
Nga Beqir Sina – New York City
Komuniteti shqiptar në Nju Jork ka treguar qëndrueshmëri dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sektorë të ndryshëm të qytetit, përfshirë pastrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave. Edhe pse përballen me sfida të mëdha personale dhe ekonomike, shumë shqiptarë kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt suksesit në Amerikë përmes këtyre punëve të vështira, duke blerë më pas edhe shtëpi dhe hapur ndonjë biznese që tashmë njihen në mbarë Nju Jorkun.
Një shembull i spikatur i këtyre punonjësve të palodhur të punëve të vështira në Amerikë, është Sebije Neloviç, një pastruese shqiptare që punon në një ndërtesë zyrash në 345 Park Avenue. Të hënën pasdite, ajo u përball me një situatë të rrezikshme gjatë një sulmi të armatosur pikërisht në vendin e saj të punës, por arriti t’i shpëtojë për pak vdekjes, falë besimit të saj në Zot.
65-vjeçarja shqiptare, e cila tashmë është bërë lajm në mediat amerikane dhe ndërkombëtare, rrëfeu përvojën e saj tronditëse përballë atentatorit dhe si u fsheh për orë të tëra në një dollap.
Rrëfimi i saj u transmetua në televizionet kryesore si CNN, ABC, NBC, CBS, Fox News dhe u raportua nga të gjitha gazetat kryesore amerikane.
Sipas mediave, Sebije Neloviç i mbijetoi të shtënave në ndërtesën e zyrave në Midtown, por katër persona të tjerë humbën jetën, përfshirë një oficer policie të NYPD-së që punonte si roje sigurie në holl, një roje tjetër sigurie dhe dy gra që punonin në zyrat e katit të sipërm.
Në një deklaratë të lëshuar përmes sindikatës së saj, Neloviç tha se ka punuar si pastruese në 345 Park Avenue për 27 vjet dhe njihte të gjithë në ndërtesë.
“Ai drejtoi armën drejt meje”
65-vjeçarja nga Queens tha se filloi turnin e saj rreth orës 16:30 të hënën dhe po mblidhte mbeturina në katin e 33-të kur dëgjoi të shtëna.
“Dëgjova diçka që tingëllonte si fishekzjarre. Mendova se ishin inxhinierët e mirëmbajtjes, të cilët ndonjëherë bëjnë zhurmë. Por zakonisht ata flasin dhe qeshin, ndërsa kjo zhurmë vazhdoi paksa,” rrëfeu ajo.
“Dola nga njëra zyrë e punës së përditëshme dhe u drejtova për te një tjetër zyrë sipas radhës. Pashë derën e xhamit përpara tavolinës së recepsionit në katin e 33-të, dhe menjher krejt papritur, dera filloi të dridhej dhe xhamat ranë me zhurmë nga disa krisma.”
Neloviç, e përshkroi momentin kur pa një burrë të armatosur me automatik, i cili “hyri në mes të derës së ashensorit dhe drejtoi armën drejt saj përball zyrës ku punonte .”
“Ai filloi të shtinte për rreth meje. Xhamat e derës përballë u copëtuan si kokrra breshëri. Ngrita duart lart dhe i thashë, ‘Unë jam pastruesja! Unë jam pastruesja!’ Por e kuptova se ai, me një armë automatike në dorë, nuk do të ndalej. Ai do të shtinte pavarësisht se kush isha,” tha ajo.
U fsheha në një dollap(closed) aty afër për orë të tëra.
Neloviç, rrëfeu se vrapoi nëpër korridor, deri sa e gjeti një dollap, hyri brenda dhe e mbylli derën.
“Fillova të lutesha Zotit. Dëgjova ulërima në korridor. Qëndrova aty për 5 ose 10 minuta, kur dëgjova hapat e personit që shtinte. Ai qëlloi mbi derën e dollapit, dhe unë isha shumë e frikësuar. Por, falë Zotit, isha mirë, sepse plumbat nuk më goditën,” tha ajo.
“Kur të shtënat pushuan, dëgjova që ai u largua nëpër korridor. Atëherë mu kujtua Julia,” shtoi ajo, duke përmendur Julia Hyman, një punonjëse që zakonisht punonte deri vonë, rreth orës 20:00 ose 20:30, dhe të cilës Neloviç i pastronte zyrën çdo natë.
“E dija që ajo ndodhej në tavolinën e saj dhe mendova, ‘O Zot, ndihmoje!’ Edhe pasi krismat u ndalën, vazhdova të lutesha,” rrëfeu ajo.
Supervizori i saj filloi ta telefononte dhe t’i dërgonte mesazhe. “I thashë se isha fshehur në një dollap, dhe ai më tha të qëndroja aty. U tremba se mos bëja zhurmë, kështu që e fika telefonin,” tha Neloviç.
Ribashkimi me familjen pas tragjedisë
Neloviç u lut në dollap për disa orë derisa mbërriti policia. Ajo tha se nuk donte të shqetësonte familjen, prandaj i kërkoi policisë ta çonte në shtëpi.
“Kur mbërrita në shtëpi, djali im kishte parë lajmet dhe ishte i tmerruar. I thashë, ‘Falë Zotit, jam mirë dhe gjallë,’” rrëfeu ajo. “Vazhdova të shihja televizorin. Duhej të dija çfarë kishte ndodhur dhe pse.”
“Mund të kisha qenë edhe unë”
Neloviç mësoi nga lajmet se Julia Hyman, të cilën ajo e përshkroi si një grua të mrekullueshme, kishte humbur jetën.
“Ajo ishte shumë e mirë,” tha Neloviç. “Çdo ditë ndihem gjithnjë e më e stresuar dhe e tronditur. Një grua u vra në katin tim, dhe mund të kisha qenë unë. Vetëm Zoti ma fali jetën.”
Ajo shtoi se më parë trembej kur kthehej në shtëpi me tren natën vonë, pasi turni i saj mbaron në mesnatë. “Por në punë ndihesha e sigurt dhe e lumtur për 27 vjet. Tani gjithçka ka ndryshuar,” tha ajo.
Julia Hyman u varros e para të mërkurën, e ndjekur nga oficeri i NYPD-së Didarul Islam dhe ekzekutivi i Blackstone, Wesley LePatner, të enjten. Detajet e funeralit për rojen e sigurisë Aland Etienne nuk janë bërë publike.
Policia njoftoi se atentatori vdiq nga një plagë e vetë-shkaktuar me armë zjarri.