Nga Xheladin Zeneli
( Në pritje të aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së)
Të Merkurën, me 16 Shtator 2026 pritet shpallja e vendimit të Trupit Gjykues së Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare ë Kosovës: Hashim Thaçit,Kadri Veselit,Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Për këto akuza, Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vjetësh për secilin – 180 vjet në total.
Mënyra e themelimit të kësaj Gjykate, procesi gjygjësor, mbajtja e të akuzuarëve në burg, nga shumë analist është parë si veprim i njëanëshëm, selektiv dhe i padrejtë ndaj Kosovës.
Nëse krijimi i Gjykatës Speciale në Hagë iu ishte impunuar Kosovës si një domosdoshmëri për vendosjen e drejtësisë dhe ndriçimin e së vërtetës për krimet e pretenduara gjatë luftës , atëherë kjo drejtësi do duhej të ishte kërkuar në mënyrë të barabartë dhe jo historia e një lufte të gjykohet vetëm nga njëra anë.Lufta e Kosovës nuk filloi nga asgjë. Ajo ishte rezultat i një politike të gjatë shtypjeje, diskriminimi, dhune dhe represioni shtetëror ndaj shqiptarëve të Kosovës. Mijëra civilë u vranë, u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u përballën me shkatërrimin e pronave dhe të vendbanimeve. Nëse synimi është zbardhja e plotë e së vërtetës, atëherë kjo histori nuk mund të fillojë vetëm në momentin kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri në skenë.
UÇK-ja u ngrit për të mbrojtur popullin dhe vendin e saj në një kohë kur Kosova përballej me luftë, dhunë dhe dëbime masive. Për ne, lufta e UÇK-së ishte një luftë për liri dhe mbijetesë.UÇK-ja ishte zëri i një Kosove që kërkonte të jetonte e tokën e saj të lirë, të mbronte familjet, shtëpitë dhe vendin e vet.Liria nuk na erdhi dhuratë. Ajo u pagua me gjak, me lot, me dhimbje dhe me jetën e bijve dhe bijave më të mirë të këtij vendi.
UÇK-ja mund të kritikohet, individë mund të gjykohen dhe veprime konkrete mund të hetohen. Por kjo nuk mund të përdoret për të përmbysur realitetin historik të konfliktit: Kosova ishte viktimë e një politike shtetërore represive të Serbisë dhe lufta e UÇK-së ishte pjesë e rezistencës ndaj asaj politike.
Sepse ekziston një rrezik real: që përmes gjykimit të disa figurave të UÇK-së të krijohet gradualisht një perceptim sikur problemi kryesor i luftës së Kosovës ishte vetë rezistenca shqiptare.Kjo do të ishte një përmbysje e rrezikshme e historisë.Një popull i shtypur nuk mund të barazohet automatikisht me regjimin që e shtypi.Një luftë çlirimtare nuk mund të barazohet automatikisht me aparatin shtetëror te Slobodan Millosheviqit që kreu dhunë e represion.
Dhe viktima nuk mund të vendoset në të njëjtën peshore historike me agresorin vetëm sepse gjatë një konflikti mund të jenë kryer krime nga individë të të dyja palëve.
Prandaj, shqetësimi më i madh nuk është vetëm se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Speciale me 16 Shtator, por njëkohësisht edhe çfarë narrative historike do të mbetet pas këtij procesi gjykues.
A do të mbetet historia e Kosovës si historia e një populli që luftoi për liri, apo do të reduktohet në një histori ku viktima dhe agresori vendosen në të njëjtën peshore?
Paradoksi i drejtësisë që kërkon të gjykojë ish-krerët e UÇK-së, ndërsa krimet e regjimit serb rrezikojnë të mbeten në plan të dytë. Haga nuk duhet të bëhet instrument i një narrative politike.Askush nuk ka të drejtë të përdorë një proces gjyqësor për të vendosur njollë mbi një popull të tërë.Kosova nuk mund të pranojë që lufta për liri të shndërrohet në një aktakuzë kolektive morale ndaj shqiptarëve.
Beogradi nuk ka hequr dorë nga Kosova.Nuk ka hequr dorë nga narrativa se Kosova është “tokë serbe”.Nuk ka hequr dorë nga përpjekja për ta paraqitur konfliktin sipas versionit të vet.Dhe ndërkohë, shqiptarëve u kërkohet të jenë gjithmonë të gatshëm të japin llogari për rolin e tyre në luftën e fundit.
-Po kush do te jap llogari historisë për 12 mijë viktimat shqiptare?
-Kush do të jap llogari për 274 masakra të kryera ndaj civilëve shqiptarë?
-Kush do të përgjigjet për 550 varrezat masive që janë gjetur në Kosovë dhe disa të tjera në Serbi ?
-Kush do të përgjigjet për familjet që ende kërkojnë të dashurit e tyre të zhdukur ?
-Kush do të përgjigjet për 20 mijë femra shqiptare të dhunuara gjatë viteve 1998/99?
Janë pyetje që burojnë nga kërkesa për drejtësi.
Përgjigjen në këto pyetje dhe një mezazh të fuqishëm mund ta japin Gjykata Speciale ne Hagë me 16 Shtator 2026 duke i shpallur të pafajshëm katër ish- drejtuesit e UÇK-së .
Nëse drejtësia ndërkombëtare dëshiron të ruaj autoritetin moral, ajo duhet ti shpall të pafajshëm ish udhëheqësit e UÇK-së.
Ne shpresojmë dhe besojmë se drejtësia do të triumfojë dhe se ata do të shpallen të pafajshëm.
Le të jetë 16 Shtatori një ditë e drejtësisë, shpresës dhe dinjitetit për të gjithë shqiptarët.
15 Shtator 2026

