptare. Ajo që po shohim sot nuk është thjesht një varg rastësor krimesh, por pasojë e një mentaliteti të rrënjosur thellë, që buron nga e kaluara dhe vazhdon të riprodhohet në të tashmen.
Për të kuptuar këtë fenomen, duhet të analizojmë pa dorëza raportin burrë-grua në shoqërinë tonë. Rolet gjinore, të cilat në thelb janë konstrukte shoqërore, vazhdojnë të trajtohen si një normalitet i pakundërshtueshëm. Kemi trashëguar një sistem mendësie ku burri shihet si pronar dhe gruaja si pronë. Kur një bindje e tillë mbizotëron, burri mund të krijojë ndjenjën e një pushteti absolut mbi partneren e tij, deri në atë pikë sa, në trurin e tij të errët, të besojë se ka të drejtë t’i marrë edhe jetën.
Kjo mendësi patriarkale ushqehet nga tradita të rrënjosura thellë, të cilat shoqëria jonë vazhdon t’i përcjellë nga brezi në brez. Kështu krijohet një zinxhir që lidh të vjetrën me të renë, duke e mbajtur gjallë pabarazinë brenda familjes dhe shoqërisë.
Edhe sot, pavarësisht ligjeve që garantojnë të drejta të barabarta, në mentalitetin tonë gruas shpesh i mohohet e drejta mbi pronën dhe pavarësinë ekonomike. Ajo nuk lejohet të kërkojë pjesën që i takon nga pasuria e familjes së saj të origjinës, me arsyetimin se “pronën e gjen te burri”.
Por, sipas kësaj mendësie, kur gruaja shkon në familjen e burrit, ajo duhet t’u nënshtrohet rregullave të asaj shtëpie. Nëse shpreh mendimin e saj ose kërkon të drejtat që i takojnë, shpesh përballet me paragjykime, fyerje dhe presion. Pikërisht këtu nis një pjesë e problemit: gruaja trajtohet si e huaj në familjen e burrit, ndërsa në rast konflikti, në vend që të mbrohet, mund të bëhet objekt i dhunës dhe përjashtimit.
Në këto rrethana, ligji shpesh anashkalohet dhe vendin e tij e zë një mentalitet i vjetruar, që shoqëria jonë vazhdon ta ruajë si një trashëgimi të shenjtë, edhe kur ai cenon dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Sipas këtij koncepti, gruas nuk i takon asgjë, as në familjen e saj të origjinës dhe as në atë të burrit. Kur ajo guxon të kërkojë atë që i takon, në disa raste përballet me pasoja tragjike, siç na kujton edhe rasti i Pejës.
Kjo varësi ekonomike dhe sociale e izolon gruan dhe e bën më të cenueshme ndaj dhunës. Fjala “burrë” në shoqërinë tonë ende përdoret shpesh si simbol i forcës, kontrollit dhe dominimit mbi gruan. Kjo mendësi ushqen seksizmin, duke e reduktuar femrën në një mjet pune, në një objekt seksual apo në një mjet për lindjen e fëmijëve, në vend që ta shohë si një individ me dinjitet, të drejta dhe aspirata të barabarta.
Duhet të kujtojmë se ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm te shqiptarët. Në mbarë botën, mijëra gra vriten çdo vit për shkak të gjinisë së tyre. Megjithatë, për një popull me numër të vogël, realiteti ynë është veçanërisht shqetësues. Ngjarja e fundit në Pejë është vetëm një emër tjetër në listën e gjatë të rasteve të femicidit që kanë tronditur shoqërinë tonë dekadave të fundit.
Atëherë, nga burojnë këto krime? Një pjesë e përgjigjes gjendet në shtëpitë tona, në mënyrën se si i edukojmë dhe i formojmë brezat e rinj. Për sa kohë vazhdojmë të rrisim djem me ndjenjën e superioritetit dhe vajza me ndjenjën e nënshtrimit, ne vetëm sa e zgjasim jetën e këtij problemi.
Këto stereotipe po na shkatërrojnë: fizikisht gratë, ndërsa psigjikisht edhe burrat, duke krijuar një shoqëri të mbushur me ankth, vuajtje dhe dhunë. Tragjedia e Pejës duhet të shërbejë si një alarm i fuqishëm për një zgjim kolektiv.
Nuk mjafton ta dënojmë krimin pasi ai ndodh dhe as ta kërkojmë drejtësinë vetëm te ligji, nëse shoqëria jonë nuk ndryshon mendësinë dhe konceptin e saj mbi gruan. Asnjë ligj nuk mund ta ndalë plotësisht dhunën, nëse brenda mendjes së keqbërësit vazhdon të jetojë bindja se gruaja është pronë dhe se jeta e saj mund të kontrollohet apo të merret prej tij.
Prandaj, ndryshimi duhet të nisë nga vetë ne, nga familjet tona dhe nga mënyra se si i edukojmë brezat e rinj. Duhet të ndërtojmë një shoqëri ku barazia, respekti dhe dinjiteti njerëzor të mos jenë vetëm fjalë në ligj, por vlera të rrënjosura në ndërgjegjen e çdo individi. Sepse, për sa kohë që nuk ndryshon mendësia që e lind dhunën, historia do të vazhdojë të përsëritet, ndërsa viktimat do të ndryshojnë

