Shkruan: Esat Mehmeti

Të nderuar familjarë të të ndjerit, Qani Osmani !
Të nderuar kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë!
Të nderuar të pranishëm!

Ka momente në jetë kur njeriu ngrihet për të folur dhe përpiqet të gjejë shprehjen e duhur dhe sado të bukura të jenë, duken të vogla përballë asaj që ndiejmë në zemër. Them këtë se kujtimet, malli dhe dhimbja e bëjnë të vështirë çdo fjali.

Është e vështirë të pranosh se një njeri me të cilin ke ndarë biseda e mendime, e ai nuk do të jetë më pjesë e takimeve të tua.

Qani Osmani u largua nga kjo botë në një moshë kur njeriu ende ka shumë për të dhënë. Një moshë kur përvoja është pjekur, mendimi është thelluar dhe fjala ka fituar peshën e viteve.

Andaj, jemi këtu sonte.

Për të kujtuar. Për të nderuar. Për të dëshmuar se jeta e Qani Osmanit dhe ajo që ai la pas kanë vlerë për ne.

Unë, Qani Osmanin e kam njohur në Prishtinë si student. Mandej shoqërinë e thelluam në Ulqin. Me Qaniun na kanë lidhë mendimet, idetë, na ka lidhur jeta, po dhe hallet e përbashkëta.Them hallet se të dy fillimet e karieres i kem i nisur në arsim, por regjimi i atëhershëm të dyve na larguan nga puna dhe për disa vite jemi rrapatur pa punë dhe pse ishim familjar. Megjithatë, shoqëria jonë ka ardhur gjithnjë e më shumë duke u forcuar dhe kohëve të fundit, pothuar çdo ditë pinim kafën e mengjesit së bashku unë e ai dhe Naili.

Pikërisht në ditën e kombshme, si zakonisht kishim lanë takimin për kafen e mengjesi.Qaniu ishte i përpikët në orarin e caktuar, por  atë ditë nuk erdhi. Prita pak dhe e telefonova dy-tri herë, por nuk m’u përgjigj !.

Pas disa orëve , rastësish takohem me një shok dhe ashtu me një gjysmë zëri me pyeti: he a din gjë për Qaniun, si ashtë?, duke menduar se unë e di.Ai duke njohur miqësinë tonë, u mundua të ruaj mësheftësinë dhe nuk me dha sqarime më shumë, por me tha se Qani nuk është diçka mirë. Unë u shtanga, dhe e nënkuptona se diçka i ka ndodhur. Më vonë u njoftuam se Qani Osmani kishte ndërruar jetë.

Të nderuar të pranishëm,

Sonte jemi mbledhur për të kujtuar një njeri që u largua papritur nga kjo jetë.

Jemi mbledhur në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, por edhe në një ditë që na jep mundësinë të rikthehemi te mendimi, te fjala dhe te vepra që ai na la pas.

Sonte kujtojmë Qani Osmanin në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, por edhe promovimin e librit të tij “Shkruaj,sepse ekzistoj“ një titull që, sot më shumë se kurrë, tingëllon si një mesazh, si një dëshmi dhe si një testament intelektual.

Andaj,

Për mua, kjo është një mbrëmje e veçantë:

E veçantë për dy arsy?

Arsyeja e parë; është se ndij dhimbje për shokun tim, Qani Osmani dhe

Arsyeja e dytë; është se jemi krenar për punën dhe kontributin e tij.

Miku ynë u largua fizikisht nga kjo jetë, por nuk u largua nga bota e mendimit, nga kujtesa jonë dhe nga ajo që la pas.

Të flasësh për të sot, për mua, nuk është vetëm një fjalë rasti. Është, para së gjithash, një përgjegjësi njerëzore ndaj një shoku që e kam çmuar, një intelektual që e deshi jetën dhe fjalën e lirë.

Kur humbet një mik, humbet një pjesë e bisedave të tua, e kujtimeve të tua, e historisë personale.Humbë dikë me të cilin ke ndarë mendime, shqetësime, vlerësime dhe çaste që ndoshta, në kohën kur i ke jetuar, nuk e ke ditur se një ditë do t’i kujtosh me kaq mall.

Sonte nuk dua të flas vetëm për vdekjen e tij. Dua të flas për jetën e tij. Për atë që ishte, për atë që përfaqësonte dhe për atë që do të vazhdojë të jetë për ne.

Të nderuar të pranishëm,

Sonte nuk jemi mbledhur vetëm për të kujtuar një njeri që na mungon.Jemi mbledhur edhe për të dëshmuar se ajo që ai krijoi, meriton të respektohet. Për ne, miqtë e tij, ai nuk ishte vetëm sociologu, publicisti apo kryeredaktori i një gazete.

Ai ishte njeriu me të cilin mund të ndajë një mendim, një shqetësim, një kujtim apo një bisedë miqësore.Qani Osmanin do ta përshkruaj me pak fjalë: ishte një njeri i qetë, i sinqertë dhe një intelektual i guximshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Promovimi i libri të tij në këtë njëvjetor ka një domethënie të veçantë. Libri që promovojmë sonte duhet parë si një pjesë e trashëgimisë intelektuale të autorit dhe si një mundësi për ta njohur më mirë mendimin e tij.

Promovimi i librit është një akt respekti ndaj autorit, një kontribut për kujtesën tonë kulturore dhe një dëshmi se vepra e tij meriton të mbetet pjesë e bisedës sonë intelektuale, duke ruajtur dhe përcjellë një pjesë të çmuar të punës së tij.

Në një mbrëmje si kjo, dua t’i drejtohem edhe familjes së tij

Të nderuar familjarë të Qani Osmanit. E di se asnjë fjalë e thënë sonte nuk mund ta mbushë boshllëkun që ka lënë njeriu juaj i dashur. Por shpresoj që kjo natë t’ju sjellë sadopak ngushëllim, duke ju dëshmuar se ai nuk kujtohet vetëm nga familja e tij, por edhe nga miqtë, kolegët dhe njerëzit që e kanë çmuar.Dëshiroj që prania jonë sonte t’ju përcjellë një mesazh të sinqertë: Qani Osmani nuk është harruar.

Qani Osmani ka lënë pas jo vetëm kujtime familjare, por edhe një trashëgimi njerëzore e intelektuale që vlerësohet dhe respektohet.

I dashur miku im, Qani Osmani !

Po flasim për jetën tënde. Për punën tënde dhe për atë që na ke lënë.

 Po kujtojmë një vit që ka kaluar pa praninë tënde, por jo pa kujtimin tënd.

Një vit pa bisedat tona.

Pa mundësinë për të të thënë edhe shumë gjëra që koha nuk na i lejoi.

POR, ka një padrejtësi të heshtur që e sjell ndonjëherë jeta: njerëzit që kanë ende shumë për të dhënë, që kanë mendime për të shprehur, libra për të shkruar, ide për të zhvilluar dhe plane për të realizuar, largohen para kohe!.

Sonte, në këtë përkujtim, do të dëshironim të ishe mes nesh.

Do të dëshironim të dëgjoje fjalët që po thuhen për ty dhe të shihje librin tënd në duart e njerëzve që kanë ardhur për të nderuar.

Do të donim të kishe pasur më shumë kohë.

Më shumë vite për të jetuar.

Më shumë faqe për të shkruar.

Më shumë ide për të zhvilluar dhe më shumë çaste për të ndarë me njerëzit e tu të dashur.

Por jeta nuk na pyet gjithmonë sa kohë na duhet për t’i përfunduar ëndrrat tona?!

Miku im, sonte nuk mund të ta shtrëngoj dorën, por mund të flas për ty.

Nuk mund të zhvillojmë më bisedat tona, por mund të ruajmë mendimet që na bashkuan.

Dhe kjo është mënyra jonë për të thënë se nuk të kemi harruar.

Qani Osmani të kujtojmë me respekt për atë që ishe dhe për atë që na le.

U prehsh në paqe, miku im!

Kujtimi yt qoftë i përhershëm!

Ju faleminderit për vëmendjen!

(Fjalë rasti në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Qani Osmanit dhe promovimin e librit të tij”Shkruaj, sepse ekzistoj”,mbajtur,në Ulqin, më 1 nëntor 2026)

.

.

By admini

Leave a Reply