Nga Nail Draga dhe Esat  Mehmeti

Qani Osmani ka lindur në Gostivar me 5 shtator 1960, aty ka kryer shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa në Prishtinë në Fakultetin Filozofik në vitin 1983 ka përfunduar studimet për Fiolozofi-Sociologji, duke qenë ndër studentët e dalluar të gjeneratës së tij. Pas studimeve,  ka punuar si profesor në gjimnazin e përgjithshëm dhe në  në shkollën e mesme ekonomike  në Gostivar, ndërsa në vitin 1986 vendoset në Ulqin. Këtu ai themelon ndërmarrjen private “Qani comerc”, duke punuar deri në vitin 2013. Jeta në mjedisin e ri ishte plot sfida por në sajë të angazhimit të tij në veprimtari private, arriti të përballoi vëshitirësitë ekonomike e ato shoqërore. Nga angazhimi profesional ka qenë kryeredaktor i gazetës Koha Javore(2022-2024).

Vdiq me 10 tetor 2025, ndërsa është varrosur me 11 tetor në Ulqin.

Qani Osmani ishte ndër të vetmit sociolog shqiptarë në Mal të Zi që  me studime, artikuj, ese e vështrime, është  dëshmuar me qasje profesionale  e intelektuale. Arikujt e tij të botuara në mediat e shkruara dhe ato elektronike, ishin të veçanta për nga qasja për rrjedhat shoqërore të hapësirës shqiptare por edhe më gjerë. Ai me kompetencë profesionale ishte kritik ndaj devijimeve politike e shoqërore nga subjektët politike të cilat janë pjesë e qeverisjes lokale e ate shtetërore. Ai ka vlerësuar profesionalizmin e dëshmuar, meritokarcinë përkatësisht  sistemin e vlerave  e ishte kundër antivlerave, servilizmit e militantizmit, sepse janë  dukuri më pasoja shoqërore.

Në fushën e botimeve për tetë vite arriti të botoi pesë libra, duke dëshmuar se gjatë kësaj kohe nuk ka qenë statik, por me  guxim dhe qasje intelektuale ka trajtuar sfidat e tranzicionit çështje e cila ende mbetet e hapur, duke marrë parasysh të kaluarën si pjesë e ish kampit socialist. Ai nuk ka vuajtur nga paragjykimet e qasjet lokaliste, përkundrazi çështjet i ka trajtuar në dimensionin mbarëkombëtarë.

Duke lexuar librat e Qani Osmanit lexuesi konkludon se vetëm qasja intelektuale eliminon konformizmin dhe servilizmin, dukuri të njohura  për shoqëritë  në tranzicion të cilat nuk janë të panjohura edhe në hapësirën shqiptare. Andaj intelektualët në kuptimin e plotë të fjalës dhe individët  e guximshëm, pa hipoteka  nga e kaluara, ku bënte pjesë edhe Qani Osmani, në sajë kritikave konstruktive, kanë ofruar ide për zgjidhje të çështjeve kontestuese.

Vdekja e tij e parakohshme, është humbje e madhe  për familjen por edhe për miqt e kolegët  dhe lexuesit të cilët kanë  lexuar artikujt e librat e botuara. Me vdekjen e tij mediat dhe publicistika shqiptare ka humbur sociologun i cili ishte i veçantë dhe si i tillë do ti mungojë shumë opinionit shqiptarë.

By admini

Leave a Reply