Diskursi politik

Dukuria e animozitetit kundër  identitetit të  shqiptarëve  në Mal të Zi nuk është  e panjohur, sepse si më parë në monizëm është e pranishme  edhe  në pluralizëm, ku rasti i fundit  në Tuz  dëshmon se  disa individë   të infektuar  me virusin e albanofobisë, e kanë të vështirë të pranojnë realitetin  etnodemografik  në Tuz e tërë Malësinë

Nail  Draga

Me rastin e festave të ndryshme në çdo qytet është bërë praktikë dekorimi i tyre me flamuj  nga shërbimet e qeverisjes lokale. Vendosja e flamujve  si shtetëror  e te pjesëtarëve të popujve që jetojnë  ne ato mjedise  është e rregulluar  me ligje të miratuar nga Kuvedni i Malit të Zi.

Por, në këtë aspekt individë të ndryshëm  ne kundërshtim  me etikën qytetare i kanë dhënë vetës autorizim për çështje  që nuk kanë kompetencë të tyre.

Incidenti  në Tuz

Pikërisht  në lidhje  me këtë çështje  mediat  informuan se  në prag të festimeve për Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, me 21 maj,  në Tuz është shënuar një incident lidhur me vendosjen e flamujve në hapësirat publike.

Sipas informacioneve nga terreni, disa ditë më parë një grup individësh nga Tuzi kanë vendosur flamujt e Malit të Zi në qendër të qytetit, në hapësira publike. Ndërkaq, kur autoritetet e Komunës së Tuzit kanë tentuar të vendosin flamujt zyrtarë, ashtu siç bëhet çdo vit, përfshirë edhe flamurin shqiptar krahas atij malazez, një grup individësh ka penguar vendosjen e tyre. Në vendngjarje kishte mbërritur edhe policia.

Ngjarja ka shkaktuar reagime në opinionin publik dhe interpretime të ndryshme politike.

Ngjarje të tilla kanë nxitur debat edhe më herët në Malësi. Kjo nuk konsiderohet hera e parë që individë vendas, shqiptarë të asimiluar, shfaqin kundërshtim ndaj pranisë së flamurit shqiptar në aktivitete publike në Tuz.

Çështja e tillë ndonëse mund të trajtohet e izoluar, ajo ka peshë të veçantë në raportët shoqërore në Malësi përkatësisht në Tuz, sepse kemi të bejmë me veprime të cilat irritojnë qytetarët në këtë mjedis, që mund të ndikojnë ne raportët shoqërore në këtë mjedis.

Shqiptarët e asimiluar

Në sajë të rrethanave shoqërore e politike  në veriun e hapësirës etnogjeografike  shqiptare  në të kaluarën një numër i konsideruar i shqiptarëve janë përfshi në procesin e asimilimit. Historikisht dihet se nga shek.XVII, krahina e Kuçit  e cila ishte e banuar me  shqiptarët katolikë filluan të asimilohen në aspektin fetar në ortodoks  e më pas edhe në aspektin gjuhësor  duke përfunduar me ate kombëtar. Një dukuri e tillë  më pas i ka përfshi shqiptarët edhe  në krahinën e Plavë-Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Peshterit etj.

Një dukuri e tillë në këto mjedise  mori përmasa të mëdha pas vitëve 1912/13 ku në sajë të ndryshimëve të pushtetit, shqiptarët e përkatësisë fetare islame u asimiluan gjuhësisht e me te edhe në aspektin kombëtar. Se si ka evoluar përkatësia kombëtare në disfavor të shqiptarëve, dëshmohet nga regjistrimi i vitit  1908/09,  ku në Rozhajë  në këtë vit  shqiptarë ishin 86.5%, në Plavë  82.6 %  dhe në Tuz  100 %. Por, nga ajo kohë situata ka ndryshuar në disfavor të shqiptarëve ku në gjithë këto qytete duke përjashtuar Tuzin, shqiptarët u asimiluan në musliman sllavishtfolës  e më pas në boshnjak duke u bërë popullsi shumicë.

Por, procesi sociologjik  i asimilimit të popullsisë shqiptare  ka vijuar edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën e sistemit socialist ku ideologjia komuniste në mënyrë perfide ka mbeshtetur asimilimin, ku të dhënat nga regjistrimet e popullsisë dhe kontaktët  e drejtpërdrejta me këtë popullsi e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

Individët albanofob në Tuz

Nuk është befasi nëse  themi se dukuria e albanofobisë në Malësi është e pranishme e ate në  veçanti në Tuz, që deri më tash në opinion është manifestuar në disa raste. Si duket kemi të bëjmë me një grup të indvidëve të cilët jetojnë jashtë realitetit shoqëror, duke harruar se jemi në pluralizëm, ku të gjithë qytetarët duhet të realizojnë në praktikë të drejtat e tyre qytetare e kombëtare. Dhe të tillët janë pjesëtar të komunitetit  sllavishtfolës me përkatësi fetare islame(muslimane) ndërsa për nga origjina janë shqiptarë te asimiluar. Por, rasti i paraqitjës së tyre në opinion nuk është i rastësishëm, sepse duke qenë afër pushtetit në të kaluarën, atyre iu pengon çdo e arritur e shqiptarëve në Malësi e sidomos nga konstituimi i komunës së pavarur  për territorin e Malësisë me seli në Tuz.

Origjina nuk mund të mohohet

Pasi territori i Malësisë është i vogël, njihen të gjithë pothuaj në detaje nga  përkatësia  familjare e fisnore, është dëshmi e mjaftueshme për të përcaktuar origjinën e tyre. Ndonëse, është e drejtë e çdo individi të deklarohet sipas dëshirës se vet në aspektin kombëtar, gjuhësor e fetar, por origjina nuk mund të mohohet dhe të shlyhet me gomë, sepse argumentët janë të qendrueshme.

Individët e tillë në vend që të heshtin,  duke dëshmuar tolerancë dhe kulturë qytetare, ata me veprimet e tyre dëshmojnë albanofobi që paraqet çështje për hulumtim të veçantë. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse atyre iu pengon çdo gjë që ka të bëjë e  identitetin shqiptarë si  komuna e pavarur e Malësisë, gjuha  shqipe, ëmblema e re e  klubit të Deçiqit  dhe së fundit edhe Flamuri shqiptar.

Përfundim

Duke marrë parasysh se në Malësi, përkatësisht në komunën e Tuzit pushtetin lokal e kanë shqiptarët përmes  subjektëve të tyre  politike incidentët e tilla mbesin njollë e individëve apo të sponzorëve të tyre të cilët pasi kanë humbur privilegjët  nga e kaluara, tentojnë të prezantohen në opinion si shpetimtarë të shtetit. Por, të arriturat e komunës së Tuzit, janë dëshmi e punës dhe te funksionalitetit të qeverisjës lokale, në favor të gjithë qytetarëve sipas ligjeve dhe standardëve ndërkombëtare.

Nuk ka dilemë se të asimiluarit janë specie e veçantë  me komplekset e tyre, andaj me këtë kategori të qytetarëve  nuk ia vlen të trajtohen çështjet  identitare. Sepse çështjet e identitetit kombëtar të shqiptarëve  në Malësi si në tërë Malin e Zi, në viset e tyre autoktone janë ekskluzive të tyre e jo te të tjerëve, që janë definuar me kushtetutë  e ligje, që janë në favor të barazisë qytetare e kombëtare në Mal të Zi, si mjedis specifik multinacional, multigjuhësor e multikulturor si asnjë vend tjetër në Evropën Juglindore.

(Qershor  2026)

By admini

Leave a Reply