Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, mori pjesë në takimin e 24-të të Komitetit të Përbashkët Konsultativ ndërmjet Komitetit Evropian të Rajoneve dhe Malit të Zi në Bruksel.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, qëndroi në një vizitë pune në Bruksel nga data 1 deri më 3 qershor, ku mori pjesë në takimin e 24-të të Komitetit të Përbashkët Konsultativ ndërmjet Komitetit Evropian të Rajoneve dhe Malit të Zi.

Takimi u bashkëkryesua nga Nikolla Dobrosllaviq dhe Radosh Zhugiq, ndërsa fokusi i këtij edicioni ishte forcimi i komunikimit të procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian në nivel lokal, si dhe parandalimi i dezinformatave dhe avancimi i rolit të mediave lokale.

Në kuadër të sesionit të parë tematik u diskutua për mënyrat e afrimit të procesit të integrimit evropian me qytetarët përmes temave konkrete që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të komuniteteve lokale në rrugën evropiane të Malit të Zi. Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të vetëqeverisjeve lokale në zbatimin e politikave evropiane dhe përmirësimin e komunikimit me qytetarët lidhur me reformat, obligimet dhe përfitimet që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Kryetari Nimanbegu theksoi se vetëqeverisjet lokale kanë një rol kyç në afrimin e vlerave evropiane me qytetarët, pasi pjesa më e madhe e politikave dhe standardeve të Bashkimit Evropian zbatohen pikërisht në nivel lokal.

“Komuna e Ulqinit mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane të Malit të Zi dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet evropiane. Qëllimi ynë është që qytetarët të njohin qartë përfitimet konkrete të integrimit evropian përmes projekteve që përmirësojnë cilësinë e jetës, infrastrukturën, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin ekonomik lokal”, deklaroi Nimanbegu.

Pjesa e dytë e takimit iu kushtua temës së parandalimit  të dezinformatave dhe forcimit të edukimit mediatik, ku u shqyrtuan mekanizmat e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve lokale, institucioneve shtetërore dhe partnerëve nga Bashkimi Evropian me qëllim të një përgjigjeje më efikase ndaj sfidave në hapësirën informative.

Pjesëmarrja e Kryetarit të Komunës së Ulqinit në këtë takim të rëndësishëm përbën një konfirmim të rolit aktiv të Ulqinit në proceset e integrimit evropian dhe të kontributit të komuniteteve lokale nga Mali i Zi në formësimin e politikave që do të shoqërojnë anëtarësimin e ardhshëm të shtetit në Bashkimin Evropian.

By admini

Leave a Reply