
PËR ÇKA I SHËRBEN NJË KOMBI FEJA OSE RELIGJIONI
Nga Haxhi Zeneli
Kush ishte Gjon Vladimiri dhe pse po e harrojmë?
Në viset e Anës së Malit, aty ku dikur sundonte princi arbër Gjon Vladimiri,sot po ndodh një zbehje e kujtesës historike.Emri i vendbanimit që mbante emrin e princit, “Vladimir”, është zëvendësuar me “Katerkoll”, një emërtim me prejardhje të paqartë.A është kjo një rastësi, apo një tjetër akt i shkëputjes sonë nga rrënjët?
Me përhapjen e islamit në trojet shqiptare,filloi një distancim i qëllimshëm nga e kaluara e krishterë.Fatkeqësisht,shumë shqiptarë e barazuan ortodoksinë me sllavizmin,duke braktisur kështu trashëgiminë e tyre shpirtërore dhe kulturore.Ky gabim historik nuk është bërë vetëm në Kosovë, por në të gjitha viset shqiptare,edhe në Krajë në Ulqin e deri në Shas.Kisha, manastire dhe figura si Gjon Vladimiri,u lanë në harresë ose iu dorëzuan serbeve.
Por kush ishte në të vërtetë Gjon Vladimiri?
Në fund të shekullit X, Gjon Vladimiri sundonte në Duklë, një nga principatat më të rëndësishme arbërore.Në vitin 997, u kap rob nga Car Samuili i Bullgarisë, por aty ndodhi një kthesë historike. E bija e carit, Kosara, u dashurua me të dhe kërkoi që të martohej me princin shqiptar.Samuili e pranoi dhe i dha Gjonit jo vetëm dorën e së bijës, por edhe sundimin mbi Durrësin.Kjo aleancë politike dhe dashurie nuk zgjati shumë.Në vitin 1016, pas një komploti,Gjon Vladimirit iu pre koka në një kishë në Prespë.
Trupi i tij u soll në Krajë, ku u varros me nderime nga bashkëshortja e tij.
Ky martirizim e bëri Gjon Vladimirin një figurë të shenjtë.Shqiptarët e nderonin për sakrificën e tij ndaj pushtuesve bullgarë,duke e konsideruar një martir të lirisë kombëtare.Kulti i tij u përhap në gjithë hapësirën etnike shqiptare, por u nderua gjithashtu edhe nga serbët, maqedonasit e kroatët, një fakt që e bën këtë kult unikal në Ballkan.
Historiani i njohur Milan Shuflai e quan kultin e Gjon Vladimirit “legjenda më e madhe fetare e Ballkanit”, por njëherazi thekson mungesën e studimeve serioze për të. Sipas tij, një figurë kyçe në promovimin e këtij kulti ishte Pal Dushmani, kishtar shqiptar që ndikoi në përhapjen e shenjtërisë së Gjon Vladimirit deri në Vatikan dhe që ishte bashkëpunëtor i afërt i Skënderbeut.
Simbolika e kryqit të Krajës, që sipas legjendës u soll nga një skifter i bardhë nga qielli, ruhet edhe sot nga një familje shqiptare. Çdo 22 maj, pelegrinët nga të gjitha besimet e ngrenin në Malin e Rumisë – një dëshmi e tolerancës fetare të shqiptarëve ndër shekuj.
Por a kemi reflektuar mjaftueshëm se çfarë kemi humbur?
Kur shqiptarët u konvertuan në masë në islam gjatë pushtimit osman, ata braktisën jo vetëm fenë, por edhe trashëgiminë bizantine dhe iliro-romake.Ishin shqiptarët ata që lejuan serbët të përvetësonin kishat,manastiret dhe ikonat që dikur ishin të tyre.Siç tregojnë episodet nga Shasi, kur banorët mbrojtën kishën e Gjon Vladimirit,ndërsa klerikët sllavë u përgjigjën: “Si mund të jetë kjo kisha juaj,kur ju jeni muslimanë?”
Ky është thelbi i manipulimit historik që kemi lejuar të ndodhë mbi ne.Fqinjët tanë kanë ditur të përdorin fenë për qëllime politike dhe etnike, ndërsa ne,në emër të përshtatjes,kemi dhuruar historinë tonë.
Sot,shqiptarët kanë një mundësi të artë për të reflektuar.Të kthejmë sytë pas, të rivlerësojmë figurat si Gjon Vladimiri,dhe të kuptojmë se nuk mund të ndërtojmë të ardhmen duke harruar rrënjët.
Një histori kombëtare nuk jepet, nuk harrohet,ajo mbahet gjallë. Kulti i Gjon Vladimirit është trashëgimi e jonë, le të mos e lejojmë të tjetërsohet.