Ilustrim: Nga aktivitetet e mëhershme

Shoqata e Diabetikëve „Rrethi i Kaltër” Ulqin organizon të mërkurën, më 11 nëntor 2026, në orën 13:30, një aktivitet me personat që jetojnë me diabet në komunën e Ulqinit. Veprimtaria do të mbahet në sallën e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, të cilën drejtori i këtij institucioni, Kreshnik Mustafa, e vuri në dispozicion.

Tema e  aktivitetit është „Parandalimi i ketoacidozës diabetike – edukim dhe ndërgjegjësim për komunitetin e Ulqinit”. Qëllimi është informimi dhe edukimi i komunitetit për rëndësinë e parandalimit të ndërlikimeve të diabetit, si dhe promovimi i kujdesit të vazhdueshëm ndaj shëndetit. Ky aktivitet, tashmë tradicional, organizohet në kuadër të shënimit të 14 nëntorit – Ditës Botërore të Diabetit dhe financohet nga Komuna e Ulqinit.

Kryetarja e Shoqatës, Veneranda Gjonaj, bën të ditur se gjatë kësaj veprimtarie do të shpërndahen aparate dhe shirita për matjen e nivelit të glukozës në gjak, si dhe vitamina për personat me diabet. Gjithashtu, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të masin falas nivelin e sheqerit në gjak.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe informimit dhe edukimit përmes një fletushke informative për diabetin, të përgatitur nga një mjek  dhe të botuar në gjuhën shqipe dhe malazeze. Ajo synon t’u ofrojë qytetarëve informacione dhe këshilla të dobishme për njohjen, parandalimin dhe menaxhimin sa më të mirë të kësaj sëmundjeje.

Përmes këtij aktiviteti, Shoqata e Diabetikëve „Rrethi i Kaltër” synon të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik, parandalimin e ndërlikimeve të diabetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së personave që jetojnë me këtë sëmundje.

Shoqata fton të gjithë personat me diabet, si dhe qytetarët e tjerë të interesuar, të marrin pjesë në këtë veprimtari.

By admini

Leave a Reply