
(Vështrim mbi romanin “Fshati i Heshtjes”, të autorit Mark Lucgjonaj)
Nga: Argëzon SULEJMANI
1. Romani “Fshati i heshtjes” i autorit Mark Lucgjonaj, në thelb ka vrazhdësinë e absurdit, ekstremet dhe, nisur nga vetë kopertina e botimit të parë, shpërfaqjen e botës nën dritëhijet bardhë e zi. Pavarësisht që ky është romani i parë i këtij autori, ai guxon të luajë përnjëmend me ngjarjen, me personazhet, me rrethanat, me kohën dhe me vështrimtarët e mundshëm letrarë. Mjegullnaja semantike vjen e lehtëdepërtueshme falë një rrjedhe të natyrshme dhe stili origjinal që respekton standardin dhe krijon standarde. Romani nisë me një prolog që për kryepersonazhin mund të quhet epilog i një pjesëjete, kurse përmbyllet me epilogun që për të njëjtin personazh mund të çmohet edhe si hyrje në një copë të re jete. Autori e lë lexuesin me melankolinë e njeriut të parë të romanit, sepse e nisë atë me dashurinë e aksidentuar për vdekje, kurse e përmbyllë pikërisht në çastet kur ky nisë një romancë të re. Autori me të nisur “u hy në hak” personazheve, lexuesit dhe vetes, për të vënë në pah frekuencat e lumturisë njerëzore, kur në fund personazhit kryesor i gjenë dashurinë, lexuesve ua shuan kureshtjet e disata, kurse vetes ia shpaguan guximin me romanin e realizuar. Lucgjonaj në qendër të rrëfimit vë ngjarjen, kurse personazhet dhe stilistikën e vë në funksion të saj. Me të mbaruar leximin, mund të vëreni se si rrëfimi vazhdon t’u japë jetë personazheve, sikurse gjuha e pasur poashtu. Romani flet dominueshëm në veten e tretë, kurse në pak raste personazhi kryesor rrëfehet në veten e parë. Kjo, mbase për të na e shuar ose shtuar kureshtjen se, cilat rroba të personazheve do t’i bënin më lehtë autorit. Postmodernistët cekin që, në fund të fundit secili rrëfim përmbanë brenda vetes dhe autobiografi të narratorit. Heshtja si simbol mitik dhe karakteristikë e trojeve tona grindet në dy kontekstet e veta, konteksti mitik e zhvlerëson atë real, sikurse ai real e banalizon atë mitik.
(…) Dashuria është gjëja më e pastër që njeriu mund të ketë dhe të përjetojë gjatë jetës së tij. Ajo vjen si ndjesi e pashpjegueshme. Ngandonjëherë e dimë se nuk është në të mirën tonë, porse ndjenja është aq dehëse, aq hipnotizuese sa që njeriu mpihet. Nuk mund ta kundërshtojë atë afsh, atë pasion të zjarrtë që e pushton si një pikë helm damarët e njomë të një fëmije. Ndërsa me buzëqeshje në gojë, bie në gjumë dhe lehtë, pa ditur se çfarë po ndodh në trupin dhe zemrën e tij, vdes në paqe. Por vdekja fizike është shumë e bukur, kundrejt vdekjes së brendësisë së njeriut. Është më mirë kur zemra të pushon së rrahuri dhe njeriu njësohet me dheun e ftohtë të natyrës, sesa kur ta kesh zemrën e gjallë dhe ta urresh pse vazhdon të punojë. (…) fq. 5.
2. “Fshati i heshtjes” vë në pah kontrastet, kundërthënjet, në të gjitha planet. Aty takohen: e jetuara me të tashmen, lindja e perëndimi, mesjeta e bashkëkohësia, rrethanorësia dhe teknologjia, mirësia e ligësia, besëtytnia e parimësia, kodeksia e ligjësia, vdekja e dashuria, rinia e pleqëria, lartësia e thellësia, marria dhe dija, tradhëtia e besnikëria, heshtja e alltia, qetësia e çmenduria, altruizmi e egoizmi, rakia e kthjelltësia, ftohtësia e zjarrmia, bardhësia e korbësia. Do të mjaftonte kaq. Është kaq e mjaftueshme për të kuptuar se sa është kjo vepër e lexueshme. Enumeracioni gjithnjë më kujton një ndër emrat më të medhenj të letërsisë shqipe, Rexhep Qosjen, kurse “Fshati i Heshtjes” gjithashtu më ndërkujton qytetin Vajazan nga vepra më e lakuar e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë. Mungojnë veç lakuriqët tek “Fshati…”, ose as ata, meqenëse ngjarja vjen tek lexuesi pa doreza, krejt lakuriq. Vdekja vjen e shkon si në shtëpi të vet, ose vdekja luan valle nën vajet e heshtjanëve dhe mbi eshtrat e tyre.
“Fshati i heshtjes”, në fakt është fshati i mendjes ose i çmendjes. Nuk është një fshat idiot, autori ka durimin ta shpjegojë faqe më faqe një gjë të tillë. Heshtja në çdo kohë kërkon psikanalizën, të cilën autori rreket ta thërrasë në ndihmë herë pas here. Ballkani është i mbushur me vajazanë e fshatra të heshtjes, siç është po kaq i pasur me topikë ose topose debile dhe të liga. Fshatrat ku flitet gjuha jonë, fatmirësisht, në asnjë rast nuk i kanë merituar përcaktorët e fundit.
Ngjarja hapet me një paranisje. Personazhi kryesor në fshatin egocentrik ose të heshtjes, ku secila kafkë përbën kryesi më vete, Ludvig Nopça, në këtë paranisje humbë të dashurën e jetës, Ilonën, në një aksident automobilistik. Tre minutat e fundit të jetës së saj numërojnë sekuencat e ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në jetën e pandërruar. Nëse Nopça nuk do të arrijë asnjëherë të bëhet kryepersonazh i romanit ose fshatit, një gjë është më se e sigurt, ai kishte qenë personazh i parë i jetës së shkurtër të Ilonës. Në dhjetë kapitujt e romanit, studiuesi i trashëgimisë kulturore, Ludvig von Nopça, do të rropatej Fshatit të Heshtjes, pa Ilonën, si për të përmbushur një amanet të dashurisë së tyre, pikënisjes së saj, rafteve të librarisë, “Ferrit” të Dantes. Karli njëherit përbën homazh të dhjetëra e qindra albanologëve të huaj që janë lidhur shpirtërisht dhe intelektualisht me gjuhën dhe kulturën tonë. Ai është me kombësi austriake dhe rastësisht do të gjendej në bujtinën “Tradita” të vendasit Kras Jung dhe të shoqes së tij Berta. Fillimisht, fshati i vizituar do të shfaqej si fshati i territ, “Bota e Tretë” në gjuhën e kryepersonazhit, meqenëse me të hyrë rrugëve të tij do të shkëputej elektrifikimi nga një shkrepje qielli. Në mëngjes fshati do të bëhej i ftohtë dhe i frikshëm, kur pronari i bujtinës do të krahonte armën e trashëguar, kurse plaku i fshatit do të zbrazte ironinë që i karakterizon fshatrat e lëna në harresë. Diku më vonë, Ludvigu dhe lexuesi do të mësojnë për heshtjen e fshatit që e ka kthyer në Fshat Heshtjeje. Heshtja kishte të bënte me besën, me sakrificën, me flijimin.
(…) Rruga pranë malit është ndërtuar nga perandoria jote, nga perandoria Austro-Hungareze, – vazhdoi plaku, – kurse kjo që po ngjitemi lart, nga një perandori tjetër. Këtu kanë ardhur shumë perandori, por të gjitha janë larguar siç kanë ardhur. Mali përbehet nga dy maja: maja e vogël ku thuhet se ka qenë një burg i madh dhe maja e madhe, ku gjendet një masiv i madh varrezash të disa periudhave. (…) Fq. 61.
Fshatin e përfaqëson plaku, plaka, vajza dhe burrat. Përfaqësimi ndjekë plotësisht logjikën e derisotme shqiptare, e cila vazhdon të jetë dominueshëm patriarkale dhe konservatore. Plaku, që bëhet ciceron i mysafirit është i sertë dhe parimor. Plaka është sa nënë sa shtrigë, meqenëse e ndjekë kumti i humbjes së të gjithë fëmijëve në foshnjëri. Vajza është sa vejushë sa grua, meqenëse është e shënjuar pas ndarjes nga i dashuri. Burrat janë patriotë dhe pijanecë meqë dinë të vrasin e flasin, por jo edhe të mendojnë. Kështu, Ludvigu thyen heshtjen e fshatit përmes rrëfimeve të plakut, merr këshilla jete përmes kobësisë së plakës, marroset e xhindoset nga gatishmëria për të vrarë e burrave, kurse plotësohet nga vajza që pranon të bëjë jetën një me të. Në fund, heshtjen e thyen Simfonia e 7 e Bethovenit, kurse fshatin nisin ta mbulojnë fletëzat bardhë e zi të kujtesës.
(…) Ke gjetur pikërisht vendin e duhur për këtë, por jo pa marrë edhe hallet tona, brengat tona e gjakun tonë. Pastaj do të mund të lesh edhe hallin tënd këtu, në varret tona pa emër. Ama mbaj mend se kush kalon nëpër këtë fshat e nuk ndalet, nuk e di se ç’është vuajtja. Ndërsa ai që vendos të ndalet, fillimisht ndihet i humbur e më pas do ta dojë jetën më shumë. Ai do të rilindë… Ke për ta harruar, – foli plaka. (…) Fq. 70.
3. Heshtja, më parë se të jetë simbolikë, metanarrativë a çka do tjetër, ajo është gjendje, është psikë. Ashtu e trajton edhe autori në librin e tij. Ku e thërret Frojdin në ndihmë, ku jetën si shkollë më vete. “Fshati i Heshtjes”, në fakt, për gjithçka bëhet e ditur përmes rrëfimit është fshati i buçitjes. Qëllimshëm autori ka bërë këtë trazim, si për të dashur sheshazi ta bëjë të qartë bipolaritetin e njeriut të këtij fshati.
(…) E çuditshme, – u përgjigj Ludvigu, – unë nuk po ndihem mirë, sepse sot në fshat pashë shumë fëmijë, pashë gra teksa shkonin në kishë, pashë disa barinj në mal që po lëshonin delet. Këto nuk i kisha parë asnjë ditë tjetër. Sot madje, Jungu më solli materialet për të cilat kam ardhur. Por isha duke u kthyer duarbosh, sikur të mos qëndroja deri këtë mëngjes. Gjatë gjithë kohës kam menduar se jam në vendin e gabuar, por isha pikërisht në vendin e duhur. Jerina qeshi. Të gjitha do t’i kishe gjetur menjëherë, thjesht është dashur që të jesh i vendosur, herën e parë kur je nisur të mos ishe kthyer. Të jesh i bindur se do të kishe gjetur akoma më shumë, por edhe kështu mirë ke dalë. (…) Fq. 134.
Secilit lexues, pikësëpari, fshati do t’i asociojë me ndonjë banim shqiptar. Kurse, lexuesit të huaj, do t’i kujtojë Ballkanin si tërësi konvergjencash të realiteteve empirike. Bujtinës, ku studiuesi i huaj i trashëgimisë kulturore, Ludvig Nopça, do të stacionohej, autori i ka vënë emrin “Tradita”, si për të na e bërë të qartë se njeriu i atyshëm i është vënë në funksion një kuazi tradite që vetë e ka shpallur të shenjtë. Në bujtinën e cekur, për hir të zakonit, nikoqirja Berta shërben me çaj të nxehtë, por edhe me çaste të nxehta. Njeriu i Fshatit, i cili ka kaluar nëpër një proces të sertë traditifikimi, ka prodhuar personazhe që kanë humbur çdo lidhje reale me të kaluarën dhe mohojnë çdo lidhje me të sotmen, po në emër të traditës. Bipolariteti është pasojë kanunore, në vendin ku thuajse secili është kanun më vete. Kështu, tema mbi patriotizmin në kafene, në një ditë me diell çon në vrasjen e një bashkëfshatari. Dëshmitarët real zhduken me të mbërritur njësiti policor. Rasti do të procedohej siç e do tradita, jo siç e njeh ligji. Polarizimi i radhës vihet re tek standardet e dyfishta të njeriut të “Fshatit…” ndaj të tijve dhe ndaj të huajve. “Fshati i Heshtjes” është një makth për njeriun e vet, kurse një përrallë interesante për mysafirin. Ai është vendi ku siguria dhe liria relativizohet për vendasit, kurse prekë zenitin për secilin turist apo studiues te huaj. “Fshati i Heshtjes” është një vend tmerrësisht i vështirë për të jetuar, kurse tmerrësisht interesant për t’u vizituar. Siç secili fshat e qytet yni, siç thuajse i gjithë gadishulli ynë hijerëndë. Tre minuta i mjaftojnë Ilonës për të çuar ndërmend gjithçka të jetuar, para se të kalojë në amshim. Kurse, njësisë jetuese heshtjanase të “Fshatit…” i nevojiten vite e kohë për të kaluar majat e vogla e të mëdha malore, drejt horizonteve të reja ku traditën e ruajnë simfonitë dhe tempujt e studimit.
4. Me veprën “Fshati i Heshtjes”, Lucgjonaj ka goditur në bosht heshtjen e paarsyeshme dhe të paarsyeshmen që nuk heshtë. Pena e tij, nuk mund të quhet më premtuese, meqë është sfiduese, prandaj do duhej përkrahur e motivuar në mënyrë që, simbolikisht, fshatrave tanë, t’ua shtojë edhe elementin letrar. Kur çdonjëri nga ju të ketë përfunduar së lexuari romanin “Fshati i Heshtjes”, secili “katund i heshtur” do t’ju vijë si idiomë që ju lë pa fjalë dhe “ju fton në krim”.