
Në ambientet e hotelit Bristol u zhvillua trajnimi i parë i dedikuar udhëzuesit për aplikantët e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave. Ky dokument synon të thjeshtojë dhe qartësojë procesin e aplikimit për projekte, si dhe mënyrën e raportimit të mjeteve të akorduara. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Këshillin Rom.
Trajnimi, i cili shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe kapaciteteve të aplikantëve, u udhëhoq nga përfaqësueset e Fondit, Emina Skenderoviq dhe Kristina Sinishtaj. Ato prezantuan një qasje praktike dhe interaktive, përmes së cilës pjesëmarrësit u njohën me të gjitha fazat e aplikimit: nga shpallja e konkursit e deri te raportimi përfundimtar.
Gjatë sesionit u theksuan segmentet më të rëndësishme si kushtet e aplikimit, plotësimi korrekt i formularëve, planifikimi i aktiviteteve, detyrimet kontraktuale dhe kontrollet financiare. Një pjesë e veçantë iu kushtua edhe analizës së gabimeve më të shpeshta, me qëllim që të ndihmohen aplikantët në përmirësimin e cilësisë së propozimeve të tyre.
Drejtori i Fondit, mr Xhenis Nurkoviq, në hapje të trajnimit tha se qëllimi kryesor i këtyre edukimeve është krijimi i një ambienti më të favorshëm për zbatimin e projekteve cilësore, duke shtuar se transparenca dhe efikasiteti janë prioritet i punës së institucionit.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Rom, Mensur Shalaj, përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes komunitetit rom dhe Fondit, si një mënyrë konkrete për përfshirjen më të gjerë të pakicave në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore.
Udhëzuesi për aplikantët është përgatitur në format digjital dhe interaktiv, me linke të drejtpërdrejta që çojnë në faqen zyrtare të Fondit, ku janë të disponueshme të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim. Ai do të jetë i qasshëm për të gjithë të interesuarit përmes faqes së internetit, rrjeteve sociale dhe platformës Viber.
Në kuadër të planeve të ardhshme, Fondi do të organizojë trajnime të ngjashme për komunitete të tjera pakicë. Ndërkohë, është paralajmëruar edhe mbajtja e një trajnimi në gjuhën shqipe, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe publikimi i udhëzuesit në gjuhën shqipe.
Ky aktivitet përforcon përkushtimin institucional për të ndërtuar një proces më të qartë, gjithëpërfshirës dhe të besueshëm për të gjitha komunitetet pakicë në Mal të Zi.