Uniteti politik – sfida dhe shpresa e shqiptarëve në Malin e  Zi

Nga Gjekë Gjonaj

Shqiptarët në Malin e  Zi po hyjnë gradualisht në një fazë të re të organizimit dhe vetëdijesimit politik, ku gjithnjë e më shumë po shfaqet nevoja për unifikim rreth interesave kombëtare, qytetare dhe zhvillimore. Bashkimi i tri partive politike shqiptare në Malin e  Zi – Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar,  javën e kaluar  në Tuz, në një subjekt të vetëm politik me emrin Forumi Shqiptar,  paraqet një nga zhvillimet më domethënëse politike për shqiptarët në Malin e   Zi në vitet e fundit. Ky proces nuk duhet parë vetëm si një marrëveshje e zakonshme politike apo si një kalkulim elektoral afatshkurtër, por si një përpjekje serioze për tejkalimin e fragmentarizimit politik shqiptar, për forcimin e zërit kombëtar dhe për ndërtimin e një përfaqësimi më të qëndrueshëm dhe më dinjitoz në institucionet shtetërore të Malit të Zi.

Në rrethanat aktuale politike dhe shoqërore, bashkimi politik i shqiptarëve nuk është luks, por nevojë strategjike. Për vite me radhë skena politike shqiptare në Mal të Zi është karakterizuar nga ndarje të shumta partiake, rivalitete personale, mospajtime idesh dhe interesa të ngushta grupore, të cilat shpesh kanë dobësuar fuqinë e përgjithshme politike të shqiptarëve. Edhe pse pluralizmi politik është vlerë demokratike, përçarja e tepruar në një komunitet numerikisht të vogël ka prodhuar pasoja të dukshme negative. Copëzimi i votës shqiptare ka ndikuar në dobësimin e fuqisë negociuese të shqiptarëve në raport me pushtetin qendror dhe partitë e mëdha politike malazeze. Në shumë raste energjia politike është konsumuar më tepër në rivalitetet e brendshme sesa në mbrojtjen e interesave kombëtare, ekonomike, kulturore dhe arsimore të shqiptarëve.

Pasojat e kësaj gjendjeje janë reflektuar në përfaqësimin më të dobët institucional, në zhvillimin e ngadalshëm ekonomik të trevave shqiptare, në emigrimin e vazhdueshëm të të rinjve, në mosshfrytëzimin e potencialeve turistike dhe bujqësore, si dhe në zhgënjimin e një pjese të elektoratit shqiptar ndaj politikës. Pikërisht për këtë arsye unifikimii politik shihet si një reflektim i pjekurisë së re politike dhe si një përpjekje për të rikthyer besimin e qytetarëve te politika shqiptare.

Çdo bashkim politik kërkon maturi, përgjegjësi dhe vizion afatgjatë. Historia politike e popujve të vegjël ka dëshmuar se sukseset më të mëdha arrihen atëherë kur interesat kombëtare vendosen mbi interesat individuale apo partiake. Për shqiptarët në Malin  e Zi kjo nënkupton tejkalimin e egoizmave politike, kultivimin e kulturës së dialogut, ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe fokusimin te interesat strategjike kombëtare. Krijimi i subjektit të përbashkët politik, Forumi Shqiptar,  mund të shërbejë si platformë bashkuese e të gjitha energjive politike, intelektuale dhe qytetare shqiptare në Mal të Zi dhe njëkohësisht si mundësi për të ndërtuar një përfaqësim më serioz dhe më të organizuar.

Ky subjekt i unifikuar do të ketë  potencial më të madh për të fituar më shumë mandate, për të negociuar më fuqishëm me pushtetin, për të mbrojtur më mirë të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe për të ndikuar më shumë në politikat shtetërore. Në të njëjtën kohë, ky unitet politik   do të mund të  shërbejë  si mekanizëm më efikas për avancimin e çështjeve që lidhen me ruajtjen e identitetit kombëtar, përdorimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare, si dhe zhvillimin ekonomik të Malësisë, Ulqinit, Anës së Malit, Krajës, Plavës dhe   Gucisë.  Po ashtu, ai do të mund të ndikojë më fuqishëm në kërkesat për përfaqësim proporcional në administratë, polici, gjyqësor dhe institucione të tjera shtetërore.

Elektorati shqiptar prej kohësh ka shprehur nevojën për më shumë unitet politik. Qytetarët shqiptarë janë lodhur nga konfliktet e panevojshme, retorikat përçarëse dhe rivalitetet që kanë dobësuar pozitën kolektive të shqiptarëve në jetën politike të vendit. Për këtë arsye,  ky hap i   bashkimit perceptohet si shenjë përgjegjësie politike, reflektim i pjekurisë kombëtare dhe përpjekje për rikthimin e besimit te përfaqësimi politik shqiptar. Një subjekt i përbashkët do të mobilizojë më mirë elektoratin shqiptar, një pjesë e të cilëve  në jo pak raste janë distancuar nga politika pikërisht për shkak të përçarjeve të vazhdueshme.

Natyrisht, procesi i bashkimit në periudhën e kaluar  të pluralizmit politik  nuk  ka qenë i lehtë sepse kërkon kompromis, durim dhe gatishmëri për të ndërtuar një kulturë të re politike. Përveç kësaj është dashur  të tejkalohen sfida të ndryshme  në harmonizimin e strukturave partiake, në ndarjen e përgjegjësive politike, në ruajtjen e balancave të brendshme dhe në tejkalimin e mosbesimeve të vjetra. Aftësia për t’i menaxhuar këto sfida dëshmon seriozitetin dhe pjekurinë e këtij projekti politik. Bashkimet e qëndrueshme ndërtohen mbi interesa afatgjata dhe vizion të përbashkët, jo mbi emocione momentale apo kalkulime të ngushta politike.

Shqiptarët në Mal të Zi historikisht kanë dëshmuar kulturë politike perëndimore, orientim euroatlantik dhe rol konstruktiv në proceset demokratike të shtetit malazez. Ata kanë qenë faktor stabiliteti, bashkëjetese dhe integrimi. Një subjekt i bashkuar shqiptar do ta forcojë edhe më shumë këtë rol, duke kontribuar në forcimin e demokracisë shumetnike, në proceset integruese evropiane të Malit të Zi dhe në ruajtjen e harmonisë ndëretnike. Një përfaqësim më i fuqishëm shqiptar nuk duhet parë si kërcënim për askënd, por si garanci për një Mal të Zi më demokratik, më të barabartë dhe më funksional. Vetëm përmes bashkimit, maturisë politike dhe bashkëpunimit mund të arrihet një përfaqësim më i fortë, më dinjitoz dhe më efektiv për shqiptarët dhe për gjeneratat që do të vijnë.

By admini

Leave a Reply