
Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka reaguar ashpër ndaj incidentit të ndodhur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Xhada” në Podgoricë, ku u ndërpre shfaqja e filmit “Lejleku” të regjisorit të njohur Isa Qosja, për shkak se filmi ishte në gjuhën shqipe, shkruan Ulqini Online.
Në një deklaratë për media, kjo forcë politike shqiptare e ka cilësuar ngjarjen si “një shfaqje të hapur të nacionalizmit antishqiptar dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj të drejtave kushtetuese të shqiptarëve në Mal të Zi”.
Sipas deklaratës, mohimi i artit dhe kulturës në gjuhën shqipe “është mohim i vetë identitetit kombëtar dhe cenon themelet e një shoqërie demokratike e multietnike”.
LD shprehu indinjatën dhe shqetësimin e thellë për këtë rast, duke u bërë thirrje institucioneve shtetërore që të marrin masa ndaj organizatorëve dhe të garantojnë respektimin e gjuhës dhe kulturës shqipe si gjuhë zyrtare e vendit.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të reagojnë me seriozitet, duke ndëshkuar organizatorët e këtij incidenti dhe duke garantuar që gjuha dhe kultura shqipe të respektohen pa kompromis”, thuhet në reagimin e partisë.
Po ashtu, Lidhja Demokratike u ka bërë apel miqve ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimit Evropian, që të ndjekin nga afër rastin dhe të sigurojnë mbrojtjen e standardeve demokratike.
Në fund, kjo parti rikujtoi se shqiptarët në Mal të Zi kanë dhënë një kontribut të çmuar për kulturën dhe jetën shoqërore të vendit, ndërsa çdo përpjekje për t’i heshtur e margjinalizuar “nuk do të ketë sukses”.
Deklarata mban firmën e kryetarit të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, z. Saubih Mehmeti.
