Athanas_GegajPërgaditi Gjekë Gjonlekaj

Athanas Gegaj/Boston–Dielli 16 Tetor 1963

“Nga gjiri i nënave shqiptare mësuam me dashuruar atë vend ku lindëm dhe u burrënuam.Natyra e kishte paisur ketë fole shqipesh me lumej,pyje,liqenjë,fusha dhe male. Njeriu jetonte këtu përpara një gjysmë shekulli si në kohëra të lashta të Agronit,Teutës e Gencit. Për nën hijet e ahavet,të çetinave,të pishavet,e të lisavet madhështorë si dhe për anë lumejeve të rrëmbyeshëm e të gurravet të fëtohëta,shqiptari,mbasi kishte la me djersë tokën,pushonte si luan duke këqyrur për rreth e rrotull atë Vend që Zoti ua kishte dhuruar Shqiptarëvet.

Në çdo skenj,për nën çdo hije,kudo gurgullonte uji i pastert i krojeve dhe i gurravet,aty,sipas besimit popullor,u gjindeshin Orët e Zanat,hyjneshat që mëpronin fisin shqiptar. Këtu mrizonin,u lanin dhe drekonin përmbi barë të njomë,afër gurravet  e për nën hijet madhështore të lëndëvet shekullore.Këtë gjë e besonte akoma shqiptari,sado që përmbi trollin e tokës së tij u lartësonin temuj,kishëra dhe faltore që as luftërat as moti nuk kishin arrijtë t’i shdukënin.

Shqiptari këtu ishte zot ne veti dhe jetonte sipas ligjit të kanunit që kishte trashiguar nga të parët e tij. Në njanën dorë mbante parmendën e në tjetrën pushkën. Vetëm në këtë mënyrë ishte i sigurt,mbasi lakmitë e të huajëvet për të zaptuar ketë vend ishin vazhdimisht të drejtuara kundër Memëdheut të Shqiptarëvet.

Kjo gjë shpjegon në një mënyrë dhe rapsoditë e popullit shqiptar. Në këtë vend bukurije të hyjnueshme,përvec pushkës e parmendës,shqiptari mbante në dorë dhe lahutën. Ky këndonte në të trimëritë e të parëvet, bukuritë  e Orëvet e te Zanave,rrezet e ngrohta të diellit e dritën e zbetë të hënës. Shprehjet poetike të tij kalonin ato të Homerit e të Virgjilit,’Ulu mal,le të dalë hana”.,këndonte shqiptari në malet e veriut,kur i binte me të mëdhej hapa tokës së eger,ku jetonte ,luftonte,punonte përherë me frikë  se armiku po i avitej trollit të shenjtë të tij. Jeta e tij ishte e bazuar përmbi besë e burrëri. Doket(zakonet)ishin të thjeshta. Në luftë e në dashuri spiktatnin virtytet e një rrace noble e bujare.

U ënda poshtë e lartë,pava botën,kalova dete e male,por zemra ime nuk gjen qetësi. Ajo endërron atë Vend ku ëmbël për nëndhe pushojnë far’e fisi jonë shqiptar,e nuk ka gjë tjetër në botë që mund t’a zëvendsojë.”

Shkrimi i Athanas Gegaj “Vendi ku pushojnë në paqë far’e fisi jonë” na kujton “Mallin e Atdheut” të Faik Konicës. Frymëzimi për një shkrim kaq të dhimbshëm natyrisht se ishte pasojë e  mërgimit të perjetshëm.  Athanas Gegaj e kujton me shumë dashuri e dhëmbje “Arbërinë e tij të Premtuar”. Nje pjesë e madhe e ketyre shkrimeve  janë elegji për atdheun e e tij të  humbur.

 

By admini