
Klubi i Volejbollit për Femra “Barbana” nga Ulqini ka njoftuar se në sezonin 2026/2027 nuk do të garojë në Ligën e Parë të Malit të Zi. Drejtuesit e klubit kanë bërë të ditur se vendimi është marrë për shkak të rritjes së ndjeshme të shpenzimeve pas ndryshimit të sistemit të garave dhe mungesës së mbështetjes së mjaftueshme financiare për të përballuar kostot e pjesëmarrjes. Në planin e punëse së klubit për vitin aktua ishte parashikuar edhe mundësia e ndryshimit të sistemit të garave. Mbi bazën e këtij plani KVF “Barbana” aplikoi edhe në konkursin e Komunës së Ulqinit për bashkëfinancimin e klubeve sportive. Fatkeqësisht, mjetet e ndara nga komisioni përkatës nuk mbuluan as një të katërtën e nevojave që kishim planifikuar për funksionimin edhe të ekipit senior, kështu mësohet nga ky klub sipas një njoftimi të postuar në rrjetin sociale facebook, transmeton Ulqini Online.
Megjithatë, klubi thekson se nuk po ndalet, pasi ekipi senior do të vazhdojë garimin në Ligën e Dytë, ndërsa puna me kategoritë e reja mbetet prioriteti kryesor.
Më poshtë publikojmë të plotë njoftimin e KVF “Barbana”
NJOFTIM
Të nderuar sportdashës, prindër, sportiste, miq dhe përkrahës të Klubit të Volejbollit “Barbana”,
Në nëntor të vitit 2021 filloi rrugëtimi i Klubit të Volejbollit “Barbana”. Sot, teksa afrohemi drejt pesëvjetorit të themelimit tonë, mund të kthejmë kokën pas me krenari për gjithçka që kemi ndërtuar së bashku.
Në tetor të vitit 2022 filluam pjesëmarrjen në garat zyrtare të kategorive të reja. Që nga ajo ditë, numri i vajzave që i janë bashkuar klubit është rritur vazhdimisht. Deri më sot, mbi 100 vajza kanë qenë pjesë e proceseve tona stërvitore dhe garuese, ndërsa aktualisht 65 vajza stërviten rregullisht në klubin tonë.
Jemi veçanërisht krenarë që shumica e sportisteve tona vijnë nga zonat rurale të Komunës së Ulqinit, zona që vazhdojnë të përballen me sfida të shumta ekonomike e sociale. Për këtë arsye, për ne volejbolli nuk ka qenë vetëm sport, por edhe një mundësi për edukim, socializim, zhvillim personal dhe krijimin e mundësive të reja për vajzat tona.
KVF “Barbana” ka zënë një vend të veçantë në historinë e sportit të Ulqinit. Jemi klubi i parë i këtij lloji në komunën tonë që ka krijuar një sistem të organizuar pune me vajza dhe kategori të reja. Kjo është një arritje për të cilën jemi jashtëzakonisht krenarë, sepse përmes punës sonë shumë vajza nga Komuna e Ulqinit por edhe më gjërë patën mundësinë që për herë të parë të përfaqësojnë qytetin e tyre në arenën sportive shtetërore.
Sezoni sportiv 2025/2026 ishte një moment historik për klubin tonë. Për herë të parë morëm pjesë në Ligën e Parë të Malit të Zi. Kjo ishte një arritje e madhe, pasi arritëm të formojmë një ekip senior me të gjitha vajza të dala nga shkolla e volejbollit të klubit tonë. Pikërisht kjo ka qenë dhe mbetet filozofia jonë: të investojmë te vajzat tona dhe të ndërtojmë ekipin nga brenda. Edhe në të ardhmen nuk kemi në plan të ndërtojmë suksesin përmes angazhimit të lojtareve nga qytete të tjera, por do t’u japim përparësi vajzave që janë rritur dhe zhvilluar në “Barbanë”.
Megjithatë, me keqardhje ju njoftojmë se në sezonin 2026/2027 ekipi ynë senior nuk do të marrë pjesë në Ligën e Parë të Malit të Zi.
Ky vendim nuk ka qenë i lehtë. Në fakt, ai është marrë që në muajin korrik, pasi u njoftuam nga Federata e volejbollit të Malit të Zi për ndryshimin e sistemit të garave, sipas të cilit ekipet e Ligës së Parë do të zhvillonin një ligë të përbashkët. Një sistem i tillë do të sillte rritje të konsiderueshme të shpenzimeve, duke përfshirë udhëtime të shpeshta në qytete shumë të largëta, organizimin e ndeshjeve si mikpritës dhe të gjitha kostot e tjera përcjellëse.
Ne kishim hartuar planin vjetor të punës dhe kishim parashikuar shpenzimet për pjesëmarrje në Ligën e Parë ku në atë plan kishim parshikuar edhe mundësine e ndryshimit të sistemint të garave. Mbi bazën e këtij plani aplikuam edhe në konkursin e Komunës së Ulqinit për bashkëfinancimin e klubeve sportive. Fatkeqësisht, mjetet e ndara nga komisioni përkatës nuk mbuluan as një të katërtën e nevojave që kishim planifikuar për funksionimin edhe të ekipit senior.
Nga ana tjetër, përkrahësi ynë kryesor, Fondacioni “Trojet Tona”, ka qenë pranë klubit tonë që nga dita e parë dhe ka luajtur një rol vendimtar në çdo sukses të arritur deri më sot. Përballë nevojave shumë më të mëdha financiare të këtij sezoni, nuk e kemi konsideruar të arsyeshme që të kërkojmë nga fondacioni mbështetje në përmasa kaq të mëdha. Prandaj, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë më të sinqertë për Fondacionin “Trojet Tona”. Ajo që ky fondacion ka bërë për klubin tonë dhe për qindra fëmijë e të rinj të Komunës së Ulqinit mund të përshkruhet vetëm me një fjalë: mrekulli.
Gjatë gjithë këtyre viteve kemi mbetur besnikë ndaj një parimi që na dallon nga shumë të tjerë. Asnjë anëtare e klubit tonë nuk ka paguar kompensim për pjesëmarrje në proceset stërvitore. Përkundrazi, jemi përpjekur që sportisteve tona t’u sigurojmë gjithçka që u nevojitet për t’u marrë me sport: trenerka, uniforma, çanta sportive dhe pajisje të tjera të domosdoshme. Gjithashtu, gjatë udhëtimeve për ndeshje, klubi është kujdesur edhe për shpenzimet e ushqimit të sportisteve. Ky parim nuk do të ndryshojë as në të ardhmen.
Por “Barbana” nuk dorëzohet.
Në sezonin 2026/2027 vajzat tona seniore, të cilat ende janë në moshë shumë të re, do të garojnë në Ligën e Dytë të Malit të Zi.
Njëkohësisht, klubi do të vazhdojë pjesëmarrjen në garat e kategorive të reja, ndërsa do të paraqitet edhe me një ekip djemsh të moshave të reja.
Ne besojmë se investimi te fëmijët dhe të rinjtë është investimi më i vlefshëm që mund të bëhet. Për këtë arsye do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim, të zhvillojmë talente të reja dhe të krijojmë mundësi për gjeneratat që vijnë.
Pavarësisht sfidave, mbetemi krenarë që kemi shkruar një kapitull të ri në historinë sportive të Ulqinit dhe që kemi dëshmuar se me punë, vullnet dhe përkushtim mund të ndërtohen gjëra të bukura edhe në kushte të vështira.
Klubi i Volejbollit “Barbana” do të vazhdojë rrugëtimin e tij. Do të mbijetojë dhe do të ecë përpara, ashtu si lumi krenar emrin e të cilit mban.
Me respekt,
Valdet Kurti
Kryetari i KVF “Barbana”
Ulqin, shtator 2026
