(25 vjet nga tragjedia që tronditi Amerikën dhe mbarë njerëzimin)
Nga Xheladin Zeneli
11 Shtatori 2001 nuk është thjesht një datë në kalendar. Është një nga ato ditë që historia e ndan në “para” dhe “pas”. Mëngjesi i asaj dite solli një tragjedi të paprecedentë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me pasoja të mëdha në mbarë botën.
Sulmet terroriste goditën Kullat Binjake në Nju Jork dhe në Pentagon (Uashington DC) , duke marrë jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm. Mes viktimave kishte njerëz të kombësive, besimeve dhe prejardhjeve të ndryshme. Ata ishin punëtorë, prindër, fëmijë, emigrantë dhe qytetarë që atë mëngjes dolën nga shtëpitë e tyre pa e ditur se nuk do të ktheheshin më.
Nju Jorku, qyteti simbol i lirisë, demokracisë dhe mundësive, u përball me një nga ditët më të errëta të historisë së tij.Pas asaj dite, bota ndryshoi. Ndryshuan mënyra e jetesës, siguria, udhëtimet, marrëdhëniet ndërkombëtare,rendi botëror dhe perceptimi për kërcënimet globale. Por mbi të gjitha, 11 Shtatori na mësoi se paqja dhe toleranca nuk janë të garantuara përgjithmonë. Ato duhet vazhdimisht të mbrohen.
Tre shqiptarë që mbetën përgjithëmonë në kujtesën e Amerikës
Në mesin e atyre që humbën jetën në Kullat Binjake të Nju Jorkut ishin edhe tre shqiptarë: Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj.Ata ishin njerëz të punës, emigrantë që kishin ardhur në Amerikë për një jetë dhe të ardhme më të mirë, për familjet e tyre .
Rrok Camaj, me origjinë nga Malësia e Madhe, punonte prej vitesh në Qendrën Botërore të Tregtisë, duke pastruar xhamat e ndërtesave. Atë mëngjes tragjik ai ndodhej në katet e larta të kullës. Në një nga telefonatat e fundit me familjen, ai u përpoq të qetësonte të afërmit e tij, duke e kuptuar se gjithçka mund të kishte marrë një kthesë tragjike.
Mon Gjonbalaj, me prejadhje nga Kosova, kishte punuar për shumë vite në Qendrën Botërore të Tregtisë. Mëngjesin e 11 Shtatorit, ai ishte në punë si zakonisht. Telefonata e tij e fundit me familjen mbeti një kujtim i dhimbshëm dhe i paharrueshëm për të gjithë ata që e donin.
Simon Dedvukaj, vetëm 26 vjeç, ishte më i riu nga tre shqiptarët. Ai punonte në mirëmbajtjen e Qendrës Botërore të Tregtisë. Një jetë e re, një familje, ëndrra dhe një e ardhme që u ndërprenë shumë herët dhe në mënyrë tepër të dhimbshme.
Tre histori të ndryshme, por një fat i përbashkët.Ata u larguan nga kjo botë më 11 Shtator 2001, por emrat e tyre mbetën të gdhendur në kujtesën e Amerikës dhe në kuitesën dhe zemrat e komunitetit shqiptar.
Sot, 25 vjet më pas, nuk kujtojmë vetëm mënyrën se si vdiqën. Kujtojmë si jetuan: si shqiptarë, si emigrantë, si punëtorë, si baballarë, bashkëshortë, bij, vëllezër dhe miq.
Historia e tyre është edhe pjesë e historisë së shqiptarëve në Amerikë — e një komuniteti që, me punë dhe sakrificë, ka ndërtuar jetën e tij në këtë vend dhe është bërë pjesë e pandashme e shoqërisë amerikane.
Nuk ndryshoi vendosmëria e popullit amerikan për vlerat e lirisë
11 Shtatori nuk ishte thjesht një sulm ndaj Amerikës. Ishte një sulm ndaj një modeli shoqëror që bazohet në lirinë e individit, pluralizmin, tolerancën dhe paqën. 11 Shtatori na kujton gjithashtu se sa e brishtë mund të jetë paqja. Një qytet i madh mund të paralizohet brenda pak orësh. Familje të tëra mund të humbasin jetën e tyre në një moment. Një brez i tërë mund të rritet me kujtimin e një dite që nuk do ta harrojë kurrë. Por Amerika nuk u dorëzua. Nju Jorku nuk u dorëzua. Nga rrënojat u ngrit një mesazh i fuqishëm: terroristët mund të shkatërrojnë ndërtesa, por nuk mund të shkatërrojnë një ideal.
Pra, 11 shtatori ndryshoi shumë çka , por ajo që nuk ndryshoi është vendosmëria e popullit amerikan që gjithnjë të ndjek dhe të vazhdojë rrugën e lirisë,demokracisë dhe jo vetëm për popullin e vet, por edhe për të gjithë ata popuj tjerë të botës, ku sfidohen apo cenohen vlerat të shenjta të shoqërive demokratike.
Sot, kur kujtojmë viktimat, duhet të kujtojmë edhe ata që vrapuan drejt rrezikut ndërsa të tjerët përpiqeshin të largoheshin. Policë, zjarrfikës, punonjës emergjence dhe qytetarë të zakonshëm që treguan se në momentet më të errëta, njerëzimi mund të nxjerrë në pah edhe anën e tij më të mirë.
Gjithashtu kujtojmë se at ditë të kobshme të shtatorit nuk fitoi urrejtja , por fitoi dhe dominoi dashuria,paqa, toleranca dhe vlerat më të larta të dinjitetit njerëzor.
11 Shtator 2026

