
Në zemër të Ulqinit, mes horizontit të kaltër të detit dhe historisë së rrënjosur thellë në tokën shqiptare, ka çelur dyert një investim që mbart jo vetëm kapital, por edhe dashuri, përkushtim dhe rrënjë. Hotel “Adler” – një emër që në gjermanisht do të thotë “Shqiponjë” – është simboli më i ri i kthimit në vendlindje dhe i fryteve të djersës së derdhur larg atdheut, shkruan Ulqini Online.
Pas këtij emri që ngërthen një lidhje simbolike mes Perëndimit dhe Ballkanit, qëndrojnë Ismet dhe Valbona Nelaj, një çift nga Ulqini me rrugë jetësore që kalon përmes Ulqinit, Prishtinës, Tiranës e Gjermanisë. Ai, inxhinier elektronike; ajo, mjeke. Të dy të ars, simuar me përkushtim dhe tashmë të suksesshëm në emigracion, kanë zgjedhur që jo vetëm të kthehen, por të japin diçka të prekshme vendit nga ku u nisën.
“Adler” nuk është vetëm një hotel modern me 45 apartamente (55 dhoma) – është një mesazh. Një shembull frymëzues për çdo mërgimtar që dëshiron të lidhë përvojën dhe suksesin në diasporë me zhvillimin e vendlindjes. Është një ndërthurje e mikpritjes shqiptare me standardet gjermane, një hapësirë ku pushuesit ndihen si në shtëpi por edhe të përkëdhelur nga cilësia dhe kujdesi. Çmimet më së normale, shërbimi dhe kushtet të mrekullueshme.
Për Ulqinin, ky investim është shumë më tepër se një kapacitet i ri turistik. Është një model se si diaspora mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të zonës. Çifti Nelaj ka zgjedhur jo të harrojë, por të rikthehet për të investuar ne vendlindjen e vet me dinjitet e përkushtim, duke krijuar vende pune, duke nxitur turizmin cilësor dhe duke kontribuar në promovimin e Ulqinit si destinacion i denjë europian.
Në një kohë kur shumë të rinj mendojnë largimin si zgjidhjen e vetme, historia e Ismetit dhe Valbonës është një ftesë për të besuar në kthim, në mundësi dhe në forcën që ka rrënja kur ujitet me dashuri.