
Votë për vlerat evropiane dhe mesazh për të ardhmen e Malit të Zi
Aleanca Shqiptare ka dalë me një qëndrim të përbashkët lidhur me iniciativën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq. Në një kumtesë drejtuar opinionit, partitë që përbëjnë Aleancën Shqiptare theksojnë se mbështetja e tyre për shkarkimin nuk është e motivuar nga përkatësi politike, por nga nevoja për mbrojtjen e vlerave civilizuese, evropiane dhe demokratike. Njëkohësisht, Aleanca vë në pah rëndësinë e rolit të pakicave në zhvillimin demokratik të Malit të Zi dhe kërkon një dialog më serioz për përfaqësimin politik, decentralizimin dhe barazinë në vendimmarrje.
KUMTESË PËR OPINION E ALEANCËS SHQIPTARE
ALEANCA SHQIPTARE UNANIMISHT PËR SHKARKIMIN E MANDIQIT: ZGJEDHJE CIVILIZUESE DHE MESAZH PËR TË ARDHMEN E MALIT TË ZI
Aleanca Shqiptare, e cila përbëhet nga Forca e Re Demokratike FORCA, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi, është unanime në vendimin për të mbështetur shkarkimin e Andrija Mandiqit nga funksioni i kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi.
Për ne, kjo nuk është çështje e marrëdhënies me një parti politike, e as mbështetje për dorëzuesin e iniciativës. Kjo është çështje civilizimi dhe vlerash.
Ratko Mlladiqi është dënuar me vendim të plotfuqishëm për gjenocid dhe krime lufte. Lartësimi i të dënuarve për krime lufte, relativizimi i veprave të tyre apo përpjekja për t’i paraqitur si heronj, nuk janë në pajtueshmëri me vlerat e Malit të Zi modern, qytetar dhe evropian. Kryetari i Kuvendit ka përgjegjësi të posaçme për të përfaqësuar të gjithë qytetarët dhe për të mbrojtur me veprimet e tij dinjitetin e institucionit në krye të të cilit ndodhet.
Prandaj, votën për shkarkimin e Andrija Mandiqit e kuptojmë si votë për vlerat evropiane, kulturën e përgjegjësisë dhe kujtesës, dhe të ardhmen evropiane të Malit të Zi. Në Bashkimin Evropian nuk hyhet vetëm duke mbyllur kapitujt negociues. Në Evropë hyhet edhe me vlerat që jemi të gatshëm t’i mbrojmë atëherë kur është më vështirë.
Peshë të veçantë politike ka fakti që përfaqësuesit e partive të pakicave u vendosën në të njëjtën anë kur bëhet fjalë për këtë çështje. Kjo nuk duhet parë si rreshtim i pakicave në një bllok politik, por si mesazh që duhet dëgjuar me seriozitet.
Popujt pakicë, gjatë të gjitha periudhave kyçe të Malit të Zi modern, kanë qenë mbështetje e sigurt për karakterin e tij qytetar, pavarësinë, anëtarësimin në NATO dhe rrugën evropiane. Edhe sot, kur duhet tërhequr një kufi të qartë ndaj lartësimit të krimeve të luftës, qëndrimi i tyre është i një mendimi.
Por pikërisht për këtë arsye presim që me të njëjtin seriozitet, të dëgjohet edhe zëri i popujve pakicë kur flasim për të drejtat e tyre dhe kërkesat legjitime politike.
Ekziston hapësirë dhe nevojë për një dialog shumë më serioz rreth përfaqësimit të garantuar politik të pakicave dhe modelit të mandateve të garantuara, rreth decentralizimit të vërtetë të shtetit, decentralizimit fiskal dhe forcimit të vetëqeverisjes lokale, si dhe rreth menaxhimit të të mirave detare dhe kthimit komunave bregdetare të drejtën për të vendosur për hapësirën dhe resurset nga të cilat varet drejtpërdrejt zhvillimi i tyre.
Për shqiptarët këto janë çështje barazie dhe besimi në institucione. Mali i Zi evropian nuk mund të insistojë njëkohësisht në standardet evropiane kur ato janë politikisht të përshtatshme, ndërsa t’i shtyjë kur kërkojnë decentralizim, përfaqësim të barabartë dhe pjesëmarrje të vërtetë të pakicave në vendimmarrje.
Prandaj bashkimi i sotëm i partive të pakicave duhet kuptuar edhe si mundësi. Ai tregon se pakicat mbeten mbështetje e fortë e Malit të Zi qytetar dhe evropian, por edhe se ekziston nevoja që marrëdhënia e tyre me shumicën politike të ndërtohet mbi respekt, besim dhe dialog të sinqertë më të madh reciprok.
Aleanca Shqiptare dëshiron të jetë pjesë e një dialogu të tillë.
Vota jonë për shkarkimin e Andrija Mandiqit është votë për një kufi të qartë civilizues ndaj lartësimit të kriminelëve të luftës. Por njëkohësisht zgjasim dorën për bisedë se si të ndërtojmë së bashku një Mal të Zi më të decentralizuar, më të drejtë dhe më evropian, në të cilin popujt pakicë do të jenë jo vetëm mbështetje për rrugën e tij evropiane, por pjesëmarrës të barabartë në sjelljen e vendimeve për të ardhmen e tij.
Me respekt,
Aleanca Shqiptare
