
Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike që lidhen me iniciativën për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, pas deklaratave dhe veprimeve të tij në lidhje me Ratko Mladiqin. LD në MZ thekson se qëndrimi i saj kundër Mandiqit nuk buron nga iniciativa e DPS-së, por është një pozicion i pandryshuar dhe parimor që nga momenti i zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit. Partia u bën thirrje deputetëve shqiptarë dhe boshnjakë që të mbajnë një qëndrim të qartë politik, njerëzor dhe moral ndaj glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte.
KUMTESË PËR OPINIONIN PUBLIK
KUMTESË PËR OPINIONIN PUBLIK
Qëndrimi ynë ndaj Andrija Mandiqit ka qenë i qartë që nga fillimi
Lidhja Demokratike në Mal të Zi ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit politike lidhur me iniciativën për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, pas deklaratave dhe veprimeve të tij publike në lidhje me kriminelin e luftës Ratko Mladiq.
Në këtë kontekst, LD në MZ dëshiron të bëjë të qartë se qëndrimi ynë nuk është rezultat i iniciativës së DPS-it / PDS-së dhe as nuk përbën mbështetje politike për atë iniciativë.
Qëndrimi i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi ndaj Andrija Mandiqit dhe shumicës parlamentare ka qenë i qartë, parimor dhe koherent që nga dita e parë.
Që në momentin kur u bë e ditur se Andrija Mandić do të zgjidhej Kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, në kuadër të marrëveshjes për formimin e shumicës parlamentare me subjektet pro-serbe, me mbështetjen e Lëvizjes “Evropa Tani”, Partisë Boshnjake dhe një pjese të subjekteve politike shqiptare, LD në MZ e ka kundërshtuar publikisht dhe kategorikisht këtë zgjidhje politike.
Për ne, çështja nuk ka qenë dhe nuk është vetëm emri i një personi, por parimet mbi të cilat duhet të ndërtohen institucionet e një shteti demokratik, qytetar dhe evropian.
Këtë qëndrim ia kemi komunikuar edhe Presidentit të Malit të Zi, z. Jakov Milatoviq, gjatë takimit konsultativ për përcaktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.
Që atëherë kemi bërë të qartë se, nëse në shumicën parlamentare do të përfshiheshin subjektet pro-serbe dhe në krye të Kuvendit do të ishte Andrija Mandić, LD në MZ nuk do ta mbështeste kandidaturën e Millojko Spajiqit për Kryeministër.
Ky nuk ishte një qëndrim i marrë pas formimit të Qeverisë dhe as reagim ndaj zhvillimeve të ditëve të fundit. Ishte qëndrimi ynë para se të formohej shumica dhe Qeveria.
Si rezultat i këtij qëndrimi, LD në MZ nuk është pjesë e Qeverisë së Malit të Zi.
Ditëve të fundit është bërë publike iniciativa e DPS-it / PDS-së për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, pas deklaratave dhe veprimeve të tij publike në lidhje me Ratko Mladiqin, përfshirë nderimin e figurës së tij dhe shprehjen e ngushëllimeve familjes së tij.
Në këtë pikë dëshirojmë të jemi shumë të qartë:
LD në MZ nuk po i bashkohet iniciativës së DPS/PDS-së dhe nuk bëhet fjalë për mbështetje të ndonjë iniciative të tyre politike.
Qëndrimi ynë është i pavarur, parimor dhe i njëjtë me atë që kemi mbajtur që në fillim.
Ne nuk kemi nevojë të presim iniciativën e DPS/PDS-së për të konstatuar atë që kemi thënë para formimit të shumicës:
Andrija Mandiq nuk është dashur të zgjidhej Kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Deklaratat dhe veprimet e tij të fundit në lidhje me Ratko Mladiqin, përfshirë nderimin e figurës së tij dhe shprehjen e ngushëllimeve familjes së tij, vetëm sa e bëjnë edhe më të qartë se shqetësimet që kemi ngritur që në fillim nuk kanë qenë të pabazuara.
Për LD në MZ është e papranueshme që në krye të institucionit më të lartë përfaqësues të qytetarëve të Malit të Zi të jetë një person që me deklaratat dhe veprimet e tij publike nderon apo glorifikon një person të dënuar për krime të rënda lufte.
Në këtë situatë, Lidhja Demokratike në Mal të Zi u bën një thirrje të qartë dhe publike të gjithë deputetëve shqiptarë dhe boshnjakë në Kuvendin e Malit të Zi.
Pikërisht ndaj përfaqësuesve të popujve shqiptar dhe boshnjak, të cilët kanë përjetuar drejtpërdrejt pasojat e politikave të luftës, dëbimeve dhe krimeve të kryera nga e njëjta politikë nacionaliste që sot përfaqësohet dhe glorifikohet përmes figurave të tilla, pritshmëria e qytetarëve është edhe më e madhe.
Sot nuk kërkohet prej tyre një qëndrim partiak. Kërkohet një qëndrim parimor, njerëzor dhe moral.
Nuk është e nevojshme t’u tregojmë se cili duhet të jetë ai qëndrim.
Ai qëndrim dihet.
Kur glorifikohet një person i dënuar për krime lufte, kur nderohet figura e tij dhe kur familjes së tij i shprehen ngushëllime nga Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, heshtja nuk mund të jetë përgjigjja e atyre që përfaqësojnë popuj të cilët kanë vuajtur nga ajo politikë.
Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve shqiptarë dhe boshnjakë që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të përgjegjshëm politik, njerëzor dhe moral ndaj këtyre veprimeve.
Nuk mund të ketë ekuivalencë morale mes viktimave dhe atyre që glorifikojnë përgjegjësit e krimeve.
Për ne, qëndrimi i drejtë është ai që mbron dinjitetin e viktimave, të vërtetën historike dhe drejtësinë, dhe që kundërshton çdo përpjekje për rehabilitimin apo glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Sot nuk është koha për heshtje, kalkulime apo arsyetime të interesit të ngushtë politik. Është koha për të treguar se cilat janë parimet mbi të cilat qëndrojmë.
Dhe për këtë arsye, u bëjmë thirrje deputetëve shqiptarë dhe boshnjakë: mbani qëndrim të drejtë. Ai qëndrim dihet.
Qëndrimet tona varen nga parimet politike dhe përgjegjësia jonë ndaj qytetarëve.
Ne nuk kemi qenë pjesë e kësaj shumice parlamentare, nuk kemi marrë pjesë në formimin e kësaj Qeverie dhe nuk mbajmë përgjegjësi për vendimet e saj.
LD në MZ ka qenë dhe mbetet konsekuente në kërkesën për një Mal të Zi demokratik, qytetar, multietnik dhe të orientuar drejt Bashkimit Evropian, ku institucionet shtetërore duhet të respektojnë viktimat e krimeve të luftës dhe të mos lejojnë glorifikimin e atyre që janë përgjegjës për krime të tilla.
Ne nuk e kemi ndryshuar qëndrimin dhe nuk po kërkojmë sot të përcaktojmë “anën”.
Ne e kemi përcaktuar qëndrimin tonë që në fillim.
Dhe pikërisht për këtë arsye, sot kemi të drejtë të themi:
Koha nuk e ka ndryshuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike në Mal Zi zhvillimet e fundit vetëm e kanë dëshmuar drejtësinë e tij.
KRYETARI, Mr.Saubih Mehmeti, ing. i dipl. i tek.
______________________________
