
Gjiri i Valdanosit në Ulqin do të jetë qendra e adrenalinës dhe garave me biçikleta më 16 gusht 2025, kur do të mbahet Kampionati Shtetëror i Malit të Zi në MTB (Mountain Bike) me titullin “Valdanos 2025”, shkruan Ulqini Online.
Ky aktivitet sportiv fillon në ora 11:00, ndërsa regjistrimi i pjesëmarrësve është i hapur në faqen 3hn.live ose në ditën e garës deri në ora 10:30.
Gara organizohet nga klubi “BK Buna”, nën patronazhin e Federatës së Çiklizmit të Malit të Zi (Biciklistički savez Crne Gore), dhe pritet të mbledhë çiklistë nga e gjithë vendi për të garuar në një prej terreneve më atraktive malore të bregdetit shqiptar të Malit të Zi.
Ky kampionat është një mundësi e shkëlqyer për promovimin e sportit të çiklizmit malor, turizmit aktiv dhe natyrës së mrekullueshme të Valdanosit, duke përfshirë çiklistë profesionistë dhe amatorë që sfidojnë veten në rrugë të ngushta, pjerrësi dhe peizazhe unike.