
Komuna e Ulqinit ka reaguar publikisht pas konstatimit të ndërhyrjeve të paligjshme në kanalin Bratica, në zonën e Bulevardit Teuta, pranë një objekti në ndërtim nga shoqëria tregtare “HDL Lakoviq”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli të realizuar më 26 maj 2026 nga zyrtarët e Sekretariatit për Mbikëqyrje Komunale dhe Punë Inspektuese, është konstatuar se në këtë lokacion po zhvilloheshin punime pa dokumentacionin e nevojshëm dhe pa pëlqimin e institucioneve kompetente. Këto ndërhyrje, siç thekson Komuna, janë në kundërshtim me ligjet në fuqi që rregullojnë menaxhimin e rrjedhave ujore, infrastrukturën komunale dhe pronën shtetërore, transmeton Ulqini Online.
Për shkak të seriozitetit të situatës dhe rrezikut që ajo paraqet për interesin publik dhe mjedisin, inspektori kompetent ka marrë vendim të menjëhershëm për ndërprerjen urgjente të të gjitha punimeve në terren. Vendimi fillimisht është dhënë në formë verbale dhe më pas është formalizuar me shkrim.
Investitorit i është lënë afat prej 72 orësh që të rikthejë hapësirën në gjendjen fillestare. Ky detyrim përfshin largimin e materialit të hedhur dhe sanimin e pjesës së dëmtuar të kanalit. Nga Komuna paralajmërohet se, në rast mosrespektimi të urdhrit, do të ndërmerren masa të mëtejshme administrative në përputhje me ligjin.
Në ditët pas ndërhyrjes së inspektoratit, autoritetet komunale kanë zhvilluar kontrolle të përditshme në vendngjarje me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të reja të paligjshme dhe mbrojtjes së mëtejshme të këtij objekti të rëndësishëm hidrologjik.
Gjatë kontrollit të datës 29 maj, është konstatuar se investitori kishte filluar zbatimin e urdhrit, përkatësisht largimin e materialit dhe sanimin e pjesshëm të zonës së prekur.
Komuna e Ulqinit ka theksuar se kanali Bratica ka një rëndësi të veçantë për sistemin e kullimit të ujërave atmosferike dhe për mbrojtjen e zonave përreth, ndaj çdo ndërhyrje e pakontrolluar mund të ketë pasoja serioze infrastrukturore dhe ekologjike.
Në këtë drejtim, bëhet e ditur se të gjitha veprimet e ndërmarra nga shërbimet komunale janë kryer në përputhje me autorizimet ligjore dhe me synimin për të mbrojtur interesin publik. Po ashtu, investitori është udhëzuar për procedurat që duhet të ndjekë nëse synon të kryejë ndërhyrje të ardhshme në këtë zonë, duke përfshirë sigurimin e të gjitha lejeve përkatëse.
Si pjesë e hapave të mëtejshëm, Komuna ka paralajmëruar formimin e një komisioni të posaçëm profesional, i cili do të analizojë gjendjen e përgjithshme të kanalit Bratica, evidentojë parregullsitë përgjatë tij dhe propozojë masa konkrete për rehabilitimin dhe mbrojtjen afatgjatë.
Autoritetet komunale kanë theksuar gjithashtu se do të vazhdojnë të reagojnë pa kompromis ndaj çdo shkeljeje ligjore, si nga persona fizikë ashtu edhe juridikë, duke theksuar se zbatimi i ligjit do të jetë i barabartë për të gjithë, pa përjashtime.
Në reagimin e tyre, nga Komuna kanë refuzuar të komentojnë interpretimet politike lidhur me rastin, duke nënvizuar se institucionet veprojnë ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe standardeve profesionale.
Në fund, Komuna e Ulqinit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe palëve të interesuara që çdo pretendim apo ankesë ta adresojnë përmes institucioneve kompetente dhe procedurave ligjore, duke garantuar se mbrojtja e interesit publik dhe e pasurisë shtetërore do të mbetet prioritet kryesor në veprimtarinë e saj.
