Nga Hajrullah Hajdari

Për origjinën e shqiptarëve të sotëm kanë shkruar shumë autorë shqiptarë dhe të huaj. Natyrisht konkluzionet e tyre janë të ndryshme, si për origjinën ashtu edhe për shtrirjen e tyre.  Për origjinën e shqiptarëve dhe shtrirjen e tyre kanë shkruar edhe shumë autorë sllavë, në mesin e të cilëve është  edhe autori Aleksa Gj.Bogosavljeviq. Ai në vitin 1897, në Nish, botoi librin „O Arnautima“ („Mbi Shqiptarët“). Vështrimi i këtij autori për shqiptarët është tejet interesant për origjinën, ngjashmëritë, dallimet, përzierjet e serbëve dhe të tjerëve në punët e shqiptarëve dhe nevojën që dallimet dhe mosmarrëveshjet brënda tyre të zgjidhen me marrëveshje dhe lidhje të sinqerta bashkëpunimi e jo me luftra, hakmarrje e derdhje gjaqësh, është edhe sot e kësaj dite aktual. Edhe pse libri u shkrua 130 vite më parë, fatkeqësisht kërkesat e serbëve për zgjidhjen e çështjës shqiptare në Kosovë mbetën po ato të njëjtat. Mosnjohja reciproke dhe dëshira për mbizotërimin e tokave shqiptare, kërcnimet me armë e gjakderdhje  në mes popullit serb e shqiptar, për të njëjtet motive ndër vite, minojnë zgjidhjen e rrezikojnë paqën, jo vetëm në Kosovë.

  • Njohja e gjuhës, mënyrës së jetesës dhe zakoneve të shqiptarëve

Autori në parathënien e librit konstaton se „gati çdoherë, e keqja nga shqiptarët, na ka ardhur sepse nuk i njohim, ose shumë pak i njohim, edhe pse ato ishin fqinjët tanë më të afërt që nga kohrat më të lashta“! Ai shprehet se shumë shqiptarë janë të gjakut të tyre! „Ne me shumë shqiptarë për nga gjaku jemi fis, ndërsa vllezër nga vuajtjet…“, Duke qenë kaq të afërt, thekson ai, ne do të kishim mënyra të shumta që me shqiptarët të lidhim marrëdhënie vëllazërore dhe lidhje të sinqerta miqësore. Ai mendon se një ndër mënyrat më të mira është që të përgaditen disa të rinj që të mësojnë gjuhën shqipe, mënyrën e jetës dhe zakonet e shqiptarëve duke shtuar se „me njohje të tillë, besoj se lidhjet miqësore në mes të serbeve dhe shqiptarëve do të bëhen të sinqerta dhe të forta….“! Ai shton se serbët flasin dhe po mesojnë shumë gjuhë të huaja, ndërkaq „…ne nuk kemi asnjë, së paku sipërfaqësisht e mos të flasim shkenctarisht, që e flasin gjuhën e këtij populli, e të cilin e kemi gjakatar nga mosnjohja e jonë dhe përzierjet tona dhe atyre nga jashtë“. Është më se e nevojshme, thekson autori, që sa më parë të afrohemi më shumë me njëri-tjetrin dhe të arrihet një marrëveshje, dhe shton: “Atëherë nuk do të duhet shumë politikë dhe agjitacion. Në të kundërtën, nuk duhet të hidhërohemi nëse vazhdojmë me neglizhencën tonë. Të zgjidhësh me armë çdo mosmarrëveshje me ata, do të thotë vetëm: të hakmerremi, të biem nga gjaku në gjak dhe asgjë tjetër” thekson autori  dhe përfundon: “Mjaftë kemi pasur zvarritje dhe kemi humbur kohë në gjëra të tjera të kota. Është koha për t’i rregulluar që të gjitha dhe për të filluar punën për përfitim të vërtetë, e për këtë është e nevojshme së pari të njohim vetën tonë, popullin tonë, pastaj mënjëherë fqinjët tanë”.

Nëse i analizojmë me vëmendje të gjitha mendimet e autorit veç e veç e të gjitha së bashku, me situatën e sotme politike në Kosovë dhe marëdhëniet në mes të këtyre dy popujve, do të vërejmë se populli serb nuk ka lëvizur aspak nga aspiratat e tyre zaptuese dhe mbizotëruese ndaj popullit shqiptar. Ata edhe sot mendojnë se shqiptarët janë i një gjaku me serbët edhe pse faktet historike janë të qarta: shqiptarët janë pasardhësit direkt të trungut antik të gadishullit ilirik ndërsa serbet (sllavet në përgjithësi) janë ardhacak në këto troje dhe dyndja e tyre, nëpërmes Karpateve në Ballkan ka ndodhur jo më parë së në shekullin IV (gjer në shkullin VII) të epokës sonë. Pas shfrytëzimit pothuajse 90 vjeçar të të gjitha resurseve natyrore, ekonomike dhe njerëzore në mënyrë të paskurpullt, me elemente gjenocidiale, dhe luftës barbare të vitit 1998-99, populli shqiptar i Kosovës, me përkrahjen e Evropës Perendimore, SHBA-ve e shumë të tjerëve, më në fund u fut në luftë me serbët zaptues dhe doli fitues. Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ndërkombëtarët e njohën Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran me kufijtë shtetëror të njohura me Kushtetutën e vitit 1974. Por serbët vazhdojnë me avazin e vjetër, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, i injorojnë shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare! Projekti i Çubrilloviqit për shqiptarët është tash më i njohur, serbet, edhe sot, veprojnë sipas atij projekti! Por, të njëjtin fiksim e kishte pas edhe autori i librit i cili në parathënien e librit  “O Arnautima”   u sygjeron serbeve: “Nuk ka serbi rrugë më t’mirë, edhe sikur të takohet me fatin më të mirë, veç se të përqafojë Arnautin, për t’arritur qëllimin e tij”! Pra qëllimi i serbëve ishte dhe akoma është të sundojë tokat arbrore duke e konsideruar Kosovën si djepin e Serbisë!

  • BE-ja dhe SHBA-ja kërcnimeve të Vuçiqit përfundimisht duhet t’u thonë:STOP!

Kaluan më shumë se 22 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë e 15 vite nga pavarësia e saj, ndërkaq, mundësitë e shumta, përpjekjet e ndërkombëtarëve për ndërgjegjësimin e serbëve për vëndosjen e marrëdhënieve vëllazërore dhe lidhjeve të sinqerta po deshtojnë. Sot në Kosovë gjendja është e trazuar, rrugët në pjesën veriore të shtetit të Kosovës janë bllokuar nga serbet! Vuçiqi përgaditet e kërcenon me luftë, Kosova, për shkaqe sigurie, i ka mbyllur kufijtë ndaj Serbisë, stabilitet politik nuk ka. Përkundër tentativave të ndërkombëtarëve për qetësimin e situatës, thirja e Vuçiqit drejtuar serbeve të Kosovës, dhe jo vetëm atyre,  e ashpërsonë edhe e rrezikonë edhe më tepër  rendin dhe qetësinë në Kosovë. Siç thotë autori i librit të përmendur zgjidhja e mosmarrëveshjeve me armë s’do të thotë tjetër veç se hakmarrje. Thirja për luftë do të thotë se serbët përseri dishorjnë të derdhet gjak në Kosovë!  Përseri gjak dhe asgjë tjetër sepse Kosova është shtet i pavarur ndërkombëtarisht i njohur, ndaj Serbia s’ka çka të kërkojë më në Kosovë! Ata duhet të angazhohen në vazhdimësi për lidhje të sinqerta e miqësore në mes të këtyre dy shteteve sovrane, për t’u dhënë fund pretendimeve territoriale sepse çdo gjë në këtë drejtim ka marrë fund. Serbët vetëm ashtu mund ta heqin nga shpina e tyre barrën e rëndë që quhet Kosovë, sepse edhe atyre u kushton shumë!

Shqiptarët nuk duan luftë, ato duan paqe dhe zhvillim. Por, nëse janë të detyruar do të mbrohen si gjatë gjithë historisë së tyre, “dy duar për një kokë” thotë populli. Shqiptarët nuk sulmuan asnjëherë gjatë historisë ndonjë komb apo shtet tjetër, ato vetëm u mbrojten dhe u rezistuan të gjitha agresioneve ndër mote. Virtytin mbrojtës të shqiptarëve e thekson edhe autori i librit në fjalë. Në parathënje të librit thot: “Arnaut o trim (hero) gjigant, e keqja nga të gjitha anët po ju vjen, por në gjakun heroik të tyre as një pikë gjaku turk nuk ka” ! Ndërsa sot me krenari mund të themi se në gjakun e shqiptarëve as një pikë gjaku serb nuk ka dhe s’do të ketë. Shqiptarët nuk kanë pretendime territoriale ndaj serbëve, ata kanë pretendime zhvillimore.Pavarësia e Kosovës është garantuar nga ndërkombëtarët. Por, kaluan 15  vite dhe kërcenimi i Serbisë sa vjen e shtohet! Shiptarët nuk janë të qetë, nuk bëjnë jetë normale, përkundër pavarësisë së shpallur! Evropa dhe SHBA-ja kontribuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ndaj kanë obligim që të krijojnë kushte normale për jetësimin e pavarsisë së saj. Është koha që kërcënimeve të Serbisë për rikthimin e ushtrisë së tyre në Kosovë, së fundmi t’u thuhet STOP! Serbët duhet t’i thrasin arsyes e të pranojnë realitetin. Ndërkombëtarët po ashtu, sa nuk është vonë, duhet të marrin masat e duhura e të bëjnë realitet mundin e sakrificën, jo të vogël të tyre. Kaluan shumë e shumë vite e marrëdhëniet e këtyre dy shteteve të pavarura, fatkeqësisht janë akoma në fillim të rrugëtimit.

Nuk dua të besoj se ndërkombëtaret nuk duan ose me qëllim po e zvarrisin zgjedhjen përfundimtare të çështjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo është e pamundur sepse investimi i tyre gjatë gjithë këtyre viteve është i madh. Megjithate, me shkoi ndërmend një artikull i gazetës “HYLLI I DRITES” (nr.10/1913) në të cilin thuhet: Tash, per n’kjoftë se kto fjalë janë t’verteta e se Qeveriet e Shteteve t’gjytetnueme e kostitucijonal janë t’shprehunt ( l’sxpression) e popullit, do t’thot se shoqnia e sodshme e Europës gjindet fort e ligshtë e e shkatrrueme, pse ndera e burrit sod n’europë janë lanë teper mas doret. Për me u vertetue mii kët fjalë, mjaft asht me vrojtun me syy t’papajamjtshem e, si thonë, me gjak të ftoftë vepren,  qi Evropa kaa zhdrivullue n’Shqypni mas luftës s’Ballkanit e tek tej.

……Veç shka se Sllavt e Ballkanit e Grekt e jugut nuk i vuun vesh ktii gjyqit t’Europës e ngujuen nder vende t’pushtueme Shqypniës: Grekt deer n’Vlonë, Serbt n’Durrës e Malazezt per rreth Shkodres, paa e marrë n’dorë as pak punën e Europës”.  E kështu edhe sot, serbët s’po çajnë kokë për Evropën! Pra topi është në duart e BE-së dhe SBA-ve, por edhe të popullit shqiptar në Kosovë.

By admini