Në organizim të përbashkët të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve në Malin e Zi, nesër do të organizojmë shënimin e 80-vjetorit të ngjarjes tragjike të Masakrës së Tivarit, ku qindra-mijëra qytetarë shqiptar të Kosovës dhe një numër i caktuar me kombësi boshnjake, janë vrarë në fillim të prillit të vitit 1945 në Tivar, kështu thuhe në një kumtesë për opinion të nënshkruar nga kryetarët e të këshillave, z. Faik Nika dhe Sulo Mustafiq, transmeton Ulqini Online.


Siç dihet, nga shumë burime historike të dokumentuara, dëshmi të dëshmitarëve okular dhe të mbijetuarve, po ashtu nga publikime dhe punime shkencore të shumta mbi këtë ngjarje, ditëve të para të prillit të vitit 1945, në Tivar, pranë ndërtesës së Monopolit të duhanit, në Tivarin e ri, Tivarin e vjetër, fushën e Tivarit, Zalef dhe malet përreth, pa faj dhe pa u gjykuar, janë ekzekutuar me plumba djem të rinj të pa armatosur, rekrutë që ishin sjellë nga Kosova dhe ishin vendosur në Tivar. Shumica e të vrarëve janë varrosur në vende të ndryshme të panjohura dhe mbetjet e tyre mortore nuk janë gjetur dhe identifikuar asnjëherë.


Pasi që këtë vit mbushen plot 80 vite nga kjo ngjarje tragjike, e kemi konsideruar si obligim dhe përgjegjësi që në mënyrë dinjitoze të shënojmë këtë 80-vjetor dhe të nderojmë të rinjët e pafajshëm që humbën jetën në atë masakër dhe në këtë mënyrë të nderpresim heshtjen që ka mbizotruar për dekada. Me këtë rast, dëshirojmë të kujtojmë këtë ngjarje tragjike, duke vendosur kurora me lule dhe duke nderuar viktimat në vendin ku ka filluar ky krim i tmerrshëm, vazhdon kumtesa.


Ky aktivitet do të mbahet ditën e mërkurë, më 2 prill 2025, në ora 10:00, pranë ndërtesës së ish Monopolit të duhanit në Tivar. Të ftuar për të marrë pjesë në këtë aktivitet janë përfaqësues të dhe anëtar të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe të Këshllit Bombëtar të Boshnjakëve në Malin e Zi, përfaqësuesit e Komunave të Ulqinit dhe Tivarit.

By admini