Në një njoftim të datës 13 Dhjetor, 2022, Këshilli Amerikan për Arsimin Ndërkombëtar About | American Councils me qendër në Washington njoftoi se, javën që kaloi, i ka ndarë Fondacionit Biberaj,  Çmimin për vitin 2022: the “Visionary Award in International Education”, për mbështetjen e tyre të rëndësishme të Bursave të Studimeve Master dhe Internship (MIP).  Çmimi nderon organizatat ose individët që japin kontribute të rëndësishme dhe që tregojnë një angazhim të jashtëzakonshëm në mbështetje të arsimit ndërkombëtar, thuhet, ndër të tjera, në njoftimin për media të organizatës “American Councils for Interrnational Education”. Ashtu si edhe Fondacioni Biberaj, fituesit e çmimeve të kësaj organizatë, shërbejnë si frymëzim për komunitetin tonë duke çuar më tej mundësitë për studentët, për të zbuluar përvoja të reja të të mësuarit dhe të zhvillimit profesional të tyre, theksohet më tej në atë njoftim.

Pak histori: Fondacioni Biberaj Inc, i themeluar si organizatë jo-fitimprurëse në vitin 2017 në Sh.B.A, ofron mundësi arsimore për studentë të kualifikuar me origjinë shqiptare, që jetojnë në Ballkan, për të marrë asistencë bursash për studime në programe bachelor dhe master, që çojnë në një nga diplomat përkatëse, në kolegjet dhe universitet e Shteteve të Bashkuara.  Në vitin 2017, Fondacioni Biberaj filloi bisedimet me Këshillat Amerikane dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), për t’u ofruar profesionistëve të rinj shqiptarë dhe udhëheqësve të ardhshëm shqiptarë, një mundësi unike zhvillimi në një sërë fushash profesionale, duke përfshirë bujqësinë, administratën e biznesit, shkencat kompjuterike, shëndetin publik dhe administratën publike, nëpërmjet programit Master dhe Internship (MIP).

Duke pranuar Çmimin në emër të Fondacionit Biberaj, Buta Biberaj, Prokurore në Qarkun Loudon të shtetit Virxhinia falënderoi Këshillat Amerikanë për ndihmën që kanë dhenë, “për të bërë realitet vizionin e familjes tonë për dhënien e mundësive studentëve shqiptarë për të ndjekur studimet e larta post-universitare në Shtetet e Bashkuara.”

Prokurorja shqiptaro-amerikane në shtetin Virxhinia, Buta Biberaj, u shpreh në emër të familjes dhe të Fondacionit Biberaj se, “Shpresa e familjes sonë është që studentët shqiptarë të diplomuar, e që përfitojnë nga këto bursa, do të mësojnë dhe do të marrin më të mirat nga përvoja e tyre në Amerikë. Ashtuqë të këthehen në Shqipëri, ku t’i mbjellin ato përvoja si të thuash si farën e mirë, të cilën do e shohim të rritet me kohë dhe pastaj të çmohet si diçka e vlefshme, nga e cila do të përfitojë i mbarë kombi shqiptar”, citohet të jetë shprehur Buta Biberaj.

Prokuroja Buta Biberaj në fjalën e saj falënderuese ndaj organizatës “American Councils for Interrnational Education”, në ceremoninë e javës së kaluar të ndarjes

së çmimit Fondacionit Biberaj, ka thenë gjithashtu se, “Familja jonë është e vendosur të bëjë ç’është e mundur për të kontribuar për Amerikën dhe për Shqipërinë. Jemi shumë të nderuar që kemi mundësinë të jemi pjesë e këtyre mundësive të mrekullueshme”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq, duke folur rreth ndikimit të programit MIP, zëvendës-Drejtoresha Ekzekutive e American Councils for International Education, Lisa Choate, ka thenë se, “Këshillat Amerikanë për arsim ndërkombëtar janë me fat që kanë partnerë po aq të jashtëzakonshëm siç është edhe Fondacioni Biberaj. Kontributet e tyre kanë krijuar mundësi të rëndësishme për profesionistë të niveleve dhe fushave të ndryshme, individë që janë të përkushtuar ndaj zhvillimit të ardhshëm të Shqipërisë”, ka theksuar në fjalën e saj Lisa Choate, përfaqsuesja e organizatës American Councils for International Education. 

Në njoftimin për media thuhet se deri më sot, Programi MIP ka financuar 32 bursa për studentët shqiptarë në institucione prestigjoze të arsimit të lartë në Shtetetet e Bashkuara të Amerikës siç janë: Universiteti i Nju Jorkut, Universiteti Cornell, Universiteti Bentley, Universiteti Brandeis, Universiteti i Minesotës, Universiteti Syracuse, Universiteti Vanderbilt dhe Universiteti i Karolinës së Veriut, Chapel Hill.

Më në fund, në njoftimin për mediat, Këshilli Amerikan për Arsim Ndërkombëtar shprehet mirënjohës për mbështetjen e dhenë nga Fondacioni Biberaj dhe për bashkëfinancimin e programit MIP, në mënyrë që studentët post-universitarë nga Shqipëria të mund të ndjekin arsimin e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Familja Biberaj është e njohur këtu në Amerikë – ndër të tjera — si një familje filantropiste dhe ndër familjet shqiptaro-amerikane që ka konntribuar në shumë fusha ndaj vendit tonë të adaptuar — Amerikës tonë të bekuar ku kemi gjetur lirinë dhe të drejtat tona si shqiptarë të arratisur nga regjimi komunist enverist — siç është familja Biberaj — por kontribuese gjithashtu edhe ndaj vendeve tona të origjinës, Shqipërisë dhe Kosovës tonë të dashur.

By admini