MANHATTAN NYC : Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani gjatë vizitës në Nju Jork, dhe në vazhdën e vlersimit të disa figurave të diasporës shqiptare në SHBA, i akordoi mbrëm, gjatë një ceremonie të zhvilluar në mjediset e e hotel Kimberli në Manhattan, zotit Beqir Sina: dekoratën “Naim Frashëri” me motivacionin “Në vlerësimin për punën e palodhur si gazetar dhe kontributin për përhapjen e bërjen të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të historisë, shpirtit liridashës dhe vlerave më të mira të popullit shqiptar .”
Ndërsa, me Medaljen “Për Merita të Veçanta Civile”, nderoi veprimtarin e komunitetit zotin Sejdi Hysenaj dhe veprimtaren znj. Majlinda Myrto si pjestare e një familje shqiptare që gjatë Luftës së Dytë Botërore mori në mbrojtje një familje hebraike, duke sakrifikuar edhe jetën në atë kohë, një medalie kjo që u jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj për kontribute të veçanta civile në Shqipëri (në fushën e zhvillimeve demokratike, në atë humane etj.)
Fjala e plotë e zotit Beqir Sina, drejtuar Presidentit të Republikës zoti Bujar Nishani:
I nderuar zoti President Nishani,
E nderuar zonja Nishani,
Duke falenderuar për medaljen që po më jepet, mendja më shkon menjëherë tek ish të përndjekurit e periudhës së komunizmit. Mund të them se kjo është një medalje për të gjithë ata njerëz që vuajtën.Qëndresa jonë e asaj kohe, sot rrezaton dinjitet në një formë tjetër: në mesazhet që ne percjellim për paqen dhe kundër hakmarrjes.
Mendja më shkon gjithashtu tek dy mentorët e mi heronj që nuk janë më: Babai dhe Nëna, të cilët u ndanë nga jeta pak vite më parë. Nëse unë sot përpiqem të jap diçka për komunitetin, janë ata që më edukuan dhe më rritën në kushte jashtëzakonisht të vështira.
Zoti President,
Komuniteti i shqiptarëve të Amerikës është një bashkësi historike për nga ndihma dhe inkurajimi që i ka dhënë vendit amë gjatë më shumë se një shekulli. Mu bë zemra mal kur ju pashë të rrethuar me respekt nga deputetët e Asamblesë në Albany, sepse aty pashë respektin për Shqipërinë. Në rolin tim si gazetar, e kam për krenari të jem pjesë e kësaj historie që është ende duke u shkruar.
Me rastin e këtij nderi që më bëtë, ju shpreh edhe mirënjohjen e familjes sime – bashkëshortes Altinës, dhe fëmijëve Avenirit dhe Nedës.
Ju faleminderit. (Photo credit Halil Mula )