(Me rastin e 85 vjetorit të ngritjes së flamurit shqiptar në Ulqin)
Nga Xheladin Zeneli
Me 14 Qershor 1941, u ngrit flamuri shqiptar në mënyrë të organizuar në Ulqin nga banorët shqiptarë të këtij qyteti me rrethinë. Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme historike duke pasur parasysh faktin se kjo ishte ngritja e flamurit shqiptar në mënyrë të organizuar për herë të parë, pas rënies së Ulqinit nën Malin e Zi në vitin 1880.
Në ngritjen e flamurit ishin prezent me mijëra shqiptar nga Ulqini, Ana e Malit, Shtoji,Zogaj, Kraja etj. Vetë fakti që ky manifestim i bashkoj shqiptarët pa dallim besimi fetar, dëshmon për ndjenjën dhe vetëdijën e lartë kombëtarë të banorëve të atëherëshëm shqiptar të kësaj treve.
Ja si e përshkruan këtë ngjarje Rrok Mark Dush Shkreli, si pjesëmarrës dhe dëshmitar i saj në librin e tij “Në Valët e Jetës”:
“…. Në ditën e Korpit dhe gjakut të Krishtit, më datë 14 Qershor të vitit të shenjtë 1941 edhe në Ulqin ngritëm Flamurin e lavdishëm kombëtar ku mora pjesë edhe unë personalisht, madje pata nderin e madh që me dorën time ta vendos në shtizë në kompanjelin e Kishës famullitare të Shën Zefit në Ulqin. Atë ditë ishte mbledhur popull i madh nga Ana e Malit, Ulqini me rrethina, Shestani e Kraja që kishin ardhur në panagjyrën dhe procesionin e madh përditën e Korpit te Krishtit dhe për festen e Flamurit qe po pergatiteshim ne.Erdhën edhe krerët e iu bashkuan popullit, Dom Nikollë Tusha, Caf Beg Ulqini, Dom Ivo Bellashi, Hoxhë Llunja, Lush Paloka, Dede Gjo Nike Delija, Selë Lamja me të birin Elezin, Rexhep Dollaku e shumë ulqinakë me ta…”.
Shumica e organizuesve dhe drejtuesve të këtij manifestimi kombëtar, më vonë do të ndiqen dhe persekutohen nga regjimi i kohës.Lidhur me këtë, Fahri Buçinca në librin e tij “ Cafo Beg Ulqini” shkruan:
“Paria intelektuale dhe atdhetarët që udhëheqnin në organizmin e ketij manifestimi për ngritjen e flamurit kombëtar, u persekutuan nga Partia Komuniste posa ata instaluan pushtetin e tyre në Nëntor të vitit 1944 e sidomos gjatë vitit 1945.Bëhet më dije së nga dora e armikut janë vrarë më se 70 qytetarë të Ulqinit dhe të rrethinës, kurse një numër i konsideruar janë dënuar deri në 20 vite burgim e disa madje edhe pushkatuar”.
Paradoksi i partive politike shqiptare në Komunën e Ulqinit
Është për keqardhje që 14 Qershori kalon për çdo vit pa u shënuar, kështu që edhe këtë vit si vit jubilar i saj, nuk pati asnjë organizim lidhur me përkujtimin e kësaj date të rëndësisshme për shqiptarët e Komunës së Ulqinit.
Shqiptarët në Mal të Zi, kanë të drejtë e tyre kushtetuese që të shënojnë dhe të përkujtojnë ngjarjet e tyre historike kombëtare, por për çudi ata këtë të drejtë shpeshëherë nuk e ushtrojnë aq sa duhet. Në Komunën e Ulqinit aktualisht pushtetin e mbajnë partitë politike shqiptare.
Paradoksi më i madh është janë këto partitë shqiptare që e quajnë vehten ‘parti nacionale’ e që gjatë fushatave të tyre zgjedhore bartin dhe valvisin flamurin shqiptar por kur është rasti për të përkujtuar dhe festuar një ngjarje të rëndësishme siç është përvjetori i ngritjes së këtij flamuri në Ulqin, 85 vite më parë, ata si të tillë, e injorojnë dhe e anashkalojnë. Pra, flamuri shqiptar është i mirë për të mbledhur vota gjatë fushatave zgjedhore por jo edhe për të kujtuar sakrificat e atyre që kontribuan aq shumë në ushtrimin e kësaj të drejteje kombëtare qe ata e gëzojnë sot.
14 Qershor 2026

