Cikli “Shasi i lashtë, monument i kulturës“, tema I.
Nga Mr. Aleksandar Çilikov
Rezultatet dhe rëndësia e hulumtimeve arkeologjike të Qytetit të Vjetër të Shasit
Përkthyer nga Ismet Kallaba
Mbi bregun e majtë të lumit Buna shtrihet Mali i Taraboshit dhe kurora Maja e Galiqit, kurse nën to shtrihet famullia e dikurshme Obliqus, e cila deri më sot e ka ruajtur emrin si fshati Oblikë, në afërsi të lumit të lartpërmendur. Oblika-Obliqus bën pjesë ndër famullitë e vogla dhe të vjetra të larta të Duklës. Në anën e saj perëndimore, mbi Liqenin e vogël të Shasit, në afërsi të fshatit Shas, gjenden mbeturinat e Qytetit të vjetër Shas, të njohur në mesjetë edhe me emrat Sovacium, Saucium, Suvacium dhe Soacia. Sipas legjendave të vjetra, të cilat edhe sot tregohen në mesin e banorëve vendas, në këtë qytet të vjetër dhe të famshëm ishin ngritur 365 kisha, nga një kishë për çdo ditë të vitit.
Historia e Shasit në mesjetën e hershme është pothuajse e panjohur. Si fakt i mirëqenë në shkencë konsiderohet mendimi se ai ishte qytet peshkopal që në shekullin VIII. Edhe periudha e gjatë ndërmjet shekujve VIII-XI është e mbuluar me mistere për shkak të mungesës së burimeve të shkruara dhe johulumtimit të objekteve materiale dhe shtresave arkeologjike. Një numër të konsiderueshëm të të dhënave mbi gjenezën historike të Shasit e gjejmë në burimet që përshkruajnë ngjarjet në Mbretërinë e Duklës gjatë shekujve XI dhe XII. Dihet se diku rreth vitit 1045 apo menjëherë pas këtij viti, ipeshkvët e Kotorrit, Tivarit, Ulqinit dhe Shasit kërkuan mbështetje të konsiderueshme në Argjipeshkvinë e Splitit, ku, siç dëshmon argjixhakoni Toma, shkonin në kuvendet kishtare provinciale.
Sipas argjixhakonit Toma, qytetarët dhe kleri i qyteteve të lartpërmendura të Duklës kërkuan nga Papa Leoni IX themelimin e argjipeshkvisë së posaçme me seli në Tivar. Ndonëse kërkesa nuk u plotësua, burimet e atyre kohëve dëshmojnë për pavarësimin e ipeshkvive të Duklës në kuadër të Argjipeshkvisë e cila në një vend quhet kisha e Duklës dhe e Tivarit (Diocliensis atque Antibarensis ecclesia).
Shasi dhe ipeshkvia e tij përmenden edhe në dekretin papnor që mban datën 8 janar 1089. Duke shfrytëzuar rrethanat e favorshme politike të konfliktit ndërmjet pretendentëve të ndryshëm për fronin papnor, mbreti i Duklës Bodini e dërgoi në vitin 1088 në Romë ipeshkvin e Tivarit Pjetrin në vizitë te, në atë kohë, personaliteti më i fuqishëm i Kishës Katolike – Klementi II. Ipeshkvi Pjetri mori me vete kërkesën për ripërtëritjen e argjipeshkvisë së dikurshme të Duklës. Përgjigjja ndaj kërkesës ishte pozitive pasi që më 8 janar 1089 xhakoni Servusdei e shkruan në kishën e Shën Pjetrit në Romë dekretin papnor me të cilin ipeshkvi Pjetri ngritet në rangun e argjipeshkvit dhe fiton shkopin e artë si shenjë e dinjitetit të lartë kishtar. Me këtë dokument si sufragane të argjipeshkvisë së ripërtërirë janë caktuar ipeshkvitë e: Duklës-Tivarit, Kotorrit, Ulqinit, Shkodrës, Drishtit, Pultit, Serbisë, Bosnjës, Travunit dhe Shasit.
Në dokumentin e ipeshkvit të Kotorrit Maja të vitit 1166 përmendet Pjetri, prior i Shasit. Dihet se qyteti shkatërrohet keq gjatë ekspeditës shkatërruese me rastin e pushtimeve të Duklës – Zetës nga ana e Rashkës me ç’rast janë shkatërruar edhe Danja, Sarda, Drishti, Shkodra, Ulqini dhe Tivari – i vetmi qytet që është kursyer ka qenë Kotorri në të cilin është ndërtuar njëri prej pallateve mbretërore të Nemanjiqëve.
Qyteti, siç duket, është rindërtuar shumë shpejt, duke u bazuar në një burim arkivor të vitit 1199. Bëhet fjalë për kohën e sundimit të Zetës nga Vukani, kur, në praninë e sundimtarit, është mbajtur kuvendi i madh kishtar në Tivar në të cilin është diskutuar mbi statusin e ipeshkvit të Tivarit Domenikut, të akuzuar për vrasje nga ana e klerit dhe qytetarëve të Shasit. Qyteti përmendet edhe në dokumentet e ruajtura – proceset gjyqësore rreth jurisdiksionit mbi disa ipeshkvi, të zhvilluara ndërmjet kryeipeshkvit të Tivarit dhe atij të Dubrovnikut.
Pas periudhës së qeverisjes bizantine dhe dukleane, dhe pas pushtimit të Zetës – Duklës nga Nemanjiqët, qyteti i Shasit nën sundimin e dinastisë serbe është rindërtuar dhe fortifikuar më shumë. Qytetin e rindërtuar në vitin 1242 e shkatërruan mongolët pas së cilës periudhë pason rindërtimi i sërishëm dhe progresi i jetës qytetare deri në fund të shekullit XIV.
Në vitet ’90 të shekullit XIV Shasin e shkatërrojnë turqit pas së cilës periudhë ai pothuajse shkretohet fare. Me një pjesë të vogël të banorëve, për të cilët mendohet se kanë jetuar vetëm në hapësirën brenda kalasë, qyteti ekziston edhe gjatë shekullit XV, ndërsa që nga mesi i shekullit XVI jeta e tij shuhet definitivisht.
Hulumtimet arkeologjike të karakterit të sondazhit në Shas janë kryer në vitin 1985, gjatë muajve tetor dhe nëntor. Hulumtimet në emër të Qendrës për Hulumtime Arkeologjike të Fakultetit Filozofik në Beograd i ka drejtuar arkeologu dr. Gjorgje Jankoviq, ndërsa në emër të Entit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore organizimin e hulumtimeve e ka drejtuar historiani i artit mr. Aleksandar Çilikov.
Para fillimit të kryerjes së hulumtimeve arkeologjike të karakterit të sondazhit ka qenë e njohur struktura bazë arkitektoniko-urbane e qytetit. Qytetin mesjetar të Shasit e përbëjnë gërmadhat e fortifikimit në shkëmb mbi Liqenin e Shasit dhe lagjja e madhe, në veri të tij. Porta hyrëse kryesore e fortifikimit është e vendosur në mes të bazamentit të shtrirë të shkëmbinjve, në anën veriore. Nga ana veriore, perëndimore dhe lindore, fortifikimi ka qenë i rrethuar me mure me kulla, ndërsa nga jugu terreni ka qenë i papërshtatshëm nga vetë natyra për shkak të shkrepave të rrëpirë që zbresin deri në liqen.
Në pjesën e fortifikuar të qytetit, mu në afërsi të portës veriore, gjenden gërmadhat e katedralës së Shën Gjonit, mbrojtësit të Shasit, e cila sipas një mbishkrimi të dëmtuar është ndërtuar në vitin 1300. Absida e kësaj kishe ndodhet në brendi të katit përdhesë të kullës së vjetër me gërmadhat e katit. Bazamenti kënddrejtë i zgjatur i kishës është paksa i deformuar – sigurisht që forma e tillë ka të bëjë me faktin se ndërtimi i është përshtatur terrenit jo të rrafshtë shkëmbor. Kisha është vendosur në drejtimin perëndim – lindje. Brenda dhe jashtë absida gjysmërrethore, e harkuar me gjysmëkube, është e ndërtuar në katin përdhesë të kullës së vjetër – mbase kambanores, të ndërtuar në frymën e përvojave ndërtimore romaneske. Muret e katedrales i karakterizon teknika solide e ndërtimit në formën e gurëve katrorë të latuar, të vendosur në radhë horizontale. Mbi portal në murin perëndimor është lineta në formën e gjysmëharkut.
Muri verior i katedrales bashkohet me murin mbrojtës të qytetit, kurse në murin jugor gjenden disa vrima të vogla dritaresh, njëra prej të cilave posedon harkun e thyer. Pjesa lindore e kishës, sigurisht vendi i korit, ka qenë i ndarë me mur ndarës të cekët.
Duke pasur parasysh datën kur mendohet të jetë ndërtuar, viti 1300, dhe faktin se Shasi shumë përpara këtij viti ka qenë seli e ipeshkvisë me kishën katedrale, mund të supozohet se kisha ekzistuese është ndërtuar në vendin e ndonjë katedraleje më të vjetër nga e cila është ruajtur kambana ekzistuese.
Përveç katedrales së Shën Gjonit, në kuadër të murit verior të qytetit, në drejtim të lindjes, janë gjetur mbeturinat edhe të një kishe tjetër më të vogël, ndërsa në perëndim, nga ana e jashtme e bedenit, gërmadhat e një kishëze – ndoshta e ndonjë lloj kapele. Burimet shkencore relevante dëshmojnë për mundësinë që këto dy objekte sakrale të jenë më të vjetra sesa kisha katedrale e Shën Gjonit.
Brenda Kalasë, apo në qytetin e sipërm, janë ndodhur mbeturinat e godinave për banim disa prej të cilave janë të ruajtura relativisht mirë. Vjetërsia e këtyre objekteve nuk është konstatuar, ndonëse supozohej se nuk janë më të reja se shekulli XVI, kohë kjo kur jeta qytetare është shuar krejtësisht.
Në anën veriore nga korpusi i fortifikuar i Shasit, në periferinë e gjerë, është i njohur lokaliteti ku ndodhen pesë kisha, ndër të cilat veçohen gërmadhat e kishës monumentale, e cila mendohet t’i jetë kushtuar Shën Mërisë. Lidhur me këtë ndërtim impozant flet misionari katolik Leonardi i cili në vitin 1642 shkruan se mbreti Urosh për katolikët në Shas ndërtoi Kishën e Shën Mërisë. Leximi dhe interpretimi i tre mbishkrimeve latine të cilët ndodheshin dikur në murin perëndimor të kishës, prej të cilëve deri më sot nuk është ruajtur praktikisht asgjë e vlefshme, nuk na ofron asnjë të dhënë të besueshme për këtë objekt. Ndër kishat me një anijatë, të ndërtuara në bregdet në epokën e kalimit nga stili romanik në atë gotik, Kisha e Shën Mërisë në Shas është e ruajtur më së miri. Edhe pse pjesërisht e shkatërruar, kisha mund të rikonstruktohet në tërësi.
Shënim: Kumtesa nuk është e plotë. Për pjesen tjeter të kumtesës mund te merrni nga librin “Shasi i lashtë, monument i kulturës“
Temë nga projekti “”Shkruaj dhe lexo në gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2022”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.