Vajzat e Klubit të Volejbollit “Barbana” do të garojnë sivjet në Ligën e Parë të Malit të Zi – Regjioni i Jugut

Nga Ismet Kallaba

Klubi i Volejbollit “Barbana”, i themeluar vetëm katër vjet më parë, ka bërë një hap tjetër të rëndësishëm në aspektin e rritjes dhe konsolidimit të tij si klub.

Në sezonin e ri (2025/2026), që fillon këtë fundjavë, vajzat e këtij klubi do të garojnë në Ligën e Parë të Malit të Zi – Regjioni i Jugut, duke shënuar kështu një kapitull të ri.

“Këtë vit, me shumë krenari dhe emocion, për herë të parë marrim pjesë në garat e senioreve – vajzave të rritura – në Ligën e Parë të Malit të Zi, regjioni Jug. Ajo që na bën edhe më të veçantë është se të gjitha volejbollistet që do të përfaqësojnë klubin tonë ‘Barbana’ kanë dalë nga shkolla jonë”, shprehet kryetari i KV “Barbana”, Valdet Kurti.

Ai thotë se entuziazmi i vajzave dhe i prindërve është i madh dhe të gjithë mezi presin javën e parë të fillimit të kampionatit, ku “Barbana” do të jetë nikoqir në Ulqin.

“Ndeshja e parë zhvillohet në fundjavën e parë të muajit tetor. Rezultati sportiv është i rëndësishëm, por ne fitoret tona tashmë i kemi realizuar – me punën, përkushtimin dhe rritjen e brezave të rinj”, thekson Kurti.

KVF “Barbana” ka nisur rrugëtimin më 6 nëntor 2021, me shumë dashuri e përkushtim ndaj sportit. Vetëm një vit më vonë është zyrtarizuar themelimi i klubit, i cili u pagëzua me emrin simbolik “Barbana”. Në vitin 2022 volejbollistet e këtij klubi filluan të marrin pjesë në garat e moshave për vajza, me tri kategori: pionieret dhe dy ekipe të minivolejbollit. Prej atëherë e deri më sot kanë marrë pjesë rregullisht në të gjitha ligat e volejbollit për femra, të organizuara nga Federata e Volejbollit e Malit të Zi, ndërsa që prej vitit të kaluar, në kuadër të këtij klubi është hapur edhe seksioni i djemve, duke zgjeruar më tej vizionin sportiv dhe edukativ.

Kjo tregon për rritjen graduale të KV “Barbana” dhe misionin e qartë të drejtuesve të këtij klubi.

“Rritja dhe zhvillimi i klubit tonë ka qenë i pandalshëm”, pohon kryetari i KV “Barbana”, Valdet Kurti, duke shtuar se ky klub “mbetet një histori e pasionit, këmbënguljes dhe ëndrrave të realizuara përmes sportit”.

Vajzat e KV “Barbana” stërviten nga trajnerët Kadri Sinani dhe Enis Gjoni, kurse djemtë nga Herodit Sinani.

Por e gjithë kjo rrugë e bukur dhe sfiduese, sipas kryetarit të KV “Barbana”, nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Fondacionit “Trojet Tona” dhe Familjes Hajdari, që nga fillimi e deri më sot.

Ai po ashtu shpreh mirënjohje të veçantë edhe për Komunën e Ulqinit, e cila i ka ndihmuar në kuadër të konkursit për organizatat sportive, si dhe dy kompanitë të njohura vendore Kallaba dhe Ema Kop. Gjatët gjithë kësaj kohë me neve kanë qenë prindërit dhe të gjithë dashamirët që në forma të ndryshme kanë ndihmuar. /Koha Javore/

By admini