xheladin zeneli

Nga Xheladin Zeneli

Në takimet apo forumet e ndryshme që mbahen kohë pas kohe në mes pjesëtarëve të diasporës me zyrtarët e ndryshëm të Komunës së Ulqinit, qofshin ato në vendlindje apo në vendet e qendrimit të tyre në botën e jashtme, flitet shpesh për mënyrën e  komunikimit  dhe krijimin e mekanizmave të mundshëm  instuticional të bashkëpunimit në mes këtyre dy entiteve , që janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, pra në mes mërgatës dhe vendit të saj të origjinës, që është Ulqini.Ulqinit, i mungon një mekanizëm i tillë  institucional i cili do të merrej ekskluzivusht me çështjet dhe punët që preokupojnë pjesëtarët e diaporës së vet. 

Komuna e Ulqinit me numrin e lartë të banorëve të saj që jetojnë në botën e jashtme, renditët një ndër komunat me diasporën më të madhe në Mal të Zi, çka do të thotë se asaj duhet të kushtohet një vëmendje të posaçme. 

Duhet theksuar se në të kaluarën ka pasur tendenca dhe iniciativa për formalizimin e bashkëpunimit ndërmjet vendlindjes dhe diasporës, por për arsye të ndryshme ato fatëkeqësisht kanë dështuar.Në gusht të vitit 2015 Shoqata Shqiptaro-Amerikane ‘Ana Malit’ në bashkëpunim me  BKA-në (Bisnes Klubin  ‘Ana e Malit’ ) hapën Zyrën e përbashkët bashkëpunimi në Katërkollë(Anë të Malit). Pak më vonë, në tetor të të njëjtit vit, u hap edhe Zyra në komunë të Ulqinit. Por ka kohë që që këto dy zyra nuk funksionojnë dhe kanë pushuar së vepruari.

S’ka aspak dyshim se ‘Zyrat për diasporën’ kanë qenë iniciativa qëllimmira por për shkak të kapaciteteve të tyre të kufizuara nuk kanë pasur mundësi ti trajtojnë në të njëjtin nivel apo më të njëjtin seriozitet çështjet që kanë të bëjnë me diasporën ashtu siç do ta trajtonte një sekretariat eventual me funksion të barabartë me sekretariatet e tjera që funksionojnë në kuadër të kësaj komune.

Në faqën zyrtare të Komunës së Ulqinit renditën 9 sekretariate që veprojnë në kuadër të qeverisjes lokale.Pyetja që na imponohet është se përse themelimi i një Sekretariat për diasporën në Komunë të Ulqinit, deri më tani, nuk ka gjetur mirëkuptimin e asnjë kryetari të Komunës !?

Është interesant të përmendet fakti se në  41 faqet sa ka  Statuti i Komunës së Ulqinit dhe në 190-të nenët e saj , vetëm në një vend përmendet diaspora. Në nenin  59 të këtij Statuti i cili përcakton punët e Kuvendit, një ndër 10 forumet e themeluara të këtij Kuvendi, figuron ‘Forumi për Bashkëpunim me Diasporën’,  për të cilin nuk ka qartësi lidhur me rolin, detyrën apo ndonjë aktivitet që ky Forum ka zhvilluar deri më tani në raport me diasporën.

Ky është edhe një argument më tepër se deri më tani është humbur kohë me zgjidhje simbolike apo ‘sa për sy e  faqe’ duke u shmangur konstituimi i një organi( digasteri) të mirëfilltë që ka për qëllim intitucionalizimin e marrëdhënieve të diasporës me vendin e tyre të lindjes apo të origjinës.

Pra Sekretariati për diasporën  do të luante një rol të rëndësishëm në adresimin dhe zgjidhjen eventuale të  problemeve dhe nevojave të natyrave të ndryshme me të cilat ballafaqohen  pjesëtarët e diasporës. Kuptohet se një Sekretariat i tillë nuk do të zgjidhte çdo problem të pjesëtarëve të diasporës por ai do të shërbente si pikë referimi dhe udhëzimi lidhur me çështjet që mund ti preokupojnë ata. Për shembull, dihet mirë që pjesëtarët e diasporës gjatë kohës së qëndrimit të tyre në vendlindje shfytëzojnë pushimet e tyre edhe për të kryer punë të ndryshme në zyrat e organeve administrative të Komunës  dhe është me rëndësi që në këtë aspekt atyre t’ju mundësohet një procedurë sa më e shpejtë dhe në mënyrë ekspeditive. Është për tu ardhur keq por kjo nuk ndodh. Ka kohë që ndër ankesat kryesore të mërgimtarëve ka të bëjnë me procedurat e gjata byrokratike me rastin e nxjerrjes së dokumenteve të ndryshme personale të tyre . Shpeshëherë për një dukument të thjeshtë apo pagesë duhet të shkosh në disa zyra të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë ndërtesës së Komunës çka konsumon me orë të tëra por nganjëherë duhesh të ndash edhe ditë të tëra të pushimit për të kryer punë të kësaj natyre.

Përveç kësaj, Sekretariati mund të jetë gjithashtu një pikë ku investuesit potencial nga diaspora mund të marrin informata të drejtëpërdrejta lidhur me mënyrat dhe procedurat më të shpejta ligjore në realizimin e planeve e projekteve të tyre në vendlindje. Në aspektin kulturor Sekretariati,në bashkëpunim me organizatat shqiptare autentike në diasporë, me prejardhje nga Komuna e Ulqinit, mund të bëjnë përpilimin e plan-programeve dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme artistike, kulturore, sportive etj., në vend, ku përfshihet  edhe organizimi i manifestimit të ‘Ditëve të Diasporës’. Këto janë vetëm disa nga punët të cilët mund ti kryej një Sekretariatit eventual për diasporën.

Aktualisht në kuadër të Komunës egziston  pozita e ‘koordinatorit për diasporë’, e krijuar kohëve të fundit nga kryetari i tanishëm , z. Genci Nimanbegu.Uroi dhe shpresoi që kjo nisëm e vullnetit të mirë të kthehet sa më parë në një Sekretariat për diasporën sepse kjo është  mënyra dhe forma më e mirë dhe më e qendrueshme e vendosjes se lidhjeve institucionale si dhe fuqizimit të marrëdhënieve ne mes mërgatës dhe vendlidjes.

Gusht 2025

By admini