Nga Gjekë Gjonaj

Gjatë disa ditëve të trajtimit fizioterapeutik në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, pata rastin të përjetoj nga afër jo vetëm një shërbim cilësor profesional, por edhe një atmosferë të ngrohtë e njerëzore, që e bën më të lehtë përballimin e dhimbjeve dhe vështirësive shëndetësore.

Fizioterapeutet Zana dhe Allmedina e kryejnë punën e tyre me përkushtim të admirueshëm. Profesionalizmi i tyre shoqërohet me mirësjellje, mirëkuptim, humanizëm dhe empati ndaj çdo pacienti. Ato arrijnë të krijojnë një ambient ku secili ndihet i respektuar, i dëgjuar dhe i mirëpritur.

Në repart mbretëron një atmosferë e këndshme, e pasuruar me biseda miqësore, humor të matur dhe rrëfime interesante nga jeta e përditshme, si të fizioterapeuteve, ashtu edhe të pacientëve të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme. Këto momente e bëjnë trajtimin më të lehtë dhe krijojnë ndjenjën e afërsisë njerëzore, aq të nevojshme për këdo që përballet me probleme shëndetësore.

Bashkëpunimi dhe koordinimi i shkëlqyer mes Zanës dhe Allmedinës nuk lënë hapësirë për pritje të gjata, pakënaqësi apo nervozizëm. Përkundrazi, pacientët largohen të kënaqur dhe me fjalë miradie për shërbimin që marrin. Këtë përshtypje nuk e ndaj vetëm unë, por edhe shumë pacientë të tjerë që kam takuar gjatë këtyre ditëve.

Për një pacient, përveç trajtimit profesional, shumë e rëndësishme është fjala e mirë, buzëqeshja e sinqertë dhe ngrohtësia njerëzore. Thuhet me të drejtë se një fjalë e ëmbël e lehtëson dhimbjen, dhe pikërisht këtë e gjen te Zana dhe Allmedina: përkujdesjen profesionale të shoqëruar me mirësi dhe respekt njerëzor.

Prandaj, kjo është një shprehje e vogël mirënjohjeje për dy profesioniste që me punën, sjelljen dhe përkushtimin e tyre e nderojnë profesionin që ushtrojnë dhe i bëjnë pacientët të ndihen më mirë, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.

By admini

Leave a Reply