
“Burimet tona, në duart tona!”
Në një zhvillim të rëndësishëm politik dhe qytetar, një numër subjektesh politike nga Komuna e Ulqinit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për të shprehur qëndrimin e tyre të prerë lidhur me shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe publike të kësaj komune. Reagimi vjen në sfondin e raportimeve për ndërhyrje të mundshme nga aktorë të jashtëm, të cilët, sipas deklaratës, synojnë të vënë dorë mbi pasuritë më të vlefshme të zonës, shkruan Ulqini Online.
Nënshkruesit e deklaratës – Forca e Re Demokratike (FORCA), Partia Demokratike (PD), Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LDnëMZ), Aksioni i Bashkuar Reformist (URA), Partia Demokratike Socialiste (PDS) dhe Lidhja Evropiane – kanë theksuar se vetëm qytetarët e Ulqinit dhe institucionet e tyre ligjore kanë të drejtën të menaxhojnë pasuritë e komunës.
Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën.
Deklaratë e përbashkët me rastin e situatës së krijuar, me qëllim informimin transparent të qytetarëve
Me rastin e zhvillimeve të fundit që lidhen me shfrytëzimin e mundshëm të burimeve më të rëndësishme të Komunës së Ulqinit, të cilat kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, dëshirojmë të informojmë opinionin publik për sa vijon:
Nënshkruesit e kësaj deklarate të përbashkët theksojnë qartë dhe pa mëdyshje: me burimet e Komunës së Ulqinit mund dhe duhet të menaxhojnë vetëm qytetarët e Ulqinit, pushteti i tyre vendor dhe institucionet kompetente në përputhje me interesin publik.
Duke u nisur nga praktikat evropiane, respektimi i ligjit dhe parimeve të transparencës, si dhe duke marrë parasysh konkluzionet e mëparshme të miratuara nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit, theksojmë se nuk ekziston asnjë mundësi ligjore që burimet më të vlefshme të Komunës t’i vihen në dispozicion ndonjë biznesmeni, individi apo kompanie pa respektuar procedurat e përcaktuara me ligj.
Kujtojmë se me përpjekje të përbashkëta, në pranverë të këtij viti, kemi mbrojtur Plazhin e Madh dhe edhe një herë shprehim mirënjohje të thellë për sektorin civil, partnerët ndërkombëtarë dhe qytetarët e shumtë nga i gjithë Mali i Zi që mbështetën pa rezerva aktivitetet tona.
Megjithatë, duket se beteja ende nuk ka përfunduar, prandaj u bëjmë thirrje të gjithëve që të mos veprojnë individualisht, por të bashkojmë forcat për të mbrojtur burimet tona dhe për t’i vënë ato në funksion të qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që t’u shërbejnë brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
Vizioni i zhvillimit të Ulqinit nuk mund të ndërtohet në mënyrë individuale dhe të çrregullt, sipas dëshirës së individëve nga vendi apo nga jashtë, kushdo qoftë ai, por vetëm në bashkëpunim me pushtetin lokal – ashtu siç e përcakton ligji dhe interesi i vërtetë publik.
Nënshkruesit janë të një mendimi se edhe kur bëhet fjalë për Liqenin e Shasit, i cili është një nga perlat e Komunës së Ulqinit, por edhe të Malit të Zi, një pasuri natyrore dhe kulturore me rëndësi ndërkombëtare, pavarësisht strukturës pronësore të atij territori, zhvillimi strategjik i këtij lokaliteti duhet të përcaktohet nga Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me komunitetin lokal.
Të bindur se ndërhyrjet jo transparente, të nxituara dhe shantazhuese ndaj qytetit tonë dhe burimeve të tij do t’i përkasin së kaluarës, i ftojmë të gjithë aktorët dhe palët e interesuara që së bashku të zhvillojmë Ulqinin, në përputhje me parimet unanimisht të miratuara dhe dokumentet detyruese që janë fryt i një konsensusi të gjerë shoqëror.