
Abstrakt
Dr.Nail Draga*
Krahina etnografike e Malësisë së Madhe në sajë të trashëgimisë kulturore vazhdimisht ka qenë inspiruese si për studiues vendas dhe të huaj. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse ajo në sajë të morfologjisë së relievit dhe natyrës së saj impozante, si rrallë kush ka ruajtur në mënyrë autentike tiparet e rracës shqiptare. Ishte pikërisht ky mjedis i cili ka frymëzuar të gjithë ata të cilët kanë vlerësuar vlerat etnokulturore të etnosit shqiptar.
Në gamën e tyre individëve bëjnë pjesë edhe një numër i konsideruar i klerikëve shqiptarë(Sh.Gjeçovi, D.Kurti, M.Sirdani, B.Palaj etj.), të cilët gjatë veprimtarisë së tyre teologjike nuk kanë qendruar statik, por kanë qenë aktiv sepse kanë mbledhur lëndë me vlerë nga thesari i trashëgimisë kulturore shqiptare. Në këtë kategori bën pjesë edhe At Kolë Berishaj(1916-1993) i cili nuk ka hezituar të mbledh material të tillë, që më pas është botuar në disa vëllime.
Ne me këtë rast do të analizojmë veprimtarinë e tij, e cila opinionit i është prezantuar në tre vëllime: Përreth sofrave(Vepra-1), Visare të Malësisë(Vepra-2) dhe Kangë e vajë(Vepra- 3), botuar nga EP “Fishta”- Lezhë dhe Misioni Françeskan-Tuz, në vitin 2013.
________
*Studiues, Ulqin
Email:n.draga@t-com.me
tel:+38269524244
Malësia e Madhe krahinë etnografike
Hapësira etnogjeografike shqiptare ku bën pjesë edhe Malësia e Madhe në Veriun shqiptar, në pjesën dytë të shek.XIX, pësoj ndryshime territoriale, sepse në sajë të vendimeve të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit(1878) filloj të rrudhosej, sepse pjesë të saj iu dhuruan Malit të Zi. Fjala është për dy mikroregjione: Trieshi dhe Koja që u aneksuan duke bërë shkëputjën territoriale nga Malësia e Madhe. Por, ky dekompozim territorial nuk përfundoj me kaq, sepse në sajë të vendimeve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës(1912/13), kufiri shkoj më në lindje, ku Malësisë iu shkëputën edhe Gruda e Hoti. Ishin këto vendime arbitrare të Fuqive të Mëdha në interes të konjukturave gjeopolitike të kohës, duke mos marrë parasysh kriterin etnik e ate historik, në kundërshtim me vullnetin e popullsisë shqiptare. Sepse shqiptarët në Malësi nuk kanë luftuar kundër një pushtuesi (Turqisë) e me u aneksuar nga një pushtues tjetër(Mali i Zi).
Nga Gruda në Velipojë
Ndër personalitete të nderuara të Malësië së Madhe të cilët pasion e kanë pasur mbledhjen e trashëgimisë kulturore, bën pjesë edhe At Kolë Berishaj, i cili ka dhënë kontribut më rëndësi për etnokulturën e vendlindjës. Ai ka lindur me 28 nëntor të vitit 1916, në fshatin Priftën në Grudë të Malësisë së Madhe. Në sajë të rrethanave shoqërore të kohës në Luftën e Parë Botërore e sidomos në sajë të kushteve të pavolitshme ekonomike, familja e tij është e detyruar të vendoset në fshatin Velipojë(Shkodër). Por, ky migrim në këtë mjedis ishte i favorshëm për këtë familje, sepse këtu kishin kushte më optimale për të jetuar. Në mjedisin e ri kjo familje ka ruajtur traditat e vendlindjes, duke punuar dhe predikuar ritet fetare, duke shkuar në kishën e fshatit. Në atë kohë në kishën e Velipojës shërbente dom Alfons Tracki, prif gjerman, i cili ishte i njohur për vlerat e tija njerëzore e shoqërore.
Gjermani, hapi shkollën shqipe
Dom Alfons Tracki ka lindur në qytetin Bresian të Gjermanisë në vitin 1892. Pasi përfundoi studimet e larta në shkencat teologjike dhe shugurohet meshtar, transferohet me detyrë në Shkodër në vitin 1920.Vendoset në kishën e Velipojës dhe punon si një mesionar I palodhur, ku veçohet në fushën e arsimit e të edukimit. Ai e ka dashur shumë popullin Shqiptar sepse që një martir i fesë katolike në Shqipëri. Me instalimin e sistemit komunist në Shqipëri nga nëntori i vitit 1944, ai ishte i papërshtatshëm për sistemin dhe është ndjekur nga ata. Ndonëse ai ka dalur në mal për ti shpetuar ndjekjës, është kapur nga forcat e Sigurimit të shtetit dhe e pushkatojnë me 18 qershor 1946.
Shkollimi fillor i mesëm dhe superior
Është meritë e tij, që në Velipojë ka hapur një shkollë në gjuhën shqipe me tre klasë. Pikërisht në këtë shkollë mësimin e nisi edhe Kola në vitin 1927, ku mësues dhe edukator i tij ishte dom Alfons Tracki. Në këtë shkollë Kola është dalluar si një nxënës i zellshëm, punëtor dhe me edukatë.
Pasi përfundoi shkollën fillore Kola iu përkushtua rrugës së meshtarisë, jo si besimtar por tash si misionar. Pikërisht, për këtë arsye, me ndërhyrje të dom Trackit, ai I vijon studimet në Kolegjin Françeskan në Shkodër Në këtë shkollë Patër Kola u dallua në mënyrë të veçantë me përgatitje meshtarake duke zbuluar veçori të karakterit të tij prej njeriu të përgatitur dhe me culture të lartë fetare e tradicionale. Në vitin 1939, ai do të përfundonte gjimnazin “Illiricum” që drejtohej nga etërit françeskanë.
Më pas në Siena të Italisë ka vijuar studimet e larta në fushën e filozofisë e të teologjisë, ku studimet i përfundon në vitin 1942 dhe me pas është shuguruar meshtar nën urdhërin françeskan.
Meshtar në vendlindje
Pas përfundimit të studimeve shkon në vendlindje në Prifën – Grudë, ku jep meshën e parë me 15 gusht në vitin 1942, në ditën e Zojës së Grudës. Në ceremonin e kësaj meshe i pranishëm ishte edhe At Anton Harapi, qe ka qenë bashkëshoqërues i meshtarit të ri.
Krahas detyrës së meshtarit Patër Kola, po këtë vit, emërohet në detyrën e profesorit në Kolegjin Françeskan, ku dallohet si një mësimdhënës i talentuar dhe njeri me aftësi të veçanta pedagogjike. Për këtë arsye, për pak kohë e shohim edhe në detyrën e nëndrejtorit të shkollës fillore françeskane në qytetin e Shkodrës.
Ndërsa në vitin 1943, Provinciali I Urdhërit Françeskan, Patër Anton Harapi, e cakton famullitar në fshatin Toplanë, një fshat malor I banuar nga malësorë, ku qëndroi rreth dy vjet, ku panoi me përkushtim në rindërtimin e famullisë dhe shtimin e besimtarëve në ceremonitë fetare.
Fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nga nëntori i vitit 1944, në Shqipëri u instalu diktatura komuniste, e cila kishte pasoja të mëdha për eliten intelektuale e figurat politike të cilët llogariteshin si kundërshtarë të regjimit. Në këtë kategori llogariteshin edhe personalitetet fetare, ku me së shumti e kanë pësuar ata katolikë. Kujtojmë me këtë rast famullitarin e Traboinit Atë Zef Tagaj, i cili u pushkatua me 19 shkurt 1945.*
Pasi kisha e Traboinit, tash mbeti pa meshtar, me urdhër të arqipeshkvit Nikollë Dobreciqit, nga Arqipeshkvia e Tivarit, me 10 prill 1945 Atë Kolë Berishaj emërohet famullitar i Trabonit. I vendosur në Hot, në një mjedis i cili u përsekutua nga pushtetarët komunistë, ai është si meshtar i devotshëm është përpjekur vazhdimisht të sfidojë rrethanat shoqërore të kohës, duke i ndihmuar popullit si misionar pajtimi, duke qenë vazhdimisht në krye të detyrës duke predikuar vërtytet me të larta si besën, trimërinë, bujarinë e paqen. Duke qenë i tillë ai të hotjanet kishte respekt të veçantë, që është dëshmuar në pajtimin e konflikteve, duke shpëtuar jetë nga gjakmarrja, bashkëpunim shoqëror etj.
Pasi shërbeu me përkushtim 28 vjet në famullin e Hotit, në vitin 1973 transferohet në famullinë e Gucisë, ku ka shërbyer për 6 vjet, deri sa ka dalur në pension në moshën 63 vjeçare. Edhe në këtë mjedis, me punën e angazhimin ka mbetur model për kohën duke pasur respekt të veçantë të besimtarët e qytetarët në përgjithësi.
Pas një sëmundje të rëndë, vdiq me 28 maj 1993, në moshën 77 vjeçare, duke lënë pas një emër të nderuar dhe një veprimtari e cila nderohet ndër breza.
Etnokultura si pasion
Gjatë shërbimit si meshtar, në Grudë, Hot e Guci, për 37 vjet më radhë deri sa doli në pension(1979) ai ka qenë i shoqëruar vazhdimisht me fletoret e shënimeve, ku ka shënuar nektarin e traditës popullore. Pasi në Hot ka qendruar rreth 30 vjet, ai në biseda të zakonshme, ka depërtuar në vlerat etnokulturore të hotjanit ku ka synuar të nxjerrë vlerat më të çmuara të qënësisë së këtij kombi siç janë besa, trimëria, bujaria, mençuria dhe ndjenja atdhetare.
At Kolë Berishaj duke qenë misionar i fesë, nuk ka qendruar statik e formal në ato vise ku ka punuar e jetuar, por me durim ka mbledhur visarin tonë kombëtar, vlerat dokumentare dhe gojore të etnosit tonë kombëtar. Në këtë mision ai ka trashëguar punën me pasion të Atë Vinçenc Prenushit, Atë Shtjefën Gjeçovit, Patër Donat Kurtit, Atë Marin Sirdanit, Atë Bernardin Palajt etj. Ishin këto autoritete e misionar të fesë qëkanë mbledhur visarin tonë kombëtarë, duke dëshmuar pasionin e tyre për trashëgiminë kulturore kombëtare, duke na lënë trashëgim veprat e tyre, me vlerë shumëdimensionale.
Vepra në tre vëllime
Botimi i veprës së At Kolë Bershës në tre vëllime: Përreth sofrave(Vepra-1), Visare të Malësisë(Vepra-2) dhe Kangë e vajë(Vepra- 3), botuar nga EP “Fishta”- Lezhë dhe Misioni Françeskan-Tuz, në vitin 2013, përgatitur për botim nga Hamit Boriçi e Gjovalin Gjeloshi që është dëshmi e një vepre dinjitoze e cila nderon autorin dhe kulturën shqiptare.
Nëse analizohet së cili vëllim në mënyrë të veçantë del qartë se kemi të bëjmë me të dhëna me peshë etnokulturore jo vetëm për Malësinë e Madhe e Veriun shqiptar, por për tërë hapësirën etnogjeografike kombëtare.
Fillimisht dua të ceki se në vëllimin e parë, At Kolë Berishaj, duke trajtuar Sofrat jep disa të dhëna interesante për shpërndarjën territoriale të institucionit të Bajrakut në Malësi të Madhe dhe më gjerë. Kemi të bëjmë me konceptin e sofrës në përgjithësi, ku roli i bajrakut është parësor që vazhdon edhe në ditët tona në Malësi të Madhe. Dhe në këtë aspekt autori paraqet edhe territorin e tyre sipas mikroregjioneve apo zonave në mjediset përkatëse. Fjala është hapësirën territoriale etnogjeografike, e jo ate administrative, sepse në aspektin etnografik krahina të ndryshme nuk janë paraqitur unike sikurse kanë qenë në të kaluarën çështje e cila mbetet e hapur edhe në ditët tona. Në sajë të dhënave numrin e bajraqeve Kolë Berishaj paraqet këtë numër për këtë krahinat përkatëse.
Kështu Malësi të Madhe përbëhet nga 7 bajraqe(Hot, Grudë, Kelmend, Kastrat, Shkrel,Triesh dhe Kojë të Kuçit),
Malësia e Vogël përbëhët nga 6 bajraqe(Shalë, Shosh, Toplanë, Gjan, Plan e Kir),
Rranxat e Shkodrës– 6 bajraqe( Koplik, Buza e Ujit,Grizha, Reçi, Lohja e Rrjolli),
Postriba– 5 bajraqe(Drishti, Shllaku, Dushmani, Boksi e Suma)
Puka– 7 bajraqe(Berisha, Iballja,Kabashi,Bugjani,Puka, Qerreti e Mali i Zi),
Mirdita– 5 bajraqe(Oroshi, Spaçi, Kushneni, Fani e Xibri) dhe
Malësia e Lezhës– 5 bajraqe( Bulgri,Kryezeza, Manatia, Vela e Pllana)(Vepra 1, f.17).
Në këtë vëllim përveç Sofrës, trajtohen edhe rite e zakone, mikëpritja, armët dhe veshja e malësorit, si e matë populli kohën, prralla etj. Në vëllimin e dytë prezantohen urime e mallkime, fjalë të urta, emna të rrallë njerëzish e gjallesash si dhe disa shprehje popullore e kallxime e bestytni dhe në vëllimin e tretë janë prezantuar kangë e vaje.
Lënda e prezantuar në këto vëllime paraqet në material më vlerë etnologjik e folklorik për krahinën e Malësisë së Madhe, e cila meriton të studiohet nga studiues të fushave përkatëse, sepse siç shkruan studiuesja e kulturës popullore dhe e antroplogjisë prof.dr.Afërdita Onuzi “e veçanta e At Kolës qëndron në faktin se, ndryshe nga mbledhës të tjerë, që bazohen vetëm në tregimet dhe kjutimet e bartësve, ai, shumicën e këtyre të dhënave e ka mbledhur gjatë momenteve kur kryheshin e praktikoheshin këto rite, zakone e ceremoni. Pikërisht kjo u jep vlera të veçanta shënimeve të tij, çka një etnograf i mirëfilltë do t ia kishte zili”.
Përfundim
At Kolë Berisha bën pjesë në radhën e françeskanëve të nderuar, të cilët me punën dhe veprat e tyre bëjnë pjesë në plejadën e autoriteve kombëtare jo vetëm në Veriun Shqiptar. Kujtojmë me këtë rast dijetarët e mëdhënj si At Bernardin Palaj, Donat Kurti etj.,që i sollën albanologjisë shqiptare e folklorit në veçanti “Visaret e Kombit” në disa vëllime, duke mbetur monument i identitetit kombëtar Shqiptar.
Ndërsa me largimin e tij në vitin 1993, mbyllet një kapitull për Malësinë e Madhe që nuk është më, sepse ato ishin misionarë të fesë me formim dhe profesionistë në punën e tyre, por edhe fisnik në marrëdhënie njerëzore.
Pikërisht i tillë ishte At Kolë Berishaj i cili ka mbledhur visarin tonë kombëtarë, duke dëshmuar pasionin për trashëgiminë kulturore kombëtare, duke na lënë trashëgim emrin dhe veprat, me vlerë shumëdimensionale të cilat janë si testament për kohën e tij, të tashmën dhe të brezave në të ardhmën.
Dhe nëse në të ardhmën do të botohet një liber i veçantë kushtuar personalitetëve në Malësi të Madhe e them pa hezitim se në këtë plejadë të figurave të tilla edhe At Kolë Berisha do të jetë pjesë e saj.
Literatura:
1. Frano Kulli, At’ Kola, “Frati i Hotit”, si At’ Benardini i “Visareve të Kombit”, Panorama, 22.4.2023
2.At Kolë Berishaj, Vepra-1, Vepra-2, Vepra-3, EB“Fishta“-Lezhë, Misioni Françeskan-Tuz, 2013
3.At Kolë Berishaj, Etnologu që ruajti traditën e kulturën tonë në Mal të Zi, Sh.com. shkurt 2015
4. At Kolë Berishaj, PREJ SHKODRET NË TOPLANË, EB”Fishta”, Lezhë, 2021
5. Nail Draga, Vrasja e At Zef-Leonard Tagaj vepër kriminale e pushtetit jugosllav, Koha Javore, 29 tetor 2020
*Kumtesa është paraqitur në Konferencën shkencore ”Treva e Veriut-një kujtesë në visaret e traditave që ndriçojnë historinë tonë”, mbajtur në Shkodër me 30 maj 2025, në organizim të Qendrës së Studimeve Albanologjike