
Me mbrëmjen letrare homazh kushtuar shkrimtarit, teoricienit dhe studiuesit të letërsisë Akademik Rexhep Qosja, i ndarë nga jeta në prill të këtij viti, sonte në muzeun në Kalanë e Ulqinit do të hapet edicioni XXXIV i manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”. Për jetën dhe krijimtarinë e autorit do të flasin shkrimtari dhe profesori universitar Ag Apolloni dhe botuesja Irena Toçi, pjesë nga krijimtaria e tij do të lexojë aktori Naim Berisha, ndërsa mbrëmja do të moderohet nga poeti dhe studiuesi i letërsisë Dr. Haxhi Shabani.
Dy mbrëmjet e tjera autoriale do t’u kushtohen shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë Anila Mullahi – Elezi dhe Gëzim Aliu.
“Kalimera Poetike” është sot imazhi letrar dhe kulturor i Ulqinit dhe i shqiptarëve në Malin e Zi. Me traditën dhe trashëgiminë e saj, ajo zë vend nderi në hartën e festivaleve letrare që organizohen në hapësirën shqiptare në rajon dhe në vetë Malin e Zi.
Shënim: Në rast të motit me shi, mbrëmja autoriale do të mbahet në Kullën e Balshajve (në kuadër të kompleksit muzeal në Kalanë e Ulqinit)!
