xheladin zeneli

Nga Xheladin Zeneli

Dihet tashmë se si trevat shqiptare në Mal të Zi mbeten jashtë trungut etnik shqiptar me vendimet famëkeqe të Kongresit të Berlinit në vitin 1878 dhe me ate të Konferencës së Ambasadorëve ne Londër në vitin 1913.

Që nga ajo kohë,dhe pas aneksimit të tyre, trevat shqiptare kanë vazhduar të  parcijalizohen, nga regjimet e ndyshme, brenda Malit të Zi.Për dekada, shqiptarët janë përballur me ndarje administrative që kanë ndikuar në dobësimin e lidhjeve të natyrshme midis vendbanimeve të tyre.

Sipas të dhënave zyrtare të regjistrimit të vitit 2023, shqiptarët përbëjnë 4.97% të popullsisë së Malit të Zi në nivel shteti, ndërsa Ulqini dhe Tuzi  mbeten dy qendrat kryesore të popullsisë shqiptare. Përveç këtyre dy komunave shqiptarët janë prezent dhe kanë rrënjë historike gjithashtu edhe në Komunën e Tivarit (Kraja), Plavës, Gucis  dhe ate të  Rozhajës.

Shqiptarët në Mal të Zi janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me emigrimin, boshatisjen e vendbanimeve dhe dobësimin gradual të përdorimit të gjuhës si dhe asimilim kombëtar në disa zona ku ata gravitojnë si etni autoktone.Kur këtyre proceseve u shtohet edhe fragmentimi administrativ, atëherë pasojat mund të jenë edhe më të thella.

Çështja e organizimit territorial  lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si ruhet ose dobësohet kompaktësia demografike, territoriale dhe kulturore e shqiptarëve në trojet e tyre historike.Sepse kufijtë administrativë nuk janë thjesht vija në hartë. Ata përcaktojnë qendrat politike, ekonomike dhe institucionale me të cilat lidhen vendbanimet. Për një popullatë numerikisht të vogël, si shqiptarët në Mal të Zi, mënyra se si organizohet territori mund të ketë pasoja afatgjata.Prandaj për shqiptarët  duhet të jetë me e rëndësishme nëse një vendbanim shqiptar lidhet administrativisht me një komunë ku shqiptarët janë shumicë se sa me një komunë ku shqiptarët përbëjnë pakicë. Shembulli më i mirë i kësaj është treva e Krajës për të cilën do të bëhet fjalë më gjërë, më poshtë.

Pasojat e ndarjeve administrative të trojeve shqiptare në Mal të Zi ngrisin shqetësime serioze për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Bashkëngjitja e vendbanimeve me shumicë shqiptare në komunat e dominuara nga popullsia sllave  ka ndikuar në shkëputjen e lidhjeve të tyre territoriale, politike dhe institucionale me qendrat shqiptare.Kjo krijon  kushte për asimilim gradual dhe çkombëtarizim, duke e vështirësuar përfaqësimin politik, zhvillimin institucional dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve .

Ndryshimet territoriale dhe administrative që ndikuan në copëtimin e kompaktsisë etnike shqiptare 

Viti 1957 shënon një kthesë të rëndësishme në organizimin territorial të Republikës Popullore të Malit të Zi, në kuadër të Jugosllavisë socialiste. Reforma e asaj kohe ndryshoi mënyrën e organizimit të pushtetit lokal, duke shkrirë një numër të madh komunash të vogla dhe duke përqendruar kompetencat në komuna më të mëdha.

Për historinë e trevave shqiptare, kjo periudhë është veçanërisht e rëndësishme për të kuptuar ndryshimet në organizimin administrativ të Krajës, Anës së Malit, Ulqinit dhe Tivarit. Çfarë ndryshoi në vitin 1957?

Para reformës se këtij viti, ekzistonin shumë komuna lokale, përfshirë komuna të organizuara rreth vendbanimeve dhe krahinave tradicionale. Reforma e vitit 1957 e zvogëloi ndjeshëm numrin e tyre, deri në një sistem prej 20 komunash. Si pasojë e këtij riorganizimi të zonave administartive 

ish-rrethi i Tivarit u nda në komunat e Tivarit dhe të Ulqinit, dhe në këtë proces, Ostrosi (Kraja) ishte një ndër njësitë administrative që humbën statusin e mëparshëm dhe u përfshinë në komunën e Tivarit*. 

Procesi i ndarjes territoriale të shqiptarëve në Mal të Zi vazhdon edhe gjatë sistemit pluralist

Parcijalizimi i trevave shqiptare ka qenë gjithëmonë skenar dhe strategji e regjimeve të ndryshme në Mal të Zi.Fatëkeqësisht këto skenare të  ndarjes administrative dhe parcializimit te kompaktësisë territorriale të  vendbanimeve etno-gjeografike shqiptare, vazhdojnë edhe pas rënies së sistemit monist, pra gjatë kohës së Malit të Zi të ashtuquajtur demokratik. Shembulli më i mirë për këtë është Gucia e cila në emër të ligjit të atëhershëm për organizimin territorial në Mal të Zi, të vitit 2013 këtij vendbnimi iu dha statusi i komunës në vehte edhe përkundër faktit se Gucia,si në aspektin historik ashtu edhe ate etno-gjeografik, gjithëmonë ka qënë  pjesë e një territori kompakt me Plavën.Në vend që kjo hapësirë të shihet si një tërësi e përbashkët territoriale me lidhje të forta gjuhësore , kulturore  dhe historike, pas këtyre ndryshimeve, nga perspektiva e shqiptarëve, ajo është sot si një mozaik i fragmentuar administrativ.

Kraja- një hapësirë e lidhur natyrshëm me Anën e Malit dhe Ulqinin

Në këtë kontekst,pra në kontekstin e ndarjeve administartive, duhet parë edhe kërkesa, kohë më parë, e Forumit Shqiptar për krijimin e ‘komunës urbane të Krajës’ në kuadër të Komunës së Tivarit.Kjo kërkesë meriton një debat të hapur brenda faktorit politik dhe shoqëror shqiptar, sepse një organizim i tillë,mund të prodhojë efekt të kundërt me interesin e ruajtjes së homogjenitetit dhe kompaktësisë territoriale shqiptare.

Kjo është arsyeja pse debati për Krajën si ‘komunë urbane’ eventuale e Tivarit,  duhet të trajtohet sipas tezës se asaj se a po ndërtohet një organizim territorial që forcon apo dobëson pozitën kolektive të shqiptarëve në këtë hapësirë?

Nëse qëllimi është forcimi i pozitës së shqiptarëve, atëherë duhet të shqyrtohen të gjitha alternativat: lidhja administrative me Ulqinin, një status i veçantë brenda strukturës ekzistuese, apo forma të tjera të vetëqeverisjes lokale që garantojnë zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit të Krajës.Por një gjë është e qartë: çdo zgjidhje që e largon Krajën nga hapësira natyrore politike, ekonomike dhe shoqërore shqiptare e Ulqinit duhet të analizohet me shumë kujdes.

Pra pyetja që nuk mund ti shmangemi dot është se pse Kraja duhet të jetë njësi administrative e Tivarit, kur lidhjet e saj historike, gjeografike dhe kombëtare e afrojnë natyrshëm me Ulqinin?Kraja është një hapësirë shqiptare me lidhje të fuqishme historike, kulturore dhe shoqërore me trevat e Komunës së Ulqinit. Çështja e Krajës nuk duhet të përdoret vetëm si instrument i politikës ditore.Duhet të bëhet një debat i dokumentuar mbi historinë, demografinë, gjeografinë dhe nevojat reale të popullsisë.Duhet të krahasohen modelet administrative të së kaluarës me realitetin e sotëm dhe të dëgjohet drejtpërdrejt zëri i banorëve të Krajës.Pra,në vend që Kraja të mbetet objekt i vendimeve të marra nga qendra të tjera administrative, debati duhet të përqendrohet tek vetë banorët e saj.

Gjatë 36 viteve te pluralizmit politik në Mal të Zi, nuk ka pasur asnjë kerkesë zyrtare nga asnjë subjekt politik shqiptar lidhur me ate që Kraja si njësi administrative ti bashkohet Komunës së Ulqinit.Pse lidhja me Ulqinin meriton të rishikohet?

Siç e përmendëm edhe më lart, Kraja ka lidhje historike, familjare, ekonomike dhe kulturore me Ulqinin dhe në veçanti me Anën e Malit.Është  e padrejtë të shkëputësh administrativisht një hapësirë të tillë nga qendra shqiptare më e afërt dhe ta vendosësh në një strukturë tjetër administrative.Pikërisht për këtë arsye, çështja e statusit administrativ të Krajës meriton të hapet si një debat serioz publik dhe institucional: a është më logjike që Kraja të vazhdojë të jetë e lidhur administrativisht me Tivarin, qoftë kjo edhe përmes të ashtuquajturës ‘komunë urbane, apo lidhjet e saj natyrore me Ulqinin duhet të marrin një rëndësi më të madhe në një reformë të ardhshme territoriale?. Mendoj se lidhjet e Krajës me Ulqinin duhet të jenë një nga alternativat kryesore.

Nga parcializimi drejt një strategjie të përbashkët

Është koha që faktori politik shqiptar në Mal të Zi të ketë një strategji kombëtare shqiptare për organizimin territorial, e cila do të përfshijë të gjitha hapësirat ku shqiptarët kanë prani historike dhe janë autokton në trevat e tyre që sot administrohen nga Mali i Zi. Sepse nëse secila zonë trajtohet e shkëputur nga tjetra, atëherë humbet kuptimi i tërësisë.Një popull i vogël nuk e ka  luksin e politikës së copëzuar.Do të ishte politikisht naivitet të mos analizohet efekti afatgjatë i çdo ndryshimi territorial mbi strukturën demografike, politike dhe institucionale të shqiptarëve.

Prandaj, politika shqiptare duhet të ketë një strategji të qartë për popullin e vet,zhvillimin ekonomik, arsimin në gjuhën shqipe, infrastrukturën, forcimin e institucioneve lokale dhe lidhjet e natyrshme ndërmjet vendbanimeve shqiptare dhe me këtë edhe ruajtjen e identitetit dhe qënies së tyre kombëtare.

Tetor 2026

By admini

Leave a Reply