Nga Haxhi Zeneli

Problemi i popujve të Ballkanit nuk është as i ri, as i panjohur.Konfliktet historike të rajonit, ndonëse kanë ndryshuar formë me kalimin e kohës, vazhdojnë të ushqehen nga të njëjtat burime: nacionalizmat e vjetra, urrejtjet e trashëguara dhe mungesa e vullnetit për ndryshim. Ballkani duket sikur ka mbetur i bllokuar në një cikël vetëshkatërrues, ku çdo brez përsërit gabimet e së kaluarës.

Historikisht, ky rajon ka qenë arenë e interesave të fuqive të mëdha, të cilat shpesh kanë synuar më shumë dominimin sesa zhvillimin e tij. Kjo është tragjike, sepse shumë popuj të Ballkanit ose nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta pranojnë se rruga që ndjekin i çon vazhdimisht drejt izolimit, përçarjes dhe, në fund, konfliktit.

Secili vazhdon ta shohë tjetrin si armik apo kërcënim,ndërsa bashkëjetesa shpesh perceptohet si dobësi dhe jo si domosdoshmëri. Nacionalizmi nuk shfaqet më vetëm si ndjenjë krenarie kombëtare, por edhe si instrument politik për të ushqyer frikën, për të manipuluar opinionin publik dhe për të mbajtur gjallë ndasitë.Në vend që politika të ndërtojë ura bashkëpunimi,ajo vazhdon të mbijetojë mbi mosbesimin ndaj fqinjit.

Shumë liderë të rajonit nuk ndërtojnë vizion për të ardhmen, por rikthehen vazhdimisht te e kaluara, duke ushqyer nostalgji të rreme dhe ndjenjën e viktimizimit të përhershëm. Jo rrallëherë, edhe agresori përpiqet të paraqitet si viktimë.

Edhe sot,vazhdon të mbetet e rrënjosur ideja e “territoreve të humbura”apo e “fitoreve historike”,që mban Ballkanin të jetojë ende në një luftë të pashpallur për mbijetesë kombëtare.E kaluara, në vend që të shërbejë si mësim,vazhdon të përdoret si armë politike.Luftërat, krimet dhe padrejtësitë historike nuk kanë nxitur reflektim; përkundrazi,shpesh janë përdorur për të ushqyer armiqësi të reja.

Kjo mungesë përballjeje me të kaluarën është një nga arsyet kryesore pse Ballkani vazhdon të mbetet peng i traumave të veta.Ndërkohë që pjesa tjetër e Europës ecën përpara,duke e shikuar Ballkanin si turbulencë e rajonit,ku shumica e vendeve përballen me ekonomi të brishta, emigrim masiv dhe mungesë shprese te të rinjtë.Megjithatë,në vend që kjo gjendje të shërbejë si alarm për ndryshim,energjia politike vazhdon të harxhohet në debate për kufij,identitete,dominim mbi tjetrin dhe simbole, e jo për zhvillim, integrim dhe mirëqenie të popujve të tyre.

Shqiptarëve jashtë Shqipërisë,që jetojnë në bashkësi me popuj të tjerë të Ballkanit Perëndimor,është e pa kuptueshme që ende edhe sot ju mohohen të drejtat themelore identitare në vendet ku jetojnë.Në këtë klimë tensioni,faji shpesh i faturohet Europës,si mënyra më e lehtë për t’iu shmangur përgjegjësive. Megjithatë, problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e vëmendjes europiane,por edhe te paaftësia e vetë rajonit për të ndërtuar marrëdhënie të shëndosha dhe respekt reciprok mes popujve.

Ndërkohë,edhe Shqipëria vazhdon të mbetet peng i së kaluarës dhe i pengesave që i vendosen vetes nga politika e saj, duke bërë shpesh një hap përpara dhe dy hapa prapa.

A mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në një rajon që shpesh refuzon të përballet me përgjegjësitë e veta? Europa nuk e ka luksin të jetë indiferente ndaj Ballkanit, sepse ky rajon ndodhet në pragun e saj dhe çdo tension këtu reflektohet edhe në vetë kontinentin.

Në këtë realitet të ndërlikuar nuk mund të anashkalohet as ndikimi rus në rajon por edhe te tjerë.Historikisht, ky ndikim ka ushqyer përçarje dhe ka kundërshtuar orientimin perëndimor të Ballkanit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështjet shqiptare.Megjithatë, shpesh ky rol është toleruar ose nënvlerësuar nga diplomacia europiane.

Në këtë skenë të trazuar, shqiptarët duken si një popull që kërkon afrimin me Perëndimin.Jo sepse janë më të mirë se të tjerët, por sepse historia shpesh i ka lënë të vetmuar përballë padrejtësive.Kjo ka bërë që shpresa dhe besimi i tyre të drejtohen më shumë kah SHBA-ja dhe Europa.Ndjenja e të qenit një “popull jetim në Europë” i ka shtyrë të kërkojnë rrugë më paqësore, edhe pse frika nga përjashtimi dhe padrejtësia vazhdon të ekzistojë edhe sot.

Megjithatë, problemi i Ballkanit nuk lidhet vetëm me qëndrimin e Europës apo me ndikimet e jashtme. Rajoni nuk gjen qetësi, sepse çdo shtet vazhdon të sillet si një ishull më vete, i mbyllur në interesat e ngushta kombëtare dhe i verbuar nga egoja politike. Mungon bashkëpunimi brenda vetë sistemeve politike, por mungon edhe besimi mes popujve.

Ballkani ende nuk ka arritur të ndërtojë një identitet të përbashkët që të mbështetet jo mbi gjakun dhe historinë e konflikteve, por mbi vlera moderne si liria, drejtësia, zhvillimi dhe respekti reciprok.

Është e pakuptueshme që një rajon kaq i vogël, me probleme të thella ekonomike dhe sociale, vazhdon të investojë në armatim dhe në krijimin e aleancave mbrojtëse kundër njëri tjetrit,ndërkohë që qytetarët luftojnë për mirëqenie dhe për një jetë më të mir.

Ndryshimi i vërtetë duhet të nisë nga brenda. Paqja nuk ndërtohet duke dashur vetëm veten dhe duke urryer tjetrin, as duke ushqyer pretendime territoriale boshe ndaj njëri-tjetrit, në një kohë kur njerëzit po largohen masivisht nga rajoni. Derisa kjo mendësi të vazhdojë, Ballkani do të mbetet i dënuar të përballet me përsëritjen e të njëjtave tragjedi historike.

Qeshor,2026

By admini

Leave a Reply