
Foto: Drejtoria për Komunikacion
Rikonstruktimi i rrugës rajonale Katërkollë – Ostros, me vlerë rreth 18 milionë euro, do të kontribuojë në përmirësimin e lidhjeve të komunikacionit në këtë zonë, rritjen e sigurisë në trafik, si dhe në zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit, u tha me rastin e shënimit të fillimit të punimeve, shkruan mina, transmeton Ulqini Online.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë për Komunikacion, Lluka Mugosha, theksoi se rindërtimi i kësaj rruge ka rëndësi të veçantë për këtë rajon, pasi përfaqëson një lidhje të rëndësishme ndërmjet vendbanimeve në brendësi të Tivarit dhe Ulqinit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, deklaroi se fillimi i rindërtimit të rrugës rajonale Katërkollë – Ostros përbën një hap të rëndësishëm në realizimin e një projekti të nisur me iniciativën e qytetarëve dhe si rezultat i kërkesave të tyre shumëvjeçare.
“Bëhet fjalë për një investim të pritur prej kohësh, i cili do të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e lidhjeve rrugore, rritjen e sigurisë dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës për banorët lokalë. Është veçanërisht e rëndësishme që ky projekt u përgjigjet nevojave konkrete të qytetarëve, zëri dhe iniciativat e të cilëve duhet të jenë baza e zhvillimit të komunës sonë”, tha Nimanbegu.
Ai shtoi se beson që, përmes vazhdimit të bashkëpunimit me Ministrinë e Komunikacionit dhe Qeverinë, edhe projektet e tjera të rëndësishme infrastrukturore në territorin e Komunës së Ulqinit do të marrin vëmendjen dhe mbështetjen e nevojshme, me qëllim zhvillimin e barabartë të të gjitha pjesëve të komunës.
Kryetari i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq, vlerësoi se rikonstruktimi i segmenteve Katërkollë – Ostros ka rëndësi të madhe për banorët e Krajës.
Sipas tij, infrastruktura më e mirë rrugore do t’u mundësojë qytetarëve qasje më të lehtë drejt qytetit, udhëtim më të sigurt për në punë dhe plasim më të thjeshtë të produkteve bujqësore në treg. Ai theksoi se pikërisht kushtet e tilla ndikojnë në vendimin e të rinjve për të qëndruar në vendlindje dhe për të krijuar familje aty.
“Prandaj rindërtimi i rrugës Ostros – Katërkollë është vazhdim i natyrshëm i investimeve me rëndësi për Tivarin dhe Ulqinin, por para së gjithash për banorët që e kanë pritur prej kohësh. Detyra jonë është që së bashku me Qeverinë dhe Drejtorinë për Komunikacion të vazhdojmë rindërtimin edhe në segmentin nga Ostrosi deri në Virpazar”, deklaroi Raiçeviq.
Punimet do të realizohen nga kompania “Putevi Bar”, ndërsa mbikëqyrja profesionale i është besuar kompanisë “Geo Spiin” nga Podgorica.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë edhe deputeti Artan Çobi, ministrja e Punëve Publike Majda Axhoviq, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit Angjela Jakshiq Stojanoviq, si dhe ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Fatmir Gjeka.
