Pushteti është një fenomen  sa i domosdoshëm, aq edhe i rrezikshëm, pasi ai tenton të zgjerohet në përmasa të jashtëzakonshme, ndërsa njeriu – si bartës i pushtetit dhe qenie e papërsosur – është i prirur ta keqpërdorë atë.

Nga Akad. Nikë GASHAJ

Për sa i përket pozitës së qytetarit, lirisë dhe të drejtave të tij, çështja e mundësisë së vendosjes dhe funksionimit të sundimit të ligjit në rrethanat tona është thelbësore. Një vlerësim kritik i pozitës së qytetarit në sistemin juridik të Malit të Zi, nga këndvështrimi i pozitës së tij kushtetuese, është i domosdoshëm pikërisht për të siguruar parakushtet për funksionimin e shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.

Kushtet e domosdoshme për funksionimin e sundimit të ligjit në rrethanat tona, ndonëse kanë të bëjnë me ligjin, si rregull, qëndrojnë jashtë sferës së ligjit. Bëhet fjalë, konkretisht për vulltetin politik për ta ushtruar pushtetin mbi parimet e ligjit.

Analiza kritike duhet të përqendrohet në mënyrë specifike te  marrëdhënia midis qytetarit dhe autoriteteve shtetërore në fusha të ndryshme ligjore. Ajo duhet të shërbejë për të përcaktuar pozicionin real të qytetarit sa i përket sendërtimit të lirive dhe të drejtave të tij.

Krahas të tjerash, duhet kërkuar përgjigje edhe për shkallën në të cilën organet shtetërore funksionojnë si shërbime shoqërore – pra, si shërbime për qytetarët në realizimin e të drejtave dhe lirive të tyre – dhe në ç’ masë ato përbëjnë një instrument të pushtetit burokratik, i cili e shndërron pozitën kushtetuese të qytetarit si subjekt të qeverisjes në një pozitë jokushtetuese si objekt i një pushteti të huajësuar dhe të burokratizuar, i cili, për nga vetë natyra e tij, tenton t’i kufizojë dhe t’ua vështirësojë qytetarëve realizimin e të drejtave dhe lirive të tyre.

Ideja e sundimit të ligjit lidhet me një nga problemet  më të zakonshme dhe të shpeshta të njeriut, për çështjen e organizimit të pushtetit- qeverisjes, si një faktor rregullues, kontrollues dhe koheziues të bashkësisë njerëzore. Megjithatë, natyra e pushtetit dhe natyra e njeriut janë kategori tejet problematike. Pushteti është një fenomen sa i domosdoshëm, aq edhe i rrezikshëm, pasi ka prirjen për t’u zgjeruar në përmasa të jashtëzakonshme; ndërsa njeriu, si bartës i pushtetit dhe si qenie e papërsosur, është i prirur ta keqpërdorë atë. Pikërisht për këtë arsye, që kur u shfaq ideja e të drejtave të njeriut, ka ekzistuar gjithmonë përpjekja për të gjetur një model organizimi të qeverisjes që do t’u përshtatej nevojave të përgjithshme e publike – pra, nevojave të atyre në emër dhe për hir të të cilëve ushtrohet qeverisja.

Poblemi themelor gjithmon ka qenë se mbi çfarë duhet të bazohet qeverisja dhe mënyra e ushtrimit të saj, me qellim që ajo të jetë në interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Kështu, çështja e kufizimit të pushtetit në esencë ka të bëjë me problemin, se si të parandalohet privatizimi i tij. Në atë kuptim janë krijuar koncepte mjaftë të ndryshme për organizimin dhe ushtrimin e pushtetit, respektivisht konceptet e  instucionalizimit të tij – pra,  të gjitha me synimin për të siguruar kontrollin dhe frenimin e tij.

Në fushën e ligjbërjes – veçanërisht sa u përket miratimit të legjislacionit – parlamenti duhet të funkcionojë vërtet si një organ përfaqësues, jo thjesht në kuptimin formal, por edhe për sa i përket pasqyrimit të preferencave të formuara nga vullneti dhe nevojat e elektoriatit, popullit dhe qytetarëve. Parlamenti duhet ta ushtrojë funksionin e tij të përfaqësimit të atij vullneti dhe të atyre nevojave përmes ligjeve të mira, e jo përmes nevojës dhe vullnetit aktual të partive në pushtet.

Një lidhje e rëndësishme midis përmbajtjes së ligjeve dhe zbatimit të tyre është funksionimi i mekanizmit të kontrollit të kushtutshmerisë, i cili realizohet kryesisht përmes punës së gjyqësorit kushtetues. Gjyqësori kushtetues duhet të luajë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në shtetin juridik. Prandaj, ai duhet t’i nënshtrohet plotësisht idesë së të drejtës dhe etikës së jurisprudencës. Ai nuk duhet të jetë një instrument politik që synon devalvimin e drejtësisë. Sistemi gjyqësor ka një rëndësi të veçantë për konceptin e shetit të së drejtës. Përmes tij realizohet funksioni bazë i jetësimit, respektivisht zbatimi i të drejtave.

Gjyqtari duhet të jetë i lirë dhe i pavarur, gjë që duhet të shprehet përmes statusit të tij( për shembull, zgjedhja e gjyqtarëve) dhe punës së tij të drejtpërdrejtë. Edhe në botën antike ekzistonte një rregull e shenjtë: “Të shkosh në gjykatë do të thotë të kërkosh drejtësi”. Sistemin juridik e legjitimon më së miri gjyqësia e tij, por në anën tjetër, atë e delegjitimon gjyqësia e keqe.

Po qe se gjykatat e veçanta vendosin sipas diktatit të pushtetit ekzekutiv dhe nën presionin e tyre, atëherë këtu nuk ka as pavarësi gjyqësore, as ndarje të pushtetit dhe as pushtet të së drejtës. Kur populli në dëshprimin e vet dëshiron të shprehë se sa është e papërshtatshme një situatë dhe sa poshtë mund të bjerë një vend duke marrë parasysh gjendjen e ligjshmërisë dhe të pasigurisë së pozitës së njeriut, atëherë përdor shprehjen “Nuk ka as gjykatë as ligj”. Vështirësitë dhe problemet e vendosjes së pushtetit të së drejtës përndryshe janë të mëdha, e sidomos nëse situata ndokund bëhet e afërt me këtë vlerësim popullor.

Sigurisht, është shumë e rëndësishme që puna e organeve administrative t’i  nënshtrohet ligjit, ku filloi koncepti i sundimit të ligjit. Pushteti i organeve administrative duhet të bazohet në parimin e pështatshmerisë në aspektin publik, që do të thotë interesit të përgjithshëm publik dhe jo atij privat, apo të ndonjë interesi dhe arsye tjetër të veçantë. Në këtë fushë, keqpërdorimet janë më të shpeshta dhe të ndjeshme.

Vetëdija ligjore është tejet e rëndësishme për ndërtimin e një sistemi ligjor. Megjithatë, një faktor kaq i rëndësishëm për funkcionimin e ligjit, siçë është vetëdija juridike, në vendin tonë ndodhet në një nivel aspak të lakmueshëm. Ekziston një mosbesim i përhapur ndaj institucioneve, ndërsa ndjesia e pasigurisë dhe e mungesës së mbrojtjes te një numer i madh njerëzish theksohet gjithnjë e më shumë. Kjo ngjan pothuajse me një “ikje nga ligji”. Kjo situatë nuk ka si te mos reflektohet te vetëdija ligjore e qytetarëve. Vetëdija e pazhvilluar ligjore kontribuon në cenimin e të drejtave, në krijimin e strukturave paralele, jolegjitime dhe të paligjshme të pushtetit, si dhe në shkatërrimin e sistemit ligjor si të tillë.

Në Mal të Zi, ndjesia e paligjshmërisë dhe korrupsionit ka qenë e pranishme prej kohësh. Njeriu ynë i zakonshëm – qytetari mesetar e përcepton veten si një qenie pa fuqi. Konfliktet shpesh zgjidhen me mjete jashtë-institucionale, ndërsa marrëdhëniet në shoqëri – veçanërisht ato ekonomike – janë thellësisht të kriminalizuara. Mbizotëron një klimë militante. Aparati shtetëror politizohet gjithnjë e më shumë. Prandaj, nuk është e qartë se mbi çfarë parimesh dhe në çfarë mase funksionon ajo që ne e quajmë sistem demokratik.

Më në fund, në Mal të Zi, sundimi i ligjit zbatohet kryesisht sipas formulës: “Ai/ajo është një nga tanët – kryeje punën” – dhe ja, puna kryhet! Sipas të gjitha gjasave, një formulë e tillë e “shtetit të së drejtës” vështirë se do të çrrënjoset ndonjëherë në vendin tonë, sepse ajo varet nga mentaliteti i njerëzve në këto troje, nga ndërgjegjja dhe vetëdija e tyre, nga kultura e përgjithshme shoqërore e pazhvilluar.

By admini

Leave a Reply