Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen e papritur nga jeta të profesorit të njohur të Fizikës, Abaz Mustafa, i cili u nda nga familja, miqtë, kolegët dhe ish-nxënësit në moshën 72-vjeçare.

Profesor Abaz Mustafa ishte një ndër emrat më të respektuar të arsimit në Ulqin. Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare në mësimdhënie, ai edukoi dhe formoi breza të tërë nxënësish, duke ua përcjellë me përkushtim njohuritë në fushën e fizikës dhe shkencave natyrore, shkruan Ulqini Online.

Një pjesë të madhe të jetës profesionale e kaloi në Shkollën e Mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, ku për dekada me radhë ligjëroi lëndën e Fizikës. Me profesionalizmin, seriozitetin dhe qasjen e tij pedagogjike, ai fitoi respektin e nxënësve dhe kolegëve, duke mbetur një figurë e dashur në kujtesën e shumë gjeneratave.

Vitet tjera të karrierës së tij ai i kaloi në Shkollën Fillore “Marshall Tito” po në Ulqin, ku vazhdoi me të njëjtin përkushtim misionin e edukatorit dhe mësuesit, duke kontribuar në formimin e nxënësve të rinj dhe në zhvillimin e arsimit në komunën e Ulqinit.

Largimi i profesorit Abaz Mustafa përbën një humbje të madhe për familjen, komunitetin arsimor dhe qytetin tonë. Trashëgimia e tij do të jetojë përmes mijëra nxënësve që pati ndër vite dhe përmes respektit që fitoi me punën dhe përkushtimin e tij.

Familjes Mustafa, të afërmve, miqve, kolegëve dhe ish-nxënësve u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.

U prehtë në paqe profesori Abaz Mustafa.

By admini

Leave a Reply