
Foto: Facebook/IPSHF “Bedri Elezaga” Katërkollë
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, përfaqësuesit më të lartë të Komunës së Ulqinit morën pjesë në aktivitetet e organizuara në dy shkolla fillore të qytetit. Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, ishte i pranishëm në pritjen solemne të nxënësve të klasave të para në ShF “Marshall Tito”, ndërsa nënkryetari Petar Deliq vizitoi ShF “Boshko Strugar”, ku u njoh edhe me ecurinë e punimeve për renovimin e sallës së fiskulturës.
Në të dyja rastet, Komuna e Ulqinit theksoi përkushtimin e saj për mbështetjen e institucioneve arsimore dhe investimet në përmirësimin e kushteve për nxënësit.
Megjithatë, ndryshe nga këto dy shkolla, në ceremoninë e pritjes së nxënësve të klasave të para në SHF “Bedri Elezaga” në Katërkollë nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i Komunës së Ulqinit.
Sipas postimit të publikuar nga vetë shkolla, ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive si në shkollën amë, ashtu edhe në paralelet e ndara, ku nxënësit e rinj u pritën me dhurata dhe mesazhe mirëseardhjeje. Në njoftim përmendet se fillestarët morën dhurata nga Kryetari i Komunës së Ulqinit dhe nga kompania Plazma, si dhe fletë-mirëseardhjeje nga drejtoria e shkollës, por pa praninë fizike të ndonjë zyrtari komunal.
Kjo ka ngjallur pyetje në opinionin lokal nëse shkollat në territorin e Komunës së Ulqinit po trajtohen me të njëjtin nivel vëmendjeje në ngjarje simbolike si fillimi i vitit të ri shkollor. Duke qenë se SHF “Bedri Elezaga” është një nga institucionet më të rëndësishme arsimore në Anën e Malit dhe pjesë e sistemit arsimor të Komunës së Ulqinit, mungesa e një delegacioni komunal në ceremoninë e saj nuk ka kaluar pa u vënë re.
Ndërsa Komuna ka theksuar vazhdimisht se arsimi dhe fëmijët mbeten ndër prioritetet e saj kryesore, mbetet për t’u parë nëse do të ketë një sqarim zyrtar lidhur me mungesën e përfaqësuesve komunalë në ceremoninë e organizuar në Katërkollë.
