
Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, do të zhvillojë sot një vizitë pune në Ulqin, ku do të pritet nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Vizita realizohet në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian EU4ME – “Mbështetje për komunikimin e procesit të integrimit evropian” dhe përfshin një sërë aktivitetesh kushtuar procesit të integrimit evropian dhe bashkëpunimit me komunitetin lokal, mësohet nga Komuna e Ulqinit, transmeton Ulqini Online.
Sipas agjendës, ministrja Gorçeviq do të zhvillojë takim me kryetarin Nimanbegu dhe bashkëpunëtorët e tij, si dhe do të takohet me përfaqësues të OJQ-së “Mogul” dhe gratë sipërmarrëse të Ulqinit.
Një pjesë e veçantë e vizitës do t’i kushtohet të rinjve. Ministrja dhe kryetari i komunës do të vizitojnë edhe Shkollën e Mesme të Përzier “Vëllazërim-Bashkim”, ku do të bisedojnë me nxënësit për rëndësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Me këtë rast do të organizohet edhe një kuiz diturie mbi procesin e integrimit evropian, ndërsa nxënësit më të suksesshëm do të shpërblehen.
Programi i vizitës përfshin edhe një vizitë në Parkun Natyror “Kriporja e Ulqinit”, një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura në vend.
Deklaratat për media nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe ministrja Maida Gorçeviq janë paraparë në orën 09:50 në Kabinetin e Kryetarit të Komunës së Ulqinit.
