
Sukses i jashtëzakonshëm për nxënësen e Gjimnazit të Ulqinit, Liriona Mehmeti, e cila është shpërblyer me bursën prestigjioze të DAAD-it (Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik), për të ndjekur studimet në fushën e mjekësisë në një nga universitetet gjermane, shkruan Ulqini Online.
Bursa DAAD konsiderohet si një nga programet më elitare në Evropë për mbështetjen e studentëve të talentuar dhe përkushtuar në arsim. Përzgjedhja e Lirionës në këtë program është rezultat i një pune të palodhshme, sukseseve të vazhdueshme akademike dhe angazhimit të saj personal në rrugëtimin drejt shkencës mjekësore.
Sipas njoftimit të bërë nga drejtoria e shkollës, kjo është hera e parë pas shumë vitesh që një nxënëse nga Ulqini arrin të përfitojë një bursë të këtij niveli, duke përfaqësuar me krenari shkollën dhe komunitetin e saj.
“Liriona ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm gjatë viteve të shkollimit. Ajo është shembull frymëzimi për bashkëmoshatarët dhe dëshmi e asaj se puna dhe talenti shpërblehen. Ky sukses na mbush me gëzim dhe krenari,” – thuhet në deklaratën e Gjimnazit të Ulqinit.
Me këtë arritje, Liriona Mehmeti jo vetëm që siguron një të ardhme të ndritur në fushën e mjekësisë, por gjithashtu vendos një standard të ri për nxënësit e tjerë të rajonit që synojnë arritje ndërkombëtare në arsim.