
Nga Ali Salaj
Biznesmeni arab Mohamed Alabbar me kompaninë e tij, më në fund, po vendoset në Shas, pranë qytetit të lashtë ilir dhe në breg të liqenit më të virgjër dhe më piktoreskë në Malin e Zi dhe rajon. Është i njëjti Alabbar, të cilit iu refuzua projekti i tij për ti menaxhuar disa plazhe të Ulqinit si zonë ekskluzive për turizëm elitar. Në atë kohë disa pronarë, që kanë monopol në këto plazhe, disa oligarkë lokalë dhe autoritetet vendore protestuan me moton “Ulqini nuk është në shitje”. Me këtë rast kryetari i Komunës së Ulqinit nga rradha e partisë Forca e Re Demokratike, Genci Nimanbegu u viktimizua duke deklaruar pa diplomaci se “jemi gatshëm të sakrifikohemi edhe individualisht”(KosovaPress). Ndërkohë deputeti i po kësaj partie në Parlamentin e Malit të Zi, Ilir Çapuni shkon një hap më larg, duke theksuar se “do ti tentojmë të gjitha armët që i kemi në dispozicion!”( TV MCN). Edhe aktorët tjerë politikë, analistët, intelektualët dhe shoqëria civile bënë një hallakamë të paparë për mbrojtjen e planit strategjik, hapësinor dhe mbrojtjen e natyrës. Ndërkohë sot të gjithë ata që bënë zhurmuesin kundër “fshirjes së identitetit lokal”, në mënyrën më cinike heshtin duke e fshehur kokën si struci në rërë.
Shasi si një vendbanim antik ilir, ku gjetjen arkeologjike shtrihet edhe nën sipërfaqen e ujit të liqenit, së shpejti do të shndërrohet në “një vend unik turistik”. Këtij misioni iu bashkua edhe bisnesmeni dhe ish- kryetari i Forcës, Nazif Cungu, i cili fillimisht protestoi kundër projektit të kompanisë arabe për Plazhin e Madh, duke e cilësuar atë si të dyshimtë, kurse sot Mohamed Alabbarin e konsideron “partner të fuqishëm strategjik”. Ky projekt, që u cilësua si “fillimi i madh”, do të nis në parcelat e Nazif Cungut në Shas, që i bleu gjatë mandatit si kryetar i Komunës së Ulqinit e ku gjatë përballjes parazgjedhore për pushtetin vendor u përfol nëpër media për aferën e përvetësim të paligjshëm të 32 mijë metrave katrorë tokë shtetërore, të clën gjë ai e mohoj kategorikisht.
Sidoqoftë, është e pajustifikueshme që autoritetet vendore e posaçërisht Kuvendi i Komunës së Ulqinit po e ndjek me shpërfillje këtë projekt. Dihet se heshtja e kryetarit aktual Genci Nimanbegu është pasojë e dehjes partiake dhe varësisë së tij nga bashkëpartiaku Cungu, por habitë heshtja e këshilltarëve komunalë, të cilët janë shndërruar në argat të interesave të oligarkëve.
Kuvendi i Komunës së Ulqinit e ka mbrojtur në parim ekosistemin e plazheve të Ulqinit, por jo edhe qëndrueshmërinë ekologjike dhe natyrore të Shasit. Nga droja e ndërtimit të komplekseve banesore dhe turistike, ata ngriten alarmin gjoja në mbrojtjen e strukturës etnike të popullësisë, por harruan se si pasojë e politikave dështuese të pushtetit vendor në vendbanimin e Shtojit, tanimë shqiptarët u shndërruan në pakicë. Edhe në Shas të Anës së Malit, ku shqiptarët janë komuniteti i vetëm në këtë zonë, do të flijohen për interesa të disa personave të lidhur me shtetin e Malit të Zi. Kur të kemi parasysh se Alabari është i njohur për megaprojekte që punësojnë me mijëra punëtorë nga vendet e varfra, atëherë të vetmen zonë etnikisht të pastër, siç është Ana e Malit, për një dekadë do ta përfshijnë ndërlikimet e përbërjes etnike. Duket se në skenën politike shqiptare në Malin e Zi është duke u luajtur akti i fundit i dramës me alternativën kadariane “Të mbrosh popullin tënd në mënyrë primitive, apo ta shesësh në mënyrë moderne!”